– Apostulli – 1 Petro 2:21-3:9.

 

Sepse për këtë u thirrët, sepse edhe Krishti pësoi për ju, edhe ju la një shembull, që të ecni pas gjurmëve të tij; I cili “nuk mëkatoi, as nuk u gjet mashtrim në gojën e tij”, që kur përqeshej nuk përqeshte, kur pësonte nuk frikësonte, por jepte veten në dorën e atij që gjykon me drejtësi, që mbajti vetë mëkatet tona në trupin e tij mbi dru, që, si të vdesim në mëkatet, të rrojmë në drejtësi; “me plagët e të cilit u shëruat”. Sepse ishit “si dhen të arratisur”, po tani u kthyet te bariu dhe mbikqyrësi i shpirtrave tuaj.

Gjithashtu edhe ju gratë, ulini kryet burrave tuaj, që, edhe në mos iu bindshin disa fjalës, të fitohen pa fjalë nga sjellja e grave, pasi të shohin sjelljen tuaj të dëlirë e me frikë. Stolia juaj le të mos jetë e përjashtmja, ajo e gërshetimit të flokëve dhe e varjes së stolive të arta, ose e veshjes së rrobave, por njeriu i fshehtë i zemrës, stolisur me paprishjen e shpirtit të butë dhe të qetë, që përpara Perëndisë është shumë i çmueshëm. Sepse kështu dikur edhe gratë e shenjta, ato që shpresonin tek Perëndia, stolisnin veten e tyre, duke iu ulur kryet burrave të tyre; siç i bindej Sara Abrahamit, duke e quajtur atë zot; bija të saj jeni ju, kur bëni mirë dhe nuk trembeni nga asnjë frikësim.

Ju burrat, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e nderuar gruan si enë më të brishtë dhe si bashkëtrashëgimtare të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.

Edhe së fundi, bëhuni të gjithë në një mendje, të dhembshur, vëlladashës, përdëllimtarë, të mirësjellshëm. Mos shpaguani të keq me të keq, apo të sharë me të sharë; por përkundrazi, duke bekuar; sepse për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekim.