Apostujt Akila e Priskila nga të 70-t.

 

Akila, një jude nga Ponti, ishte vendosur me gruan e tij, Priskilën, në Romë, ku punonte si tendëbërës. Ata ishin të konvertuar në Krishterim, kur perandori Klaudi urdhëroi dëbimin e të gjithë judenjve nga qyteti, në vitet 49-50 pas Krishtit.

U vendosën në Korinth pak kohë pasi shën Pavli mbërriti atje nga Athina (Vep. 18:1-3). Apostulli jetoi në shtëpinë e tyre dhe punoi me ta, sepse nuk donte t’u bëhej barrë të tjerëve. Ai u mësoi atyre misteret e Perëndisë dhe disa thonë se dhe i pagëzoi vetë. Ata ishin tërësisht të përkushtuar ndaj mësuesit të tyre, duke e ndihmuar në shërbesën e tij dhe duke bashkëndarë mundimet dhe vuajtjet e tij. Shën Pavli asnjëherë nuk e fshehu dashurinë për ta, duke i përshëndetur në mjaft letra të tij. P.sh., në letrën e tij drejtuar romakëve ai shkruan: “Përshëndet Priskilën dhe Akilën, bashkëpunëtorët e mi të shtrenjtë në Krishtin Jisu, të cilët vunë qafën e tyre nën thikë për shpirtin tim, të cilët i falënderojnë të gjitha kishat e kombeve, jo vetëm unë”.

Kur shën Pavli la Akaian për t’u kthyer në Azi, ata e ndoqën pas. Ishte pikërisht shtëpia e tyre e madhe në Efes, ku të krishterët mblidheshin për Eukaristinë Hyjnore. Po aty Priskila dhe Akila arritën të kthenin Apollon në njohjen e plotë të besimit. Ai ishte një jude nga Aleksandria, elokuent dhe studiues i Shkrimit të Shenjtë, që kishte njohur mësimin e krishterë, por që nuk njihte Pagëzimin e Jisuit.

Priskila dhe Akila shkuan në Romë rreth vitit 58 dhe e ofruan përsëri shtëpinë e tyre për ta përdorur si kishë. Më vonë u kthyen në Efes dhe jetonin atje kur shën Pavli, duke shkruar nga Roma si i burgosur i Krishtit për herë të dytë, i kërkoi nxënësit të tij, Timotheut, episkopit të Efesit, t’u jepte atyre përshëndetjet e tij (2Tim. 4:19). Ka shumë gjasa që e përfunduan jetën e tyre si martirë në Efes, ku paganët u prenë kokën.

* * * * *

Oshënar Martiniani.

 

Oshënar Martiniani lindi në Qesari të Palestinës dhe jetoi në fund të shekullit të 4-t. Duke e dashur Perëndinë më tepër se çdo gjë tjetër, bëri një jetë asketike në malin e quajtur Kivoto, të banuar prej asketësh të shenjtë, të njohur si Vendi i Arkës. Për 25 vjet, ia përkushtoi jetën e tij mundimeve për të fituar virtytin dhe kështu fitoi fuqinë për të bërë mrekulli. Djalli, ngaqë kishte xhelozi për virtytin e tij, u përpoq ta shpërqendronte në lutje, duke bërë zhurmë dhe duke iu shfaqur në mënyra të ndryshme, apo edhe duke i nxitur mendime të këqija. Por shenjtori mbeti i patundur në qëndrimin e tij dhe plot me besim në ndihmën e Perëndisë.

Zoia, një grua me jetë imorale, kur dëgjoi për jetën e fortë asketike të Martinianit, u tha miqve të saj se pastërtia morale e asketit i detyrohej faktit se ai nuk kishte pasur mundësi për ta humbur atë dhe u betua se do t’ia dilte mbanë për ta joshur. U vesh me rroba të vjetra dhe shkoi në qelinë e tij në një mbrëmje kur binte shi i rrëmbyer, duke i kërkuar ta mikpriste, që të kalonte natën tek ai. Ngaqë ndjeu dhembshuri për të dhe kishte frikë se, po ta linte përjashta, do ta hanin egërsirat, Martiniani e la gruan të hynte brenda. Ndezi zjarr dhe i dha disa hurma palme, para se të shkonte në një dhomë tjetër, ku psali himne dhe u lut pjesën më të madhe të natës, para se të shtrihej të flinte. Por e sulmuan mendime të forta trupore për gruan, saqë, edhe pse ishte errësirë, u ngrit dhe i tha asaj se duhej të largohej. Kur hapi derën e dhomës, ai pa jo më gruan lypëse të varfër, por një zonjë të re, të veshur me elegancë, që i rikujtoi atij me një buzëqeshje joshëse, se kishte edhe profetë ose apostujt që kishin qenë të martuar.

