E Diela XVII e Mateut, një këmbëngulje e habitshme,nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 06.02.2022 (Tekst)
“Ki mëshirë për mua, o Zot, bir i Davidit,
se vajzën time e ka pushtuar keq djalli.” v.22
Besa e gjallë është siguria e njeriut se Perëndia e do, megjithëse është mëkatar. Shembull të një bese të tillë të gjallë, na paraqet pjesa e sotme e Ungjillit, në personin e gruas Kananease. Ajo na tregon të gjithëve, të fitojmë një besë të tillë në jetën tonë.
I
Dikur Jisu Krishti shkonte në anët e Tirit e të Sidonës. Dhe ja, një grua kananease-idhujtare, doli nga ata kufij dhe filloi t’i thërriste Krishtit: “Ki mëshirë për mua, o Zot, bir i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli.” Çfarë pamje e mjerë ishte ajo, të shikosh një nënë, të thërrasë me një dhimbje të tillë dhe të lutet për vajzën e saj!… E megjithatë, Krishti nuk i dha asnjë përgjigje. Sa gjë e habitshme!
Por le të dëgjojmë komentuesin e hirshëm, që vëren: «Krishti nuk e kishte për zakon, të mos u përgjigjej pyetjeve apo lutjeve të njerëzve. Madje edhe djallit iu përgjigj në shkretëtirë. Heshtje mbajti vetëm ndaj pyetjeve, që i bënë gjykatësit dhe torturuesit e Tij të padrejtë, Kajafa dhe Pilati. Pra, përse heshti ndaj përgjërimeve të kësaj gruaje të mjerë? Çfarë bëri, që sytë e atyre të cilët nuk shikonin, të hapen e të shohin ato që shikonte Ai? I dha asaj gruaje mundësinë ta tregojë në mënyrë më shprehëse besën e saj, që ta shikojnë këtë besë të gjithë shoqëruesit e Tij.
Ndoshta shumë mund të skandalizoheshin, por ajo nuk u skandalizua. Dhe kur nxënësit e Tij iu afruan dhe i thanë: “Plotësoja kërkesën, që të largohet, sepse na vjen pas duke bërtitur”, Krishti u përgjigj: “Unë erdha në botë për delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Atëherë, gruaja, që i dëgjoi të gjitha këto, mos ndoshta heshti dhe u largua? Apo mos vallë u pakësua vrulli i saj? Sigurisht që jo. Tani u bë më e vrullshme. Sepse deri tani nuk guxonte t’i dalë përpara Zotit, por thërriste nga mbrapa. Dhe tani, që normalisht duhej të largohej, i vjen më afër dhe i falet duke thënë: “O Zot më ndihmo!»
Dhe shën Joan Gojarti vëren me të drejtë: «-Çfarë bën o grua? Ke më shumë guxim se Apostujt? Ke fuqi më të madhe? -Guxim dhe fuqi, thotë ajo, nuk kam aspak; përkundrazi, jam e mbushur me mjerim. Por këtë mjerim, po e paraqes përpara Tij, në vend të lutjes. Nuk do të ma hedhë poshtë këmbënguljen time.
Dhe çfarë bën Krishti, pra? -vazhdon ati i hirshëm- Nuk u mjaftua me ato që i bëri deri tani, por e vazhdon me tej ofendimin duke i thënë: Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve -izraelitëve- e t’ua hedhësh qeneve -idhujtarëve-. Sa më shumë ajo e shtonte përgjërimin e saj, aq më shumë Krishti shtonte mohimin e Tij dhe e quan këlysh.
Por çfarë bën gruaja? Me fjalët e Krishtit, thur mbrojtjen e saj. Nëse jam këlysh, thotë, nuk do hidhem tej. Pikërisht ngaqë jam këlysh, prandaj kam edhe unë pjesë në ushqimin e fëmijëve, -thërrimet.
E pe gatishmërinë e saj? E pe këmbënguljen e saj? E pe përulësinë e saj? Prandaj vononte Krishti, sepse e dinte se do të fliste kështu. Prandaj ia mohonte dhuratën, që të shfaqë shprestarinë e saj. Tani, pra, i thotë: “O grua, i madh është besimi yt!” Pikërisht prandaj anulonte t’i jepte atë që kërkonte, që të thërrasë me zë të madh këtë fjalë, që ta kurorëzojë atë grua. “Le të bëhet pra, ashtu siç dëshiron”. “Në atë çast vajza e saj u shërua.”»
«Zoti Jisu Krisht nuk donte t’i mësonte vetëm me fjalë nxënësit e Tij, por edhe me shembuj të gjallë nga jeta», vëren komentuesi i hirshëm. Dhe vazhdon: «Apostujt e kuptuan këtë mësim dhe e përvetësuan, ndoshta jo menjëherë, por më vonë.»
II
Shumë herë ndodh që, Perëndia i tërëmirë, të heshtë ndaj përgjërimeve tona, për një kohë të shkurtër apo të gjatë. «O Zot, lutet nëna e varfër, shiko djalin tim, po e djeg temperatura, po shuhet, dhe bashkë me të po shkrij edhe unë.»
