Hierodëshmor Polikarpi i Smirnit.

 

Polikarpi i lavdishëm, që ishte, sipas nxënësit të tij, Irineut të Lionit, “nxënësi i apostujve dhe familjar me ata që kishin parë Zotin”, lindi në Efes, në kohën e perandorit Vespasian (rreth vitit 70). Para se të martirizoheshin, prindërit e tij të shenjtë ia besuan fëmijën e tyre një gruaje të shenjtë, Kalistës, që e rriti me frikë Perëndie dhe me dashuri për virtytet e shenjta. Plot me dashuri në shpirt, fëmija jepte aq shumë lëmoshë, sa zbrazi rezervat e nënës së tij që e kishte adoptuar, për t’ua dhënë të varfërve.

Meqenëse ato u rimbushën përsëri në mënyrë të mrekullueshme, Kalista i ndryshoi emrin, dhe nga Pangrat e quajti Polikarp (që do të thotë: me shumë fryte).

Kur arriti në moshë të pjekur, Polikarpi u bë nxënës i shën Joan Theologut, i cili shpallte në atë kohë lajmin e mirë në provincën e Azisë, bashkë me shën Bukolin (6 shkurt) dhe shën Ignat Hyjmbajtësin (20 dhjetor). Duke përftuar nga mësimdhënia e tij në gjithçka që kishte lidhje me Zotin, Polikarpi bashkëndau me Nxënësin e Shumëdashur të Tij të gjitha mundimet, deri në internimin e tij në Patmos. Shën Joani e hirotonisi Bukolin episkop të qytetit të madh dhe të famshëm të Smirnës dhe i besoi Polikarpin si ndihmës e shok të mundimeve. Kur mbërriti në Smirnë, Polikarpi u hirotonis prift dhe u ngarkua me përkujdesjen për jetimët, deri në ditën kur Bukoli, që parashikoi vdekjen e vet, e caktoi për të qenë pasardhësi i tij.

Kështu Polikarpi, me anë të vullnetit të Perëndisë dhe të atit të tij shpirtëror, u bë bariu i Kishës së Smirnës, dhe punoi me plot zell, duke imituar në gjithçka sjelljen e shenjtë të etërve të tij dhe duke përsëritur besnikërisht fjalët që ata i kishin marrë nga vetë goja e Zotit tonë. Shën Joani i dërgonte prej internimit lavdërimet e tij Engjëllit të Kishës së Smirnës dhe e inkurajonte të qëndronte besnik deri në vdekje, për të marrë kurorën e jetës së përjetshme (Zbul. 2:10). I veshur me hirin hyjnor, Polikarpi kreu mrekulli të shumta: me lutjen e tij shoi një zjarr që kërcënonte mbarë krahinën për shtatë ditë me radhë, bëri të binte shi i bollshëm pas një thatësire të gjatë, çliroi të demonizuar dhe shëroi të sëmurë, saqë shumë paganë, falë tij, u bënë të krishterë.

Në fillim të baritimit të Polikarpit (viti 101), shën Ignati u dënua me vdekje dhe u dërgua i lidhur me zinxhirë në Romë për t’u bërë pre e bishave të arenës. Ai kaloi nga Smirna dhe ishte i lumtur të përqafonte për herë të fundit episkopin e shenjtë. Kur mbërriti në Troadë, shën Ignati i dërgoi një letër ku e falënderonte për mikpritjen e tij, i dorëzoi kujdesjen e Kishës së Antiokisë dhe i transmetoi këshilla të vyera e të frymëzuara hyjnisht për detyrat e bariut: Unë lavdëroj Zotin që më ka gjykuar të denjë të sodit fytyrën tënde të paqortueshme. Kryeje detyrën tënde episkopale me zell të madh në trup dhe në shpirt. Merru me unitetin, sepse nuk ka asgjë më të lartë se ai. Duroji me dashuri të gjithë njerëzit, ashtu si Zoti të duron ty. Mbaji dobësitë e të gjithëve, si një atlet i përsosur. Koha e tanishme të kërkon të fitosh Perëndinë, njësoj si timonieri qëndron në pritje të erës dhe si njeriu i rrahur nga furtuna, që shpreson të dalë në limanin e qetë….

