Oshënar Simeon Hyjpritësi, Profetesha Ana.

 

Një traditë e hershme thotë se Simeoni i shenjtë dhe i drejtë, që erdhi nga Egjipti, ishte një prej 70 judenjve të mësuar në ditët e faraonit Ptoleme Filadelfit (285-246 para Krishtit), që kishin marrë përsipër të përkthenin Dhiatën e Vjetër në greqisht. Simeonit i ishte ngarkuar të përkthente librin e profetit Isaia. Kur mbërriti në vargun e famshëm, që thotë: “Ja virgjëresha do të mbarset dhe do të lindë një djalë dhe emri i tij do të jetë Emanuel (Is. 7:14), ai ishte aq i çuditur, sa mori një brisk për të hequr fjalën “virgjëreshë” dhe për ta zëvendësuar me “grua të re”. Në atë çast, një engjëll i Perëndisë iu shfaq dhe e ndaloi, që të mos e ndryshonte tekstin e shenjtë, duke i shpjeguar se, ajo që dukej e pamundur për të, ishte në fakt një profeci e ardhjes së Birit të Perëndisë. Për ta konfirmuar këtë të vërtetë, ai i premtoi Simeonit se nuk do të vdiste derisa të shikonte dhe të prekte Mesinë e lindur nga Virgjëresha.

Pas shumë vjetësh, kur Krishti u soll në Tempullin e Jerusalemit nga Nëna e Tij e Tërëshenjtë, Shpirti i Shenjtë i zbuloi Simeonit plak se kishte mbërritur koha e përmbushjes së premtimit. Ai nxitoi në Tempull, mori Fëmijën në krahë dhe i tha Perëndisë me gjithë zemrën e tij: “Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtorin tënd në paqe sipas fjalës sate, se sytë e mi panë shpëtimin tënd” (Lluk. 2:29). Me të vërtetë, Simeoni ishte ikona e Izraelit të Dhiatës së Vjetër, i cili qëndroi në pritje për ardhjen e Mesisë dhe që tani ishte gati të largohej e t’i linte vendin dritës dhe së vërtetës së Ungjillit. Lipsani i Simeonit të drejtë dhe të shenjtë nderohej në Konstandinopojë në kishën e Shën Jakovit, të ndërtuar në kohën e perandorit Justinian.

Profetesha Ana, e bija e Fanuilit, ishte 84 vjeçe. Që nga vdekja e të shoqit, vejusha e kalonte kohën në Tempull me shpresën e ardhjes së Shpëtimtarit. Ajo është shembulli i vejushave të shenjta, i virgjëreshave dhe murgjve, që e kanë çliruar veten e tyre nga përkujdesjet e botës për të banuar gjithmonë në Tempull, duke ofruar me kreshmë, himne dhe lutje të nxehta për të pritur ardhjen e Shpëtimtarit.

Dhe kur, si Ana, ashtu edhe Simeoni, panë me sytë e zemrës Krishtin që banon brenda tyre dhe e prekën Atë me anë të shqisave të tyre shpirtërore, i shpallën me gëzim dhe siguri gjithë gjinisë njerëzore se Shpëtimtari është duke ardhur në botë si “Dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin e tij Izrael” (Lluk. 2:32).

 

 

 

* * * * *

Oshënar Nikolla i Japonisë.

 

Apostulli i Japonisë, shën Nikolla i Ri, lindi në vitin 1836 në Jegorovka, fshat i provincës së Smolenskut. I ati, dhjaku Joan Kasatkini dhe e ëma, që vdiq kur ai ishte pesë vjeç, ishin të dy të krishterë të devotshëm. Dëshira e djalit të tyre ishte të bëhej oficer ushtarak, por në shkollën e mesme aspiratat e tij u kthyen drejt misioneve të largëta, që Kisha e Rusisë po ndërmerrte në atë kohë. Fillimisht ai mendoi për Kinën, por vendosi të shkonte në Japoni, pasi lexoi një libër rreth atij vendi misterioz dhe të izoluar.

Në vitin 1860, kur ishte student në vitin e katërt të Akademisë Teologjike të Shën Petërburgut, në shkollë erdhi një qarkore e lëshuar nga Sinodi i Shenjtë, ku kërkohej një vullnetar për vendin e priftit kapelan të Konsullatës Ruse në Hakondate, Japoni. Joani e pa këtë si një shenjë nga Perëndia dhe, pasi përfundoi studimet, u qeth murg me emrin Nikolla, u dorëzua dhjak, pastaj prift dhe u nis për në Lindjen e Largët.

