Tre Hierarkët, “Ju jeni drita e botës” , nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 30 Janar 2022. (Tekst)
Modele të përjetshme, kandila gjithëndriçues, diej rrezatues, yje të paperënduar, që ndriçojnë qiellin shpirtëror të Kishës dhe tërë botës, tre yjet e mëdhenj të Hyjnisë së Tridiellshme, “Vasili i Madh dhe Grigor Teologu bashk’ me Joanin e lavdëruar me gojën e fjalëartëshme”. Megjithëse secili prej tyre ka të kremten e vet -Vasili i Madh më 1 Janar, Grigor Teologu në 25 Janar dhe Joan Gojarti më 13 Nëntor- i kremtojmë së bashku, sot, sepse kanë shumë karakteristika të përbashkëta.
* * *
Së pari, që të tre janë fryte familjesh shpresëtare; që të tre janë lastarë nënash të shenjta, që ia kushtuan tërë jetën rritjes dhe edukimit më Krishtin të bijve të tyre. Vasili i Emelias, Grigori i Nonës dhe Gojarti i Anthusës. Pohohet nga të gjithë se nëna lëviz djepin e kulturës.
Së dyti, që të tre, përveç arsimit të përgjithshëm, studiuan edhe oratorët dhe filozofët e lashtë. Shën Vasili dhe shën Grigori studiuan në Athinë, dhe shën Joani në Antioki, e cila quhej “Athina e Sirisë”, pranë mësuesve të famshëm të kombeve, si: Livani, Andragathi dhe Proeresi.
Që të tre ishin modele studenti të virtytshëm, dhe fitonin jo vetëm admirimin e bashkëstudentëve, por edhe të pedagogëve të tyre. Kur shën Joan Gojarti mbrojti temën e diplomës në oratori, pedagogu i tij i famshëm, Livani, i shtangur, u ngrit nga katedra e tij dhe, me gjithë shqisat e tij të tendosura, admiroi Joanin, oratorin e madh.
Që të treve iu ofruan poste të lakmueshme nga bota. Madje shën Joanit, Livani i lutej të marrë përsipër drejtimin e shkollës, por që të tre përbuzën lavdinë e botës dhe katedrat universitare, dhe ndoqën jetën e qetë të shkretëtirës dhe të vetmisë. Shën Vasili dhe shën Grigori jetuan në vetmi, për shumë vite, në shkretëtirën e Pondit të Azisë së Vogël, dhe Joan Gojarti jetoi vetminë në shtëpinë e vet, të cilën e kishte shndërruar në një qeli të vërtetë asketike.
Që të tre, me draprin e filozofisë së vjetër helene, hynë në luadhin e Shkrimeve të Shenjta dhe korrën lulet aromatike të mësimdhënies hyjnore dhe, të veshur me fjalën helene, ia ofruan botës si aromë të vërtetë dhe për qetësi shpirtërore.
Tre yjet e shndritshëm bashkuan një fenomen të rrallë në histori: bashkuan njëkohësisht urtësinë me virtytin, teorinë me praktikën, shenjtërinë me veprimtarinë. Vërtetuan fjalën e Platonit të urtë, i cili tha: “Çdo shkencë dhe çdo dije, që ndahet nga virtyti, është dinakëri. Urtësia, e bashkuar me shenjtërinë, tregon personalitetin e vërtetë”.
Që të tre u ngjitën në gradën më të lartë të priftërisë, duke u hirotonisur episkopë.
Që të tre Hierarkët konkurrojnë në krijime veprash, në të cilat tregohet përkushtimi i tyre ndaj frymës së Krishtërimit; si shën Vasili i Madh, që, në sektorin e organizimit sistematik të filantropisë, u dallua si i pakonkurrueshëm dhe iniciator në filantropinë shoqërore. Ndërkohë që vetë jetoi një jetë shumë të thjeshtë dhe asketike.