«Ki mëshirë, o Zot! Kalojnë ditët dhe asnjë përgjigje. O Perëndia im, biri im mori një rrugë të keqe, vajton një nënë tjetër. U ngatërrua me shoqëri të këqija, gdhihet, pi, mëkaton. Është djallëzuar keq, ndihmomë! U turbullua mendja ime dhe zemra ime po plas.»
«Krishti im, e shikon varfërinë time, belbëzon kryefamiljari që lufton me jetën. Thuamë, çfarë do të bëhet? Nxirrmë nga udha pa krye. Nuk të kërkoj pallate. Bukën dhe veshmbathjet e fëmijëve të mi, po të kërkoj.»
Kalojnë ditët dhe Perëndia hesht. Çfarë duhet të bëjmë në këto rrethana? Le të kujtojmë historinë e Kananeases. Durimin dhe këmbënguljen e saj. Le të mos harrojmë, se nuk u përball vetëm me heshtjen e Zotit. U përball edhe me një mohim të çuditshëm, të cilin nuk e priste. Ndonjëherë ndodh e njëjta gjë edhe me ne. Ndërkohë që lutemi, i shikojmë gjërat të mos korrigjohen apo të zhvillohen për më keq. Dhe habitemi. Dhe tronditemi dhe dëshpërohemi. “Nuk na dëgjon Perëndia, na braktisi”, pëshpërisim të dëshpëruar.
Jo vëllai im, mos e vër re djallin i cili murmurit: “Pusho, mos u lodh, nuk interesohet Perëndia për ty”. Kujto gruan e sotme. Dhe ajo nuk ishte ndonjë e shenjtë, dhe as i përkiste populli të Perëndisë. Megjithatë, në fund u dëgjua. Vazhdo, vazhdo lutjen tënde. Sa më e rëndë bëhet barra, aq më këmbëngulëse le të bëhet edhe lutja jonë. Edhe më tepër, le të përpiqemi me më shumë përulësi, t’i afrohemi Krishtit.
Dhe këtu, Kananeasja na jep një shembull të mrekullueshëm. Duke parë se nuk dëgjohet, e bën më shpresëtar qëndrimin e saj. Falet dhe përgjërohet me një zë më të ngrohtë. Sa e domosdoshme është të ndiejmë padenjësinë tonë, kur i drejtohemi Zotit të të gjithave.
Fatkeqësisht, disa kërkojnë nga Perëndia tu japë një gjë apo një tjetër, me një qëndrim formal, pretendues, si t’ua kishte borxh prej kohësh. Dhe kur nuk ua jep, tregojnë pakënaqësi, ankohen, inatosen dhe thonë: “Unë të shkoj përsëri në Kishë? Unë të bëj përsëri lutje?”
«Herë të panumërta iu luta Perëndisë të më ndihmojë në punën time, të dënojë atë që më bëri padrejtësi. Asnjë përgjigje nuk mora!», pretendojnë. Shpirt i varfër! Të turbulloi dhimbja; megjithëse më shumë të ka errësuar egoizmi. Pra, me një prirje të tillë pretendimi dhe inati, i afrohesh Perëndisë? Ja pra, çfarë fshihej nën lutjen tënde sipërfaqësore: Një zemër krenare, që i vendosi kushte Krijuesit të saj. Por Perëndia është shumë më lartë nga sa mund ta imagjinosh. Ka planin e Tij. Shikon më larg. Përpiqu të kuptosh çfarë do të të thotë me këtë sprovë që lejoi.
Njeriu që ka besë të vërtetë, nuk pretendon, nuk keqkupton, nuk zemërohet dhe as konsideron se është i denjë ta marrë menjëherë atë që kërkon. Sa më shumë zgjat heshtja e Zotit, aq më shumë ndien vogëlsinë dhe padenjësinë e tij. Dhe kujdeset me më tepër përulësi të kërkojë mëshirën e Perëndisë së shenjtë. Ky element i përulësisë, është karakteristikë themelore e lutjes me besë. I jep durimit tonë, diçka të hijshme dhe vendimtare që, përfundimisht, kapërcen çdo kundërshtim në dukje, nga ana e Perëndisë. Ja përse ekziston dhimbja në jetën tonë. Që të takohemi me Krishtin. Dhimbja pa Krishtin është tirani ynë. Me Krishtin bëhet vëllai ynë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Ashtu siç nuk ka as një pikë ujë deti pa kripë, kështu nuk ka asnjë njeri pa dhimbje. Të gjithë vuajmë. Secili prej nesh, në forma të ndryshme! Por, a e shfrytëzojmë dhimbjen tonë, që të takojmë Perëndinë? U tregua shkak dhimbja jonë, që të dalim nga vendi i idhujtarisë sonë dhe të ecim për në vendin e besës së Mbretërisë së Krishtit? Krishti bëri hapin e parë dhe erdhi tek ne. Kurse ne do dalim nga e shkuara jonë e mjerë, që të ecim drejtë së ardhmes sonë të përjetshme, që është Krishti. Sigurisht do të duhet të ndeshemi edhe ne me veten tonë, me ambientin që na rrethon dhe me Krishtin. Por, do të fitojmë. Na e siguroi Kananeasja trime. Ai që guxon dhe këmbëngul, fiton.
U bëftë!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 06.02.2022