Një nga punëtorët e vyer të Kishës sonë, atë Spiridhon Simandiri, fjeti më Zotin, para pak ditësh. Ceremonia e përcjelljes së tij u bë nga kisha e Analipsit në Pire, të martën, 29 dhjetor 2009.
 
    Atë Spiridhon Simandiri lindi më 17 korrik 1927, në Pire. U dorëzua dhjak në nëntor 1989 nga Mitropoliti i Sidhirokastros Joani (+), dhe pas pak ditësh u dorëzua në gradën e priftit në ishullin e Tinos. Profesioni tij i mëparshëm ishte jurist në karrierë. Me dëshirë hierapostolike atë Spiridhoni ofroi të gjitha mundësitë dhe dhuntitë e tij në Greqi, në Afrikë dhe në veçanti këtu në Shqipëri.

    Atë Spiridhoni, ndonëse në moshë të thyer, ishte ndër bashkëpunëtorët e parë që ndoqi nga pas Kryepiskopin Anastas, në gjithë përpjekjen kolosale për ringjalljen dhe zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Fjalëpakë dhe punëtor i paepur, i pakursyer në sakrifica, duke mos llogaritur lodhjet fizike dhe shpirtërore në përballimin e vështirësive, atë Spiridhoni kontribuoi në mënyrë të veçantë në përpjekjen thuajse njëzetvjeçare në Shqipëri. Sidomos ishte e vyer puna e palodhur që bëri atë Spiridhoni në atë sektor aq të vështirë, por të domosdoshëm, të ringritjes së infrastrukturës së objekteve të adhurimit dhe atyre të administrimit e shkollimit.

    Ishte dashuria për Perëndinë, besimi i thellë se edhe në këtë vend aq të vuajtur nga persekutimi mund të rilindte shpresa, bindja e thellë dhe respekti i veçantë për personin e Kryepiskopit Anastas, elementë nxitës të cilët bënë që atë Spiridhoni të vazhdonte deri në momentet e fundit para ndarjes nga jeta të ishte punëtor i heshtur i Ungjillit.

    Shumicën e besimtarëve edhe në fshatrat më të largëta dhe të izoluara, edhe në situatat më të vështira dhe konfliktuale në Shqipëri, e kanë njohur atë Spiridhonin të transportonte ndihmat dhe donacionet e dhëna apo të siguruara nga Kryepiskopi Anastas për zbutjen e pasojave sociale. Jo vetëm ndihma humanitare, por edhe në materiale apo makineri për luftimin e varfërisë dhe ngritjen e nivelit të jetesës.

    Atë Spiridhoni ishte një meshtar i qetë dhe e përjetonte misterin dhe të tërhiqte  vëmendjen në kishë kur kryente shërbesa dhe Liturgjinë Hyjnore.
 
    I kudogjendur dhe me modesti, një njeri që gjithçka vinte re dhe përpiqej me sa mundte të rregullonte aty ku gjërat nuk shkonin mbarë, ai la gjurmën e tij në gjithë këtë periudhë prej dy dhjetëvjeçarësh.
 
    Në ceremoninë e përcjelljes, ishin të pranishëm edhe Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti i Pireut, Mitropoliti i Gjirokastrës, Mitropoliti i Akaisë, Mitropoliti i Kithirës, Episkopi i Apolonisë e shumë klerikë. Kryepiskopi Anastas foli për personalitetin e të ndjerit atë Spiridhon, për besimin dhe përkushtimin e tij të thellë në Kishën e Krishtit dhe sidomos për zellin e tij për rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, besimtarët e saj, të bindur se tanimë kanë akoma një ndërmjetës në fronin e Perëndisë, do të kujtojnë gjithnjë me mirënjohje të thellë atë Spiridhonin që me devotshmëri ishte pranë tyre prej kaq vjetësh me dashuri, me sakrificë të painteres, me respekt ndaj dinjitetit human.
 
    Perëndia Triadik le të prehë shpirtin e tij me shpresë ngjalljeje!
 
Orfea Beci