– Apostulli – Romakëve 8:28-39.
Edhe e dimë se të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që duan Perëndinë, atyre që janë thirrur sipas vullnetit të tij. Sepse sa njohu që përpara, këta edhe i ndau që përpara që të jenë të njëjtë nga forma me fytyrën e Birit të tij, që të jetë ai i parëlindur ndër shumë vëllezër. Edhe sa ndau që përpara, këta edhe i thirri; edhe sa thirri, këta edhe i drejtësoi; edhe sa drejtësoi, këta edhe i lavdëroi.
Ç’të themi pra për këto? Nëse është Perëndia bashkë me ne, kush do të jetë kundër nesh? Sepse ai që nuk kurseu Birin e tij, po e dorëzoi për të gjithë ne, si nuk do të na i falë ne të gjitha bashkë me atë? Cili do të padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që drejtëson. Cili do të jetë ai që dënon? Krishti është ai që vdiq, po edhe më tepër ai që u ngjall, i cili edhe është në të djathtë të Perëndisë, i cili edhe ndërmjeton për ne. Cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngim, apo vështirësi, apo vdekje, apo zi, apo lakuriqësi, apo rrezik, apo thikë? Siç është shkruar: “Se për ty vritemi gjithë ditën; u numëruam porsi dhen për të therur”.
Po në gjithë këto ne dalim më tepër se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse më është mbushur mendja se as vdekje, as jetë, as engjëj, as pushtete, as fuqira, as ato që janë tani, as ato që do të vijnë, as lartësi, as thellësi, as ndonjë gjë tjetër e krijuar nuk do të mundë të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jisu Krishtin, Zotin tonë.