– Apostulli – 1 Korinthianëve 8:8-9:2.

 

Po të ngrënët nuk na afron tek Perëndia; sepse edhe sikur të hamë, nuk do të kemi gjë më shumë; as sikur të mos hamë, nuk do të kemi gjë më pak. Po shikoni se mos pushteti juaj bëhet pengesë për të dobëtit. Sepse në të paftë ndonjë ty që ke dituri, se rri në tryezë në tempull idhujsh, ndërgjegja e atij që është i dobët, a nuk do të marrë guxim të hajë therorët e idhujve?

Edhe kështu për diturinë tënde do të humbasë vëllai i dobët, për të cilin Krishti vdiq. Edhe kur mëkatoni ju kështu ndaj vëllezërve, dhe plagosni ndërgjegjen e tyre të dobët, në Krishtin keni mëkatuar. Prandaj në qoftë se ngrënia ime skandalizon tim vëlla, s’kam për të ngrënë mish për gjithë jetën, që të mos skandalizoj tim vëlla.

A nuk jam unë apostull? A nuk jam unë i lirë? A nuk e pashë unë Jisu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? Në mos jam apostull në të tjerë, po së paku në ju jam; sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju.