– Ungjilli – Marku 11:1-11.

 

Edhe kur afrohen në Jerusalem, në Betfagji e në Betani, pranë Malit të Ullinjve, dërgon dy nga nxënësit e tij, edhe u thotë atyre: Shkoni në fshatin përballë jush, edhe menjëherë, sapo të hyni në të, do të gjeni një pulisht të lidhur, të cilit s’i ka hipur asnjë prej njerëzve; zgjidheni dhe silleni.

Edhe në ju thëntë ndonjë juve: Ç’bëni kështu? thuajini se Zoti ka nevojë për të; edhe përnjëherë ai do ta dërgojë përsëri këtu. Edhe shkuan edhe gjetën pulishtin lidhur pranë derës jashtë në udhë; edhe e zgjidhën.

Edhe disa nga ata që rrinin atje u thoshin atyre: Ç’bëni kështu që zgjidhni pulishtin? Edhe u thonë atyre siç i pati porositur Jisui; edhe ata e lanë. Edhe prunë pulishtin tek Jisui, edhe vunë rrobat e tyre mbi të; edhe u ul mbi të.

Edhe shumë veta shtruan rrobat e tyre në rrugë; edhe të tjerë këputnin degë me gjethe prej pemëve e i shtronin në rrugë. Edhe ata që shkonin përpara, si dhe ata që vinin prapa, thërritnin, duke thënë: Hosana, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.

E bekuar është mbretëria që vjen në emrin e Zotit të atit tonë David; Hosana në më të lartat. Edhe Jisui hyri në Jerusalem dhe në tempull; edhe si i vuri re përqark të gjitha, meqenëse tani ishte vonë, doli në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.