E Diela XXXIV, e Plangprishësit, Trupi yt i përket krishtit, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 20.02.2022 (Tekst)
“Trupi nuk është për imoralitetin, por për Zotin”
Në epokën tonë, bashkë me vlerat e tjera, është tronditur edhe vlera e pastërtisë morale. Frojdizmi ka ndikuar artin, letërsinë, kinematografinë, televizionin dhe gjithë klasat shoqërore. Trupi njerëzor degjeneroi në mjet kënaqësie dhe mëkati për tregun dhe reklamën. Fatkeqësisht, brenda kësaj klime lëviz njeriu bashkëkohor. Nuk e konsideron prostitucionin si diçka të keqe dhe ka shfuqizuar tradhtinë bashkëshortore.
* * *
Por, vjen zëri i hyjfrymëzuar i Apostullit të Kombeve, të na zgjojë nga letargjia e mëkatit: “Trupi nuk është për imoralitetin, por për Zotin”. Ekzistojnë disa veprime dhe rrethana në jetë, të cilat janë absolutisht të ndaluara nga ligji i Perëndisë. Nuk lënë vend për asnjë pajtim dhe për asnjë prapësim. Dhe veprime të tilla janë mëkatet e mishit, shthurja trupore, jeta e prishjes morale dhe e pandershmërisë. Trupi, që na dha Perëndia, nuk është për imoralitetin, për pandershmërinë trupore, por për Zotin, që t’i përkasë si vepër dhe gjymtyrë. Dhe Zoti është për trupin; për të banuar në të dhe për t’a shndërruar në tempull të tij. Rrjedhimisht nuk ka të drejtë ta përdorë për shkapërderdhjen, ta rrënojë me dëfrimet mëkatare trupore.
Ne besimtarët -“trupat tanë”, na thotë Apostulli- jemi gjymtyrë të trupit të Krishtit. Këtu bëhet qartësisht e dukshme se me nocionin “trup”, Apostulli nënkupton të gjithë njeriun. Pagëzimi na përtëriu, duke na çliruar nga pushteti i djallit dhe ndikimi tiranizues i mëkatit, na bashkon me Krishtin, për të na treguar gjymtyrë të trupit të Tij.
Duke qenë se i përkasim trupit të Krishtit, marrim pjesë tashmë që nga kjo botë, në jetën hyjnore dhe synojmë shenjtërimin tonë. Kur kemi, pra, një lidhje të tillë me Krishtin; kur jemi pjesë të trupit të Tij, si është e mundur të dëshirojmë t’i bëjmë gjymtyrët e Krishtit mjete imoraliteti? Pyetja e Apostullit është realisht tronditëse. “Nuk ka asgjë më të tmerrshme nga kjo fjalë”, vëren shën Joan Gojarti. Po njësoj edhe shpjeguesi i Shkrimeve të Shenjta, shën Efthim Zigavinoi: “Fjalë e frikshme”. Prandaj edhe shtoi menjëherë. “Qoftë larg”.
* * *
Për këto arsye shën Pavli thotë: “shmangni gjithmonë, me gjithë fuqinë tuaj, ndotjen nga imoraliteti. Çdo mëkat që bën njeriu, është jashtë trupit, po ai që bën imoralitet, mëkaton në trupin e vet” (v.18). Prandaj Perëndia, kur gatoi të parëgatuarit, “i krijoi mashkull e femër”, dhe i bekoi duke thënë: “shtohuni e shumohuni e mbushni tokën” (Gjen. 27-28). Zoti, me prezencën e tij, bekoi dasmën në Kana. Ati apostolik, shën Ignat Hyjmbajtësi, në letrën e tij porosit: “Duhet që kandidatët për martesë, burrë e grua, të veprojnë me bekimin e Episkopit, që martesa të jetë sipas vullnetit të Perëndisë dhe jo sipas dëshirës njerëzore”. Kisha jonë e shenjtë, duke ndjekur traditën e Apostujve, e vendosi martesën midis shtatë mistereve. Çdo veprim dhe marrëdhënie seksuale, para martesës, është e paligjshme dhe e ndalon të krishterin nga Kungimi Hyjnor. Meshtari, kurorëzon të sapomartuarit sepse u afruan të pastër dhe të papërlyer, dhe uron, kur merr kurorat, t’i mbajë të papërlyera.