Në vazhdim, shën Polikarpi u shkruante të krishterëve të Filipisë për t’i përgëzuar që e pritën denjësisht shën Ignatin dhe martirët: … ikonat e dashurisë së vërtetë, të cilat i keni shoqëruar siç u ka hije atyre që ishin lidhur me zinxhirë të denjë për shenjtorët, që janë diademat e atyre që janë zgjedhur vërtet nga Perëndia. Ai i nxiste të qëndronin në durimin që panë të rrezatuar te martirët dhe iu sjell përpara parimet e jetës së një komuniteti të krishterë, i cili është mik i dashurisë: Besa është nëna e ne të gjithëve, ajo është burimi i shpresës dhe paraprihet nga dashuria për Perëndinë, për Krishtin dhe për të afërmin. Ai që qëndron në këto virtyte, e ka përmbushur porosinë e Drejtësisë, sepse ai që ka dashurinë, është larg çdo mëkati.

Shën Polikarpi e drejtoi Kishën e tij në mënyrë apostolike për më shumë se 50 vjet. Në vitin 160, tashmë i moshuar, bëri një udhëtim në Romë për të diskutuar me papën Aniket në lidhje me një dallim që e ndante Romën me Kishat e Azisë për datën e Pashkës dhe për të mbrojtur besën e vërtetë kundër herezive. Shkëlqimi i shenjtërisë dhe i mësimit të tij bëri që të ktheheshin në besimin e vërtetë shumë veta që ishin mashtruar nga heretikët Valentin dhe Markion. Në çastin kur po largohej nga Roma, Papa i la për hir të nderimit, kryesimin e Mbledhjes Eukaristike dhe, pasi shkëmbyen puthjen e shenjtë, u ndanë me paqe, me respekt të ndërsjellë për dallimet legjitime midis Kishave lokale.

Pak kohë pas kthimit të tij në Smirnë (165), shpërtheu një persekutim i dhunshëm kundër të krishterëve nga perandori Mark Aureli (161-180), që pështjelloi mbarë Kishat e Azisë. Në këtë kohë, gjatë martirizimit të dymbëdhjetë martirëve nga Filadelfia, shën Polikarpi, tashmë 86 vjeç, vdiq me një vdekje të lavdishme, të Shtunën e Madhe, në mënyrë të ngjashme me Pësimin e Zotit tonë Jisu Krisht.

Gjatë kohës që këta martirë të shenjtë të Krishtit po duronin të gjitha llojet e torturave dhe në fund do të shërbenin si ushqim për bishat, Polikarpi shumë i nderuar, po ruante qetësinë e tij të zakonshme dhe donte të qëndronte në qytet për të mos e braktisur grigjën e tij. Por, duke dëgjuar lutjet e shokëve të tij, të cilët i kërkuan që të mos e ekspozonte para kohe veten e tij në vdekje, u tërhoq në një pronë të vogël, jo larg qytetit, dhe natë e ditë lutej për të gjithë njerëzit dhe për Kishat e mbarë botës. Tri ditë para arrestimit, ndërsa po lutej, pati një vegim në të cilin jastëku i tij mori zjarr dhe u bë shkrumb. Kur u kthye te shokët, u bëri të ditur se së shpejti ai do të jepte jetën e tij për hir të Krishtit.

Kur kishte shkuar në një tjetër strehë, katër burra të armatosur, që mësuan se ku qëndronte, pasi torturuan një skllav të ri, shkuan dhe u futën me dhunë në ndërtesë. Shenjtori refuzoi të largohej dhe i priti me një fytyrë plot rrezatim e dritë, i ftoi të hanin një mëngjes të mirë, duke u kërkuar që ta linin për pak kohë të lutej. Ata pranuan dhe ai, pothuajse dy orë, u lut më këmbë, i mbushur plot me hirin e Perëndisë, duke kujtuar të gjithë njerëzit që kishte njohur, të mëdhenj e të vegjël, si edhe Kishën në mbarë botën. Erdhi ora e largimit dhe ushtarët, të kapur nga një frikë e madhe dhe pasi u penduan që ndërmorën një veprim të tillë, e hipën mbi një gomar që ta çonin në Smirnë. Përgjegjësi i rojave, që quhej edhe ai Herod, ndaloi para tij dhe e mori në karrocën e vet, për ta bindur që të shpëtonte jetën duke i bërë sakrificë Cezarit. Kur e pa se u mundua më kot, e flaku në rrugë shenjtin dhe e goditi. Plaku i plagosur në këmbë e vazhdoi me më shumë gëzim rrugën e tij.

