Oshënar Meleti i Antiokisë.

 

Llambadhe e Orthodhoksisë dhe model i jetës ungjillore, njeri i paqes dhe i pajtimit, shën Meleti punoi për rivendosjen e paqes dhe të unitetit të Kishës, që ishte shkatërruar nga pasuesit e Ariosit, gjatë shekullit të 4-t, me gjithë vendimet e Sinodit të Nikeas (325).

Ai vinte nga një familje fisnike nga Melitina, në Armeninë e Poshtme, dhe shihej si një nga klerikët më të shkolluar dhe të virtytshëm. Duke qenë i zellshëm në ruajtjen e porosive të Perëndisë, u bë një enë e zgjedhur e Shpirtit të Shenjtë dhe burim mirësie, duke ofruar paqe, gëzim dhe qetësi për të gjithë ata që i afroheshin. I përulur në zemër si Davidi, i urtë si Solomoni dhe i pajisur që lartazi me autoritet të madh shpirtëror si ai i Moisiut, ai jepte mësim doktrinën e vërtetë në mënyrë të ekuilibruar dhe me gjykim të drejtë, duke e bashkuar grigjën e Kishës, që ishte e ndarë në shumë grupe. Ëmbëlsia e pamjes së tij, e çliruar dukshëm nga pasionet, dhe buzëqeshja e tij tërheqëse tregonin se ai ishte një përfaqësues autentik i së vërtetës.

Meleti u zgjodh episkop i Sebastës, pas largimit të Efstathit nga kjo detyrë më 358, por e gjeti popullin të përçarë dhe ishte e pamundur ta qeveriste, prandaj e braktisi selinë e tij. Ai shkoi në Beroea (Alepo), por vazhdoi të interesohej për çështjet e episkopatës së tij.

Pas largimit të arianistit Evdoks, Meleti u zgjodh kryepiskop i Antiokisë, i mitropolisë së Lindjes (360), që ishte katandisur në një gjendje të mjerë që nga koha e internimit të shën Efstathit (21 shkurt). Konsensusi i përgjithshëm i popullit ishte në favor të Meletit. Arianistë të ndryshëm besonin se ai do të kishte të njëjtat bindje të gabuara si ata dhe shpresonin të fitonin nëpërmjet tij të gjithë Lindjen, ndërsa orthodhoksët ishin të bindur për pastërtinë e besimit të tij. Mosmarrëveshjet u lanë përkohësisht mënjanë dhe episkopi i zgjedhur u prit në qytet si një ikonë e gjallë e Krishtit nga populli që festonte me madhështi ardhjen e tij. Madje kishin dalë për ta pritur edhe hebrenj e paganë.

Fronëzimi i tij u krye në praninë e perandorit Konstant, që ishte në anën e arianistëve. Ai i kërkoi episkopit dhe klerikëve të tjerë, që t’i shpjegonin popullit tekstin për të cilin debatohej aq shumë: “Zoti më krijoi në fillimet e rrugëve të tij, përpara veprave të tij më të lashta” (Fjal. Urt. 8:22). Kur mori fjalën pas arianistëve ekstremistë, Gjergjit dhe Akakit të Qesarisë, Meleti shpjegoi me qartësi doktrinën e vërtetë të Kishës.

Paraqitja e besimit prej tij u duartrokit me entuziazëm nga orthodhoksët dhe u prit me zemërim nga arianistët, që panë se shpresat e tyre po veniteshin. Kryedhjaku, një arianist i njohur, arriti deri në paturpësinë sa t’i mbyllte gojën me dorë kryebariut. Por, Meleti, shtriu dorën e tij përpara popullit me tre gishtërinjtë e bashkuar dhe me dy të tjerët të mbledhur, për të treguar se të Tre personat e Trinisë së Shenjtë janë të barabartë nga natyra e janë një dhe i vetmi Perëndi.

