– Ungjilli – Marku 13:14-23.
Dhe kur të shihni “neverinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, të rrijë atje ku nuk duhet, ai që lexon le të kuptojë, atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin nëpër male. Edhe kushdo të jetë përmbi shtëpi, le të mos zbresë në shtëpi, as le të mos hyjë të marrë gjë nga shtëpia e tij.
Edhe ai që të jetë në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobën e tij.
Po mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji në ato ditë. Edhe lutuni që të mos bëhet ikja juaj në dimër. Sepse në ato ditë do të jetë i këtillë shtrëngim, që i tillë nuk është bërë që në fillim të krijimit, që krijoi Perëndia, e deri tani, edhe as do të bëhet.
Edhe të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, s’kishte për të shpëtuar asnjë mish; po për të zgjedhurit që i ka zgjedhur i shkurtoi ditët.
Edhe atëherë në u thëntë juve ndonjë: Ja këtu është Krishti, ja, atje, mos besoni. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, edhe do të bëjnë shenja e çudira, që të gënjejnë, në mundet, edhe të zgjedhurit. Por ju vini re; ja tek jua thashë juve të gjitha që përpara.