Kur hyri në stadiumin e mbushur plot, ku turma thërriste e ulërinte e etur për gjak, një zë hyjnor u dëgjua në mes të të krishterëve të paktë, që ndodheshin në atë masë njerëzish. “Ki kurajë, Polikarp, dhe sillu si burrë!”. Prokonsulli e nxiti të mohonte Krishtin, duke thënë: “Të të vijë keq për moshën tënde të madhe!”, si dhe gjëra të tjera, që persekutorët e kanë zakon të thonë në të tilla raste. “Betohu për emrin e Cezarit dhe thuaj: Poshtë ateistët!”, i thërriste atij. Polikarpi hodhi vështrimin mbi turmën e paganëve që kishte mbushur amfiteatrin dhe u përgjigj duke psherëtirë: “Po, sigurisht, poshtë ateistët!”. Teksa po e urdhëronin të mohonte Krishtin, ai u përgjigj: “Për 86 vjet me radhë unë i kam shërbyer atij dhe nuk më ka bërë asgjë të keqe. Si mundem unë të blasfemoj kundër Mbretit tim që më do?”.

Prokonsulli i tha: “Unë kam kafshë të egra dhe, nëse nuk ndryshon mendje, do të bëhesh pre e tyre”. Polikarpi u përgjigj: “Silli këtu, sepse për ne është e pamundur që të shkojmë nga më e mira te më e keqja, ndërkohë që rregulli për njeriun është që të përparojë nga e keqja për te drejtësia”. “Do të të përvëloj me zjarr, sepse ti i përbuz kafshët”, i tha gjykatësi. Polikarpi, plot me fuqi dhe gëzim, iu përgjigj: “Ti më kërcënon me zjarrin që digjet për një çast dhe pas pak kohe shuhet, sepse nuk e njeh zjarrin e gjykimit të ardhshëm dhe mundimin e përjetshëm, që iu është bërë gati të pabesëve. Por përse të harxhojmë kohë dhe të vonohemi? Bëj ç’të duash!”.

Pasi tellalli shpalli se Polikarpi kishte deklaruar tri herë radhazi se ishte i krishterë, turma e tërbuar kërkoi me forcë që një luan i egërsuar të lëshohej kundër tij. Por, meqenëse ndeshjet e kafshëve kishin përfunduar, thirrën: “Polikarpi duhet të digjet i gjallë!”. Menjëherë paganët dhe judenjët e përzier me ta shkuan nëpër punishtet e ndryshme për të gjetur dru dhe shkarpa. Kur bënë gati pirgun e druve në mes të stadiumit, Polikarpi i hoqi vetë rrobat e tij dhe po aq i qetë sa ishte kur kryente sakrificën e shenjtë, donte të hiqte edhe këpucët, gjë që nuk e kishte bërë ngaqë besimtarët donin t’i puthnin këmbët. Kur donin ta mbërthenin në një shtyllë, ai u tha xhelatëve: “Më lini kështu, sepse Ai që më jep fuqinë për të duruar zjarrin, do të më japë forcë që të qëndroj i palëvizur në turrën e druve”. E vunë në mes të turrës dhe ndezën zjarr për ta konsumuar si një sakrificë të vullnetshme të bërë gati për holokaust. Ai ngriti sytë drejt qiellit dhe me një lutje të fundit falënderoi Perëndinë, që e bëri të denjë të merrte pjesë, me të gjithë martirët e tjerë, në kupën e Krishtit, për ngjalljen dhe jetën e përjetshme të shpirtit dhe të trupit, në paprishjen e Shpirtit të Shenjtë.

Kur ai shqiptoi fjalën Amin dhe përfundoi lutjen, xhelatët e ndezën zjarrin. Një zjarr i madh u ngrit përpjetë, por, për çudi, flaka mori formën e një veli, që tundej nga era, e cila e rrethonte si mur mbrojtës trupin e shenjtorit. Ai qëndronte në mes jo si një trup që digjet, por si një bukë që piqet ose si ari që shkëlqen në fonderi, duke lëshuar aromë temjani dhe aroma të tjera të këndshme.

Kur të pabesët e panë se shenjtori nuk po vdiste nga zjarri, urdhëruan xhelatët që t’i prisnin kokën me shpatë. Atëherë gjaku shpërtheu në një sasi aq të madhe, saqë e shoi zjarrin, duke e habitur turmën e pranishme.

Lipsanet e çmuara të martirit të shenjtë u dogjën e u bënë hi me shtysën e judenjve, por besimtarët arritën të merrnin disa eshtra dhe i vendosën në një vend të përshtatshëm, ku mblidheshin çdo vit për të kremtuar me gëzim ditën e lindjes së tij në qiell. Martirizimi i lavdishëm i shën Polikarpit e ndaloi për njëfarë kohe persekutimin kundër të krishterëve.

 

* * * * *

Oshënare Gorgonia.

