– Apostulli – Hebrenjve 7:7-17.

 

Edhe pa asnjë kundërshtim më i vogli bekohet nga më i madhi. Edhe këtu njerëz të vdekshëm marrin të dhjeta; po atje merr të dhjeta ai që dëshmohet se rron. Edhe që të them kështu, me anë të Abrahamit edhe Leviu, që merr të dhjeta, dha të dhjeta. Sepse ishte ende në mesin e të atit, kur e takoi Melkisedeku atë.

Po të ishte pra përsosmëria me anë të priftërisë Levitike, sepse populli mbi atë mori ligjin, ç’nevojë ishte pra të ngrihet tjetër prift sipas urdhërit të Melkisedekut, e të mos thuhet më sipas urdhërit të Aronit? Sepse kur ndërrohet priftëria, nga nevoja bëhet edhe ndërrim ligji. Sepse ai, për të cilin thuhen këto, ishte prej tjetër fisi, prej të cilit asnjë s’i qe afruar therores. Sepse është e ditur që Zoti ynë lindi nga Juda, fis për të cilën Moisiu nuk foli asgjë për priftëri.

Por është edhe shumë më tepër e qartë, nëse sipas shembëllimit të Melkisedekut ngrihet tjetër prift, i cili nuk u bë sipas ligjit të urdhërimit të mishit, por sipas fuqisë të jetës pambarim. Sepse ai dëshmon, duke thënë: “Se ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut”.