Oshënar Afksenti në Bitini.

 

Oshënar Afksenti ishte me origjinë nga Persia, por lindi në Siri, ku i ati kishte emigruar gjatë persekutimit të Shapurit II. Afksenti erdhi në Konstandinopojë gjatë mbretërimit të Theodhosit II (408-450), dhe fitoi një detyrë në gardën perandorake. I respektuar mjaft nga perandori e nga të gjithë bashkëkohësit për hir të integritetit dhe besimit të madh që e karakterizonte, ishte miku i shumë njerëzve të njohur për virtytin e tyre, si shën Markiani ekonomi i ardhshëm i Kishës së Madhe (10 janar); Anthimi dhe Sita, me të cilët ai i kalonte ditët dhe netët në lutje, lot dhe agripni. Ata merrnin pjesë në agripni në kishën e Shën Irinit që ishte ndërtuar nga shën Markiani dhe shkonin shpesh në Hebdomon për të marrë këshilla nga stiliti i famshëm, Joani.

Meqenëse jeta e tij e shenjtë dhe mrekullitë që kryente i dhanë një emër të madh, Afksenti iku nga fama dhe zhurmat e botës, madje u largua edhe nga miqtë e tij. Dha dorëheqjen nga detyra në gardë, për t’u futur në rreshtat e ushtrisë engjëllore dhe shkoi deri në malin Oksia (sot Kaishdag, rreth 6 milje larg Kalqedonisë), ku jetoi në qetësi të plotë, i veshur njësoj si shën Joan Pagëzori me një rrobë leshi të papërpunuar. E zbuluan disa fëmijë që po kërkonin delet e humbura. Ato u gjetën me anë të një mrekullie dhe prindërit e djemve ndërtuan në majë të malit një qeli për asketin. Megjithatë Afksenti e bllokoi derën e qelisë, që të mos e shqetësonin njerëzit dhe iu përkushtua lutjes së Jisuit, pa i dhënë çlodhje dhe prehje trupit.

Vizitorë të shumtë filluan të vinin për të takuar shenjtorin dhe shumë shëroheshin me anë të lutjes së tij. Afksenti komunikonte me ta nëpërmjet një dritareje të vogël, në rastet kur e konsideronte të domosdoshme, dhe e niste bisedën me njerëzit, pasi këta kishin lavdëruar më parë Zotin. Më pas njerëzit ishin të lirë të dëgjonin lutjet dhe leximet, me të cilat ai merrej brenda qelisë. I sprovuar më së miri dhe duke fituar përvojë nga luftërat e forta të bëra kundër djallit, fitoi fuqinë për të dëbuar shpirtrat e këqij nga njerëz të demonizuar, që vinin tek ai për t’u shëruar. Kështu, pas tri ditësh përpjekjeje të fortë dhe të pandërprerë shpirtërore, arriti të dëbonte demonin nga një vajzë e demonizuar, për shkak të pabesisë së të atit. Në një rast tjetër, shëroi një grua të verbër nga Nikomedia duke i prekur sytë, së cilës i tha: “Krishti, drita e vërtetë, të shëroftë!”. Shumë mrekulli të ngjashme kreu Perëndia me anë të lutjes së shërbëtorit të Tij.

Perandori Markian, kur thirri Sinodin IV Ekumenik të Kalqedonisë për të dënuar herezinë e Eftikit (451), e urdhëroi eremitin e famshëm të bashkohej me asamblenë e etërve të shenjtë që u mblodhën atje, për të mbrojtur besimin e vërtetë dhe kuptimin e drejtë të dogmave të shenjta. Afksenti i përulur nuk donte të merrte pjesë në Sinod. Mësimi i doktrinës është një çështje që u takon episkopëve dhe jo murgjve, thoshte ai. Meqenëse refuzoi që të shkonte së bashku me shoqëruesit e perandorit, ata nisën të dyshonin për orthodhoksinë e shenjtorit dhe dërguan njerëz, që ta hapnin me forcë derën e tij. Pasi këta u munduan më kot për ta hapur, shenjtori bëri një pohim të fortë të besimit dhe u kërkoi të gjithë të pranishmëve të luteshin. Ai bëri shenjën e kryqit dhe përsëriti tri herë: “I bekuar qoftë Perëndia”, dhe dera u hap vetë me lehtësi. Pa kundërshtuar, shkoi së bashku me të dërguarit e perandorit. Ata e morën në karrocë, sepse ai ishte dërrmuar nga rreptësia e madhe e asketizmi. Rrugës shenjti shëroi shumë njerëz të sëmurë e të demonizuar.

Kur mbërriti në manastirin e Fileas, Afksentin e mbyllën në një qeli si kriminel. Më pas e transferuan në manastirin e Shën Hipatit (31 maj), në rrethinat Kalqedonisë, ku murgjit e pritën me gëzim të madh. Në Konstandinopojë, perandori e thirri të merrte pjesë në pritjen që u bë në pallatin e Hebdomonit. Markiani e trajtoi me shumë respekt dhe i kërkoi të deklaronte pjesëmarrjen e tij në Sinod. Shenjtori nuk e dinte se çfarë kishte sanksionuar Sinodi, por pranoi paraprakisht vendimet e tij, nëse ato nuk binin në kundërshtim me besimin e Etërve të Nikeas dhe me ato që Sinodi kishte përcaktuar si dogmë të vërtetë në lidhje me Mishërimin e Krishtit, Perëndisë së vërtetë dhe njeriut të vërtetë nga e Tërëshenjta dhe e Gjithmonëvirgjra Mari, Nëna e Zotit. Kur dëgjoi këto fjalë, perandori u gëzua jashtë mase. Ai i puthi kokën dhe me nderime të mëdha e dërgoi me shoqërues në Kishën e Madhe të Krishtit, ku patriarku i lexoi vendimet e Sinodit. Duke lavdëruar Perëndinë, shenjtori dha pëlqimin e tij dhe u kthye në manastirin e Rufianesit.