* * *
Por, si do të arrijë i riu i sotëm t’a mbajë trupin e tij të pastër nga imoraliteti? Së pari, kur ka ndjenjën e prezencës së Perëndisë. Për shembull, Josifi i tërëmirë që jetoi dy vjet si shërbëtor tek Potifari, në Egjipt. I rezistoi ftesës së gruas së Potifarit, duke thënë: “Si ta bëj këtë paudhësi dhe të mëkatoj para Perëndisë tim?” Dhe iku larg gruas së shthurur. Imoraliteti e ndot dhe e shkatërron shumë trupin. Njollos edhe shpirtin, turbullon mendjen, dobëson vullnetin, degradon jetën shpirtërore dhe veprimtarinë e njeriut. Rrënon dhe plagos edhe trupin; sepse, siç shkruan edhe Apostulli, është mëkat që kryhet nëpërmjet trupit, dhe godet vetë rrënjët dhe parimet e zanafillës së njeriut.
Dhe, të mendojë dikush, se ky trup, dhuratë e çmueshme e Perëndisë ndaj njeriut, u bë tempull dhe banesë e Shpirtit të Shenjtë, nëpërmjet Pagëzimit të shenjtë. U shpërblye nga skllavëria e mëkatit, nëpërmjet Gjakut të nderuar të Krishtit, dhe nuk i përket tanimë njeriut por, shpërblyesit të tij, Krishtit. Dhe nëse, që në epokën para Krishtit, Perëndia neveriste dhe ndëshkonte shthurjet mishore, shumë herë më tepër i urren ato, kur kryhen nga të krishterët në epokën e hirit.
* * *
Ndoshta disa mund të thonë: “Nuk jemi të lirë të bëjmë çfarë dëshirojmë?” Të lirë? Kush ua tha? I krishteri nuk është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Është njëmijë herë i lirë, sepse Krishti e çliroi nga skllavëria e pasioneve dhe mëkatit. Por është shërbëtor; shërbëtor i Jisu Krishtit. Është blerë me gjak. Nuk mundesh që këtë diamant, të cilin ta dorëzoi si kujtim babai yt, ta hedhësh në moçal. Dhe nuk mundesh as ti o i ri dhe e re, që këtë diamant të shpirtit tënd të virgjër, ta hedhësh në moçalin e mëkatit të fëlliqur. “Nuk jeni të vetvetes. U bletë me çmim” (v. 20).
Për ta kuptuar më mirë këtë, le të përmendim një shembull. Nëse do të shikonim ndonjë njeri të pabesë dhe të ndyrë, të hyjë në tempull, të kalojë derën e bukur, t’i afrohet Tryezës së shenjtë, të zgjasë duart e tij të papastra, të rrëmbejë Potirin dhe Diskun e shenjtë dhe ta hedhë në baltë, çfarë do të thoshim, çfarë do të bënim? Do të tmerroheshim dhe do të rrëqetheshim. Por këtë e bëjmë përditë, kur mëkatojmë. “Nuk e dini -thotë apostull Pavli- se trupi juaj është tempull i Perëndisë? Shpirti ynë Disk dhe Potir i shenjtë?” E megjithatë, sa herë, me trupin apo shpirtin tonë, rrokullisemi në mëkat!
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Kemi hyrë dhe po përshkojmë një periudhë, mbi të gjitha, të shenjtë për ne të krishterët. Është periudha e Triodit. Për të tjerë, ndoshta, periudhë dehjeje dhe dëfrimi, zbavitjeje dhe maskaradash karnavalesh. Por, për bijtë e Kishës, stad përgatitjesh. Periudhë rritjeje në përpjekjet shpirtërore. I përgjigjen në kohën e duhur, pra, kuptimit të kësaj periudhe këshillat e apostull Pavlit, që përmbahen në pjesën e sotme apostolike. Trupat tanë janë gjymtyrë të Krishtit. Tempuj, brenda të cilëve banon Shpirti i Shenjtë. Rrjedhimisht, është qartësisht i dukshëm borxhi ynë ndaj këtyre enëve kaq të nderuara: Larg çdo mëkati trupor! Le t’i tregojmë mjete që do të shfaqin dhe do të rrezatojnë lavdinë e Perëndisë. “Lavdërojeni pra Perëndinë me trupin tuaj dhe me shpirtin tuaj”!