Arianistët, të zhgënjyer dhe të zemëruar, nisën menjëherë të komplotonin kundër episkopit të ri dhe arritën ta bindnin perandorin që ta internonte në Melitinë dhe ta zëvendësonte me një arianist. Por, atë e donte aq shumë populli, saqë zyrtari i ngarkuar për ta shkarkuar dhe arrestuar rrezikohej të vritej nga turma. Meleti i shpëtoi jetën duke e mbuluar me rrobën e tij, duke na dhënë një mësim zemërgjerësie ndaj kundërshtarëve. Mbështetës të shumtë udhëtuan për në Melitinë, nga vende të largëta si Armenia, për të vizituar episkopin e internuar dhe për të dëgjuar mësimin e tij. Në Antioki njerëzit i thërrisnin fëmijët me emrin e tij, e kishin pikturuar në shtëpitë e tyre dhe silleshin njësoj sikur ai të ndodhej atje i pranishëm, duke mos e pranuar kungimin me episkopin e caktuar me forcë nga autoritetet.

Kur vdekja e goditi perandorin Konstant (361), si një ndëshkim i merituar për herezinë e tij, pasuesi i tij, Julian Apostati, nxori një edikt që lejonte praktikimin e lirë të çdo feje në perandori, si një masë paraprake për të vendosur më vonë fenë e idhujve paganë. Meleti ishte tashmë i lirë të kthehej në selinë e tij, bashkë me episkopë të tjerë orthodhoksë, të internuar nga Konstanti. Populli orthodhoks rendi si një i vetëm për të puthur duart dhe këmbët e episkopit të tyre të rikthyer, si të një ikone të gjallë të Zotit dhe për të marrë bekimin e Perëndisë nga prekja e trupit të tij frymëmbajtës. Populli, vetëm duke e parë atë, i kuptonte se çfarë ishin të gjitha virtytet ungjillore dhe, kur e dëgjonte, mësonte doktrinën e pastër nga goja e tij. Megjithatë, sapo përfundoi festimi për kthimin e tij, mori vesh me hidhërim se orthodhoksët e qytetit ishin të ndarë në disa grupe.

Disa i kishin mbetur besnikë atij, ndërsa të tjerë, duke mbajtur me dashuri kujtimin e shën Efstathit dhe të ngulitur pas kanoneve të Nikeas, vinin në dyshim vlefshmërinë e një zgjedhjeje, në të cilën arianistët kishin qenë pjesë. Duke mos pranuar Meletin si episkopin legjitim, ata zgjodhën priftin Paulin. Kjo skizmë në Kishën Orthodhokse, në një kohë kur bashkëpunimi i ngushtë ishte më se i nevojshëm, zgjati 85 vjet (deri më 485) dhe e shtyu fitoren përfundimtare të orthodhoksisë mbi arianizmin. Meleti donte të punonte me dashuri të madhe me Paulinin dhe të fuqizonte popullin në besimin e vërtetë, që të përballohej siç duhej kërcënimi në rritje i persekutimit pagan nën sundimin e Julianit. Shumë shpejt, pasi e ridërgoi Meletin në internim, Apostati vdiq dhe u pasua nga orthodhoksi Joviani, i cili rithirri shenjtorin dhe episkopët e tjerë të internuar.

Kur Joviani ndërroi jetë, pasi mbretëroi vetëm 8 muaj (364) dhe në pushtet erdhi Valensi, një arianist fanatik, Meletit iu desh të merrte rrugën e internimit për herë të tretë, bashkë me rrëfyes të tjerë të besimit. Ai u tërhoq në një prej pronave të tij në kufijtë e Armenisë me Kapadokinë, ku pati mundësi të takohej shumë herë me shën Vasilin e Madh, doktrinën e të cilit e mbështeste plotësisht. Shën Vasili i Madh u bë një nga mbrojtësit më të fortë dhe më aktivë të shën Meletit, duke bërë çdo gjë që kishte në dorë, për të bindur episkopët perëndimorë që të hynin në kungim me të.