Nuk u kthye kurrë më në malin Oksia, por u vendos në malin Skopa, një vend më i ashpër dhe më i lartë, që më pas u quajt mali i Shën Afksentit dhe u bë një fortesë e murgërisë bizantine. Murgjit e tij i ndërtuan një qeli tjetër me dërrasa dhe me një dritare të vogël, nga ku mund të komunikonte me vizitorët e shumtë. Atje erdhi edhe një turmë djajsh, sepse e kishin frikë fuqinë e lutjes së tij dhe e sulmonin dhunshëm. Ata e rrahën aq keq, saqë ai e kishte të pamundur të fliste. Por njeriu i bekuar i Perëndisë iu kundërpërgjigj shpejt me shenjën e Kryqit të Zotit dhe kështu nga dita në ditë shkëlqente më me shumë fuqi, si një far i vendosur mbi një mal të lartë.

Shenjti shkroi disa himne në të cilat bashkohet bukuria e shprehjes poetike me dobinë që i sjellin shpirtit dhe i porosiste vizitorët nga Rufianes ose nga zona më të largëta, që t’i psalnin. Nga mëngjesi në darkë i mësonte pelegrinët që të jetonin një jetë të virtytshme dhe të hiqnin dorë nga kënaqësitë e trupit. Kur binte nata, u jepte një sillë të thjeshtë për të ngrënë dhe i linte të iknin në paqe. Nuk pranonte askënd që donte të bëhej murg në komunitetin e tij. U jepte një tunikë të bërë me qime kali ose lëkurë, që ai e kishte veshur më parë, duke thënë: “Shko, vëlla, atje ku Zoti do të të çojë!”. E kishte zakon të nxiste të krishterët, që të bënin agripni gjatë gjithë natës në vigjiljen e së dielës dhe jo vetëm të mos punonin në këtë ditë në të cilët nderohet Ngjallja, por edhe ditën e premte ta kalonin me kreshmë dhe lutje në kujtim të Pësimit jetëdhënës të Zotit.

Një të shtunë, ai hapi dritaren e qelisë për të informuar të pranishmit se shtylla e madhe e Kishës, shën Simeon Stiliti (1 shtator), sapo kishte ndërruar jetë. Më pas, kur mbërriti lajmi i vdekjes së tij nga Antiokia, lajmi i dhënë nga shën Afksenti u konfirmua edhe sa i takon orës dhe ditës.

Midis atyre që vinin për të takuar shenjtorin, ishte edhe një prej zonjave të shoqërimit të perandoreshës Pulkeria. Ajo i ishte lutur shumë herë shën Afksentit që ta qethte murgeshë dhe si përfundim ai e qethi sipas vullnetit të Perëndisë. Pastaj e dërgoi në një vend rrëzë malit, ku do të kishte mundësinë të bënte një jetë në asketizëm. Pranë saj shkuan edhe gra të tjera të shtresave të ndryshme dhe numri arriti në 70, kështu që shën Afksenti ndërtoi atje një kishë dhe një manastir për to. U quajt Trihinarion (nga trikines: triko leshi), ndoshta sepse mbanin tunika të ashpra, nga ato që u dërgonte shën Afksenti. Çdo të premte dhe të diel murgeshat ngjiteshin në mal te shenjtori, i cili i këshillonte të tregonin qëndrueshmëri në përpjekjen e virgjërisë, jo vetëm të trupit, por, mbi të gjitha, të shpirtit. Disa herë ai zbriste për t’i takuar, duke ecur nëpër monopatin e rrëpirët që të çonte në manastirin e tyre, pavarësisht nga mosha e sëmundjet.

Një ditë zbriti në manastir, për të parë disa ndërtime të reja dhe u lut me nxehtësi shpirtërore që Perëndia të dërgonte bekimet e Tij mbi komunitetin e ri murgëror. Kur u kthye në qelinë e tij asketike nuk e ndjeu veten mirë dhe pak ditë më vonë (14 shkurt), shkoi në banesat qiellore.

Njerëz të shumtë, nga shkretëtirat dhe qytetet, u mblodhën për të marrë pjesë në varrimin e tij. Murgjit e shën Hipatit kërkuan thesarin e lipsanit të tij hirmbajtës, por ai iu besua përkujdesjes së bijave të tij shpirtërore.

 

* * * * *

Oshënar Maroni.

 

Oshënar Maroni jetoi në një mal pranë Kirusit në Siri, në fillim të shekullit të 5-të. Edhe pse kishte ndërtuar një kasolle të vogël në rrënojat e një tempulli pagan, jetonte në qiell të hapur, duke vuajtur të gjitha peripecitë e motit. Gara në të cilën e futi veten për hir të dashurisë për Perëndinë, i solli dhuratën e shërimit.

Tek ai shkonin një numër i madh njerëzish nga të gjitha anët dhe lutja e tij i shëronte nga ethet dhe i dëbonte demonët prej tyre. Ai ishte mjeku i shpirtrave dhe i trupave, disa i shëronte nga lakmia për para, të tjerë nga zemërimi, mospërmbajtja apo mungesa e përkujdesjes. Shumë nga ata që shëroheshin nga këto pasione, qëndronin pranë njeriut të shenjtë të Perëndisë, për t’u rritur më tej në virtytet e shenjta.

Fjeti rreth vitit 423, dhe u bë një diskutim i madh midis fshatrave se cili prej tyre do të kishte lipsanin e tij të shenjtë.