 

E lumura Gorgonia ishte motra e madhe e shën Grigor Theologut (25 janar) dhe bija e shën Grigorit të Nazianzit, Plakut (1 janar) dhe e shën Nonës (5 gusht). Ajo mori nga ky çift shembullor jo vetëm ekzistencën, por edhe zellin për besimin. Gorgonia u rrit në Nazianz, por e konsideroi gjithmonë Jerusalemin qiellor si atdheun e saj të vërtetë dhe se fisnikëria e vërtetë ishte ajo e ikonës së Perëndisë. Që në rini përpiqej për t’u lartësuar me anë të kurorës së bukur të virtyteve, në veçanti me anë të dëlirësisë së saj. U martua me një banor të Ikoniumit, Alipin, me të cilin pati tri vajza. Gorgonia ruajti edhe në martesë zellin që kanë virgjëreshat për Perëndinë dhe e tërhoqi edhe të shoqin në përpjekjen shpirtërore për të fituar virtytin.

Duke ruajtur sytë nga çdo pamje e pahijshme dhe duke i mbyllur veshët për bisedat e kota, duke i hapur ato vetëm për fjalët hyjnore dhe shpëtimtare, ajo zotëronte veten që të mos qeshte në mënyrë të pahijshme, duke i shndërruar ato në një buzëqeshje që e ndriçonte paqësisht fytyrën e saj. Dinte, si askush tjetër, të ruante gjuhën dhe të fliste fjalë me kripë, duke shqiptuar me gojën e saj vetëm lavdërime për Perëndinë. Ajo nuk e humbiste kohën në vogëlsira, nuk i kushtonte kujdes vetes dhe pamjes së saj të jashtme, duke deformuar me makijazh ikonën e Perëndisë. Gorgonia njihte vetëm një zbukurim, atë të shpirtit me anë të virtyteve të shenjta dhe i vetmi i kuq përmbi fytyrën e saj të zbehur nga asketizmi, ishte ai i druajtjes.

Model i gruas së krishterë për hir të njohjes dhe urtësisë së madhe shpirtërore, ajo ishte për prindërit e saj, për bashkëqytetarët dhe për të huajt një këshilltare e urtë me njohje të thella në shumë çështje delikate për sjelljen e të krishterëve në botë. Asnjë tjetër nuk kujdesej aq shumë për kishat e Perëndisë, askush nuk kishte më tepër respekt se ajo për priftërinjtë e Perëndisë, duke u hapur në çdo kohë dyert e shtëpisë së saj. Nuk kishte njeri tjetër të ngjashëm në lëmoshë dhe ndihma për të afërmit dhe për të hidhëruarit, aq sa në rastin e saj mund të thuhej si për Jovin e Drejtë se ajo ishte: “syri i të verbërve, këmba e të dobëtëve, nëna e jetimëve…”. Ajo i shpërndante si lëmoshë të gjitha të mirat e saj materiale, saqë, kur u largua prej kësaj jete, la si pasuri të vetme trupin e saj; por gjithmonë përpiqej t’i bënte fshehurazi bamirësitë.

Një ditë pësoi një aksident të tmerrshëm: u tërhoq zvarrë për një kohë të gjatë nën karrocën e saj të përmbysur. Por, për shkak të turpit, nuk pranoi t’i tregonte mjekut trupin e saj të ënjtur nga goditjet dhe e vendosi të gjithë shpresën te Perëndia, që e shëroi në mënyrë të mrekullueshme.

Një herë tjetër, ndërsa vuante nga një sëmundje që për mjekët nuk kishte shërim, ajo u ngrit herët në mëngjes dhe shkoi e u shtri përdhe në pllakat e kishës, përpara altarit, duke i kujtuar Perëndisë mrekullitë e kryera prej Tij për të ndihmuar shërbëtorët e vet. Njësoj si gruaja e Ungjillit, që njomi këmbët e Zotit Krisht me lotët e saj, e vaditi altarin e shenjtë me lot dhe kështu gjeti shërimin nga sëmundja që e mundonte.

Kur mori Pagëzimin e Shenjtë, në një moshë të madhe, siç ishte zakoni në atë kohë, asgjë nuk e mbajti më në këtë jetë dhe iu lut Krishtit për netë të tëra, që ta merrte sa më shpejt pranë Tij. Gjatë këtyre agripnive mori një zbulesë për ditën e vdekjes. I mbetej vetëm pagëzimi i të shoqit për të përmbushur veprën e nxënëses së Krishtit dhe të imitueses së apostujve. Kur erdhi dita, shenjtorja u sëmur dhe mblodhi pranë shtratit të gjithë afërmit, për t’u dhënë mësimin e fundit për jetën e përjetshme, pastaj u nis për t’u bashkuar me korin e shenjtorëve, duke mërmëritur fjalët e psalmit: “Tani do të shtrihem në paqe dhe do të fle, se vetëm Ti, o Zot, më mbush me shpresë” (Ps. 4:9).