Ajo arriti të verbonte plotësisht shpirtin e asketit, që kishte luftuar për shumë vjet kundër sulmeve demoniake. Ai pranoi të mëkatonte dhe i tha asaj të priste një çast, teksa vajti për të parë, nëse kishte njerëz në horizont ose jo. Perëndia e mëshiroi dhe bëri që t’i zgjohej ndërgjegjja, duke e ndriçuar me rrezen e Hirit të Tij.

Pasi e kuptoi humnerën e frikshme ku po binte, Martiniani mori disa shkopinj, bëri një zjarr në qeli dhe u hodh mes flakëve duke thënë me vete: “A mund ta durosh dot këtë zjarr, o njeri i lig? Si mund të durosh zjarrin e përjetshëm ku do të biesh, po të prekësh atë grua?”. Pasi doli nga flakët, ai u fut përsëri mes tyre duke thënë: “Më fal, o Krishti im! Vetëm Ty të dua dhe për Ty po hedh veten time në flakë!”. Kur dëgjoi britmat e tij, gruaja rendi në qeli dhe u trondit jashtë mase kur pa vetësakrifikimin e vullnetshëm të Martinianit. Ajo u bë e krishterë dhe, pasi i hodhi të gjitha zbukurimet e saj në zjarr, ra në këmbët e shenjtorit dhe e luti t’i tregonte rrugën e pendimit. Martiniani e fali dhe e dërgoi në manastirin e Shën Paulës (26 qershor), ku jetoi për 12 vjet në një shenjtëri aq të madhe jete, saqë Perëndia i dha dhuratën e mrekullive.

Sa i takon shën Martinianit, ai u shërua nga plagët dhe pas 7 muajsh u vendos në një ishull të vogël shkëmbor, ku shpresonte se do të ishte i lirë nga tundimet. Jetoi atje për 10 vjet, në ajër të pastër, duke u ushqyer me peshqit që kapte dhe me furnizimet që i sillnin një herë në vit. Me gjithë përkujdesjen e tij për të jetuar në qetësi shpirtërore, i duhej të mësonte se nuk ka vend në botë ku njeriu të shpëtojë nga tundimet. Një natë, i ligu lëshoi një stuhi të fortë, gjatë së cilës u fundos një anije e madhe. U mbytën të gjithë pasagjerët, përveç një shërbëtoreje me bukuri të rrallë, e cila hipi mbi një copë dërrasë dhe valët e sollën deri te shkëmbi ku ndodhej Martiniani. Kur pa shenjtorin, i thirri për ndihmë. Martiniani e kuptoi se do të përballej me një tundim të ri të djallit. E armatosi veten me lutje dhe e ndihmoi vajzën të dilte në ishull. “Ne nuk mund të jetojmë të dy këtu në këtë ishull” – i tha ai vajzës.- “Ja këtu ke bukë e ujë. Për pak ditë do të vijë marinari që më sjell ushqime. Tregoji se çfarë të ka ndodhur dhe ai do të të çojë pranë njerëzve të tu”. Pastaj e mësoi të jetonte një jetë të perëndishme dhe u largua. Bëri shenjën e kryqit dhe u hodh në det. Në atë çast, u shfaqën dy delfinë, që e nxorën mbi kurrizin e tyre deri në breg.

Duke lavdëruar Perëndinë, shenjtori vendosi të jetonte si pelegrin, nga njëri vend në tjetrin, duke u mbajtur me lëmosha dhe duke iu shmangur lidhjeve me njerëzit, për t’i shpëtuar tundimit. Për 2 vjet vizitoi më tepër se 160 qytete dhe shkoi deri në Athinë, ku Perëndia i bëri të ditur se atje do të kalonte ditët e fundit të jetës. Pasi mësoi për ardhjen e tij, episkopi i bëri vizitë njeriut të Perëndisë dhe i kërkoi të lutej për të dhe grigjën e tij, kur të shkonte në Parajsë. Atje shën Martiniani dha shpirtin te Perëndia dhe mori kurorën e martirit, sepse, me dëshirën e tij, kaloi nëpër zjarr dhe ujë dhe e ruajti dëlirësinë e tij të panjollë (Ps. 65:11).

Sa i takon shërbëtores Fotini, që shpëtoi nga mbytja e anijes, ajo, duke ndjekur shembullin e Martinianit, jetoi 6 vjet në ishull, ku marinari i sillte furnizime. E veshur si burrë, bënte punë të rënda, lutej pa pushim dhe në këtë gjendje ia dha shpirtin Perëndisë në shenjtëri jete, kur ishte 25 vjeçe dhe u varros me nderime në Qesari të Palestinës.