Në një vend me tradita e zakone që nuk kishin lidhje me Krishterimin, ku ndalohej predikimi i Krishtit, kushtet nuk ishin aspak të favorshme për ngritjen e një qendre hierapostullimi orthodhoks. Shën Nikolla mësoi japonisht, gjithmonë në rrezik për shkak të autoriteteve dhe ktheu në të krishterë priftin shintoist Savabe dhe mjekun Sakaja. Në vend të përpjekjes për shtimin e besimtarëve të krishterë, shën Nikolla ishte më shumë i shqetësuar që ata të cilët pranonin besimin të ishin të krishterë të vërtetë dhe të vendosur. I ndihmuar nga dy neofitët e rinj, ai krijoi një komunitet prej 15 besimtarësh japonezë.

Në përhapjen e besimit kishte shumë pengesa, veçanërisht për faktin se nuk kishte përkthime të teksteve të shenjta në japonisht. Për disa kohë besimtarët e krishterë u morën me një tekst të Dhiatës së Re në gjuhën kineze dhe tekstet liturgjike në japonisht u bënë të mundura vetëm gradualisht. Por, fatmirësisht, në personin e misionarit të shenjtë, ata patën shembullin e shkëlqyer të një jete në frymën e Ungjillit. Komuniteti i ri jo vetëm që u përball me paganizmin, por edhe me kodin japonez të nderit, që i shikonte porositë, si, për shembull “duaje armikun tënd”, pak a shumë si një thirrje për të qenë burracak dhe jo trim.

Në vitin 1873, pasi shën Nikolla kishte punuar në këtë në vend për 12 vjet, qeveria japoneze i dha misionit orthodhoks rus një liri më të madhe. Qendra hierapostolike u transferua në Tokio, kryeqyteti i ri i vendit dhe, falë predikimit të zjarrtë të arkimandritit të shenjtë, numri i besimtarëve shumë shpejt arriti në një mijë.

Në vitin 1875 u dorëzua prifti i parë orthodhoks japonez dhe, pas 10 vjetësh, shën Nikolla u dorëzua episkopi i parë i Japonisë. Edhe pse u përball me vështirësi, ai arriti të ndërtonte katedralen e mrekullueshme në qendër të Tokios: shtëpia e Nikollës, siç e quajti populli. Me zellin e tij ai fitoi admirimin e shën Joanit të Kronshtadit (20 dhjetor) dhe kështu krijoi shkollën për mësimin e katikumenëve dhe të besimtarëve. Në vitin 1878 hapi kolegjin teologjik për trajnimin e klerit vendas japonez. Përveç teologjisë, aty mësohej edhe japonisht, kinezçe dhe rusisht, duke pasur si synim përkthimin e të gjitha teksteve të shenjta të nevojshme për jetën e krishterë. Edhe pse shën Nikolla ushtroi në Kishën e tij të re jo vetëm besimin, por edhe zakonet liturgjike të Kishës Ruse, ai kishte si plan të tijin ngritjen e një Kishe lokale, që do të përdorte gjuhën japoneze dhe që do të ishte pjesë e pandarë e popullit japonez.

Në vitin 1905, me shpërthimin e luftës ruso-japoneze, shën Nikolla dha prova si të dashurisë për grigjën e tij, ashtu edhe të dallimit të tij: ai i dha klerit lejen që të kryenin shërbesa për fitoren e ushtrisë japoneze, ndërsa vetë nuk mori pjesë në to, sepse e kishte të pamundur të lutej për disfatën e vendit të tij. Kështu, në këtë vend të largët, të quajtur në mënyrë profetike “Vendi ku dielli lind”, falë mundit të shën Nikollës u shfaqën rrezet e para të agimit të Diellit të Drejtësisë, të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Kur kryepiskopi i shenjtë fjeti në Zotin, më 3 shkurt 1912, të krishterët orthodhoksë e nderuan pa hezitim si një shenjtor të barabartë me apostujt dhe varri i tij u kthye në vend pelegrinazhi dhe burim hiri për Kishën Orthodhokse të Japonisë.