– Apostulli – 1 Petro 3:10-22

 

“Sepse kush do të dojë jetë, edhe të shohë ditë të bardha, le të pushojë gjuhën e tij nga e keqja, edhe buzët e tij të mos flasin mashtrim; le të shmanget nga e liga, edhe le të bëjë mirë; le të kërkojë paqe, edhe le ta ndjekë atë. Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët, edhe veshët e tij në lutjen e tyre; po fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të liga”.

Edhe kush do t’ju bëjë keq juve, nëse i bini prapa së mirës? Po edhe nëse hiqni keq për drejtësinë, të lumur jeni, “edhe nga frika e tyre mos kini frikë, as mos u turbulloni”, po “shenjtëroni Zotin, Perëndinë” në zemrat tuaja; edhe jini gati përherë të mbroheni me butësi e me frikë ndaj cilitdo që të kërkojë prej jush arsye për shpresën që është ndër ju; duke pasur ndërgjegje të mirë, që, ndërsa, ju përflasin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Jisu Krishtin. Sepse është më mirë të pësoni duke bërë mirë, në është kështu vullneti i Perëndisë, se sa duke bërë keq.

Sepse edhe Krishti vetëm një herë pësoi për mëkatet, i drejtë për të padrejtët, që të na sjellë tek Perëndia, duke vdekur në mish, por duke u bërë i gjallë me anë të Frymës; me anë të të cilës shkoi të predikonte edhe tek frymërat që ishin në burg, të cilat nuk u bindën dikur, kur i priste zemërgjerësia e Perëndisë, në ditët e Noes, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën të paktët, domethënë tetë shpirtra shpëtuan me anë të ujit, shëmbëllesa e të cilit, pagëzimi, na shpëton tani edhe ne, – jo hedhja tej e ndyrësisë së mishit, por dëshmia e ndërgjegjes së mirë në Perëndinë, – me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit, i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë, edhe të cilit iu nënshtruan engjëjt dhe pushtetet e fuqitë.