Shën Meleti la shumë nxënës besnikë në Antioki, si Diodorin, episkopin e mëvonshëm të Tarsit; Flavianin, pasuesin e tij në fronin e Antiokisë dhe, sidomos, shën Joan Gojartin, që e kishte pagëzuar dhe e kishte marrë nga dija shekullare dhe e kishte iniciuar në studimin e Shkrimit të Shenjtë, para se ta dorëzonte dhjak. Shembulli i episkopit të tyre të shenjtë dhe këshillat e asketëve që erdhën në qytet nga malet atje pranë, e ndezën më shumë zellin e popullit të Antiokisë, që u përball me trimëri me pasojat e persekutimit dhe kërcënimet e perandorit (378), derisa liria fetare u shpall nga Graciani, perandori i Perëndimit, pas Valensit. Pas kësaj Meleti mblodhi një sinod të përbërë nga 150 episkopë, i cili pohoi doktrinën e Nikeas dhe dënoi herezitë, duke shpallur unitetin e besimit të vërtetë.

Pak para ngjitjes së tij në fron, perandori besimtar, Theodhosi i Madh (379-395), pa në një vizion shën Meletin teksa e vishte me purpurin perandorak dhe i vendoste kurorën në kokë. Theodhosi vendosi t’u jepte fund ndasive të shkaktuara nga arianizmi dhe herezi të tjera, duke mbledhur një sinod ekumenik, që do të konfirmonte vendimet e Nikeas. Dërgoi njerëz që t’i sillnin shën Meletin, të cilin e priti me shumë nderime dhe e caktoi të kryesonte Sinodin e Dytë Ekumenik, që u mblodh në Konstandinopojë në maj të vitit 381.

Pasi mori aprovimin e etërve për vlefshmërinë e transferimit të shën Grigor Theologut nga Sasima për në Konstandinopojë, Meleti u sëmur dhe ia dorëzoi shpirtin e tij Perëndisë, ndërsa sinodi vazhdonte punimet. I tërë Qyteti mori pjesë në varrimin e tij, në praninë e perandorit dhe të etërve të Sinodit. Shën Grigori i Nisës vajtoi humbjen e Kishës së Antiokisë, të Sinodit dhe të mbarë Lindjes, të atij që “kishte qenë mjeku i shpirtrave, komandanti i ushtrisë së Krishtit dhe timonieri i anijes së Kishës, të kamxhikuar nga stuhia e herezive”. Lipsani i tij i shenjtë u transferua me nderime të mëdha në Antioki. Pasi u prit gjatë rrugës në të gjitha qytetet me nderimet e një fitimtari, lipsani u vendos në varrin e shën Vavilas.

* * * * *

Dëshmor i ri Kristo Kopshtari, shqiptar.

 

Shën Kristoja la Shqipërinë, vendlindjen e tij, kur ishte 40 vjeç, për të punuar si kopshtar në Konstandinopojë. Në një ditë pazari një turk u zu me të, për shkak të çmimit të produkteve që ai po shiste dhe këtë e pasoi një shkëmbim fjalësh të hidhura. Turku u hakmor duke e akuzuar Kriston se i kishte premtuar që do të konvertohej në Islam. Ai e çoi shenjtorin në gjykatë, ku 2 dëshmitarë të rremë pohuan akuzat e tij. Meqë mbeti i palëkundur në pohimin e besimit të tij te Krishti, e rrahën në shputat e këmbëve dhe e futën në burg.

Poeti i madh, i njohur dhe si njeriu i letrave Cezar Daponte (1713-1784), që më pas u bë murg athonit, u burgos edhe ai në atë kohë, për arsye politike. Me kërkesën e tij ia hoqën shenjtorit këmbët nga një morsë druri, që ia shtrëngonte fort dhe e këshilloi Kriston të hante diçka sa për të marrë veten. Por ushtari i Krishtit nuk e pranoi këtë, duke thënë: “Përse duhet të ha? Dua të vdes i uritur dhe i etur për Krishtin!”. Ai i dha Cezarit gurin ku mprehte thikat, i cili varej në rripin e tij, duke i kërkuar ta shiste dhe, me paratë që do të merrte, të bënte disa Liturgji në kujtim të tij. Shenjtorit ia prenë kokën po atë ditë, më 12 shkurt 1748.