Shën Vasili, kryepiskop i qytetit të madh të Qesarisë së Kapadokisë dhe shën Grigori e shën Joani kryepiskopë të Konstandinopojës, i vunë të gjitha në dispozicion për qetësimin e dhimbjes dhe mjerimit. Ngritën institucione për kujdesin e të varfërve, të jetimëve, të sëmurëve dhe të moshuarve. Shkollat e sotme profesionale, shën Vasili i Madh, i kishte hapur që në shekullin e katërt pas Krishtit.
Njihnin filozofinë, fizikën, matematikën, astronominë dhe mjekësinë. Dinin në mënyrë të përsosur artin e oratorisë. Shën Joan Gojarti, tërhiqte turmat e njerëzve, me fjalët e tij mjaltërrjedhëse, dhe nga entuziazmi i tyre, e duartrokisnin edhe brenda tempullit. Shën Grigor Teologu habiste dëgjuesit, të cilët shtrëngoheshin vazhdimisht sa rrezikonin të thyenin parmakun e hekurt të kishës së shën Anastasisë në Konstandinopojë.
Që të tre, të urtë e të shenjtë, ishin modele të ndritshëm, udhëheqës të çmueshëm. Shkrimet e tyre janë të mbushura me filozofi, teologji, psikologji, madje, dhe astronomi. Veprimtaria shoqërore ishte aq e madhe, sa që zgjidhi, në atë epokë, problemin shoqëror të krahinës së tyre. Shenjtëria e tyre çudit dhe frymëzon shenjtorët e tërë shekujve.
* * *
Njeriu, përherë, kërkonte dhe kërkon të ketë modele në jetën e tij. Në epokën e Homerit, kishte model guximin, trimërinë. Në epokën e Platonit, urtësinë. Në epokën e Bizantit, shenjtërinë. Sot, ka modele atletë, dëfrime shqisore dhe kryengritje. Nuk do t’i gjykojmë në këtë moment. Do të theksojmë vetëm se kalojmë një krizë idesh, vlerash, institucionesh dhe themelesh.
Tre Hierarkët na thërrasin: Nëse dëshirojmë të dalim nga kriza, të bëjmë vepra të mëdha dhe të bëhemi drita e botës, duhet të bëhemi të krishterë të saktë. Të vijmë pranë Perëndisë dhe pranë njeriut.
Po ne sot, si e perceptojmë detyrën tonë për shërimin e nevojave të njerëzimit? Dhe, ndërsa do të duhej të shfaqeshim me dëshira të gjalla, që të dalim nga anomalia shoqërore -siç e quan shën Joan Gojarti mjerimin e sotëm- jo vetëm nuk ofrojmë mjetet për shërimin e saj, por kthehemi tek interesat tona.
Kuptimi i pjesëmarrjes sonë në mjerimin shoqëror, ka si kusht bujarinë, shoqërinë dhe largimin nga lakmia dhe grumbullimi i parasë, në mënyrë të paligjshme. Pjesëmarrje në mjerim nuk do të thotë vetëm dhënia e pak parave, në shpërpjesëtim me bollëkun e atij që jep, por pjesëmarrje e sinqertë, shfaqje simpatie dhe interesim për ecurinë e mëtejshme. Pjesëmarrje në fatkeqësi do të thotë interesim për të varfrit, vizita tek të sëmurët, mbështetje ekonomike për ngritjen e institucioneve bamirëse, punësim i të papunëve.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
E kremtja e tre Hierarkëve nuk është vetëm një e kremte e arsimit, dijes dhe shkencës, por e të gjithë të krishterëve, të cilët përulen dhe preken për nismëtarët e shërimeve të plagëve shoqërore. Këtë shembull të tyre, që, fjalët dhe nxitjet i kthyen në vepra, le ta ndjekim edhe ne. Jo vetëm me fjalë të shëndosha, por me vepra bamirësie, dashurie, vëllazërie, për gëzimin e të gjithëve dhe për lavdinë e emrit të shenjtë të Zotit tonë Jisu Krisht, përdëllimi i madh i të Cilit qoftë mbi ne të gjithë. Amin!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI