TRE HIERARKËT: VASILI I MADH, GRIGOR THEOLOGU, JOAN GOJARTI.

Nën sundimin e perandorit Aleks Komneni (1081-1118), në Konstandinopojë shpërtheu një grindje, e cila ndau njerëzit që njihnin besimin dhe të zellshmit në virtyt në lidhje me tre shenjtorët hierarkë dhe Etër të Kishës: Vasili i Madh, Grigor Theologu dhe Joan Gojarti. Disa parapëlqenin shën Vasilin, sepse dinte të shpjegonte misteret e natyrës si asnjë tjetër dhe u lartësua në rangun e engjëjve, për shkak të virtyteve. Organizator i murgërisë, udhëheqës i mbarë Kishës në luftën kundër herezisë, bari i rreptë dhe kërkues për sa i përket pastërtisë së zakoneve, tek ai nuk kishte asgjë tokësore dhe të ulët. Prandaj, thoshin ata, ai qëndronte më lart se shën Joan Gojarti, i cili, nga natyra, e kishte më të lehtë t’i falte mëkatarët.

Të tjerë, duke mbajtur anën e kryepiskopit të famshëm të Konstandinopojës, thoshin se shën Joan Gojarti nuk ishte më pak i zellshëm se shën Vasili në luftën kundër veseve, që t’i sillte mëkatarët në pendim dhe ta ngrinte tërë popullin në përsosmërinë engjëllore. I paarritshëm për nga oratoria, ky bari me “gojë të artë” e ujiti Kishën me një lumë të vërtetë ligjëratash, në të cilat interpretoi fjalën e Perëndisë dhe tregoi se si ta zbatojmë në jetën e përditshme, me art më të lartë retorik, krahasuar me dy Mësuesit e tjerë të shenjtë.

Një grupim i tretë pohonin se shën Grigor Theologu qëndronte më lart, për shkak të madhështisë, pastërtisë dhe thellësisë së gjuhës. Duke zotëruar në shkallën më të lartë urtësinë dhe oratorinë greke, ata thoshin se shenjti kishte arritur atë shkallë soditjeje të Perëndisë, sa askush si ai nuk dinte ta shprehte me aq përsosmëri dogmën e Trinisë së Shenjtë.

Mbrojtja e Etërve në këtë mënyrë, solli përçarje në popullin e krishterë të Konstandinopojës dhe, në vend që të favorizonte përkushtimin ndaj shenjtorëve, ajo shkaktonte trazira, mosmarrëveshje, zënka pa fund mes tri grupeve. Por një natë, të tre shenjtët hierarkë iu shfaqën në ëndërr shën Joan Mavropit, mitropolitit të Efkaitës (5 tetor), në fillim veç e veç, pastaj të tre së bashku, dhe me një zë thirrën: “Siç e shikon, që të tre jemi pranë Perëndisë dhe asnjë grindje apo rivalitet nuk na ndan. Çdonjëri nga ne, sipas rrethanave dhe sipas frymëzimit që mori nga Shpirti i Shenjtë, shkroi dhe mësoi atë që nevojitej për shpëtimin e njerëzve. Nuk ka as të parë, as të dytë, as të tretë mes nesh; dhe nëse i lutesh njërit nga ne, menjëherë dy të tjerët janë të pranishëm me të. Jepu urdhër atyre që grinden që të mos krijojnë përçarje në Kishë për shkakun tonë, sepse, kur ishim në tokë, u përpoqëm të vendosnim unitetin dhe mirëkuptimin në botë. Pastaj mblidhi në një festë të vetme të tria kujtimet dhe kompozo shërbesën, duke futur në të himnet që janë kushtuar në secilën prej tyre, sipas artit dhe shkencës që Perëndia të ka dhënë dhe jepua të krishterëve, duke i porositur ta kremtojnë çdo vit. Nëse na nderojnë kështu, si të ishim një pranë Perëndisë dhe në Perëndinë, u premtojmë se do të ndërmjetësojmë në lutjen tonë të përbashkët për shpëtimin e tyre”. Me këto fjalë, shenjtorët u rrëmbyen në qiell në dritë të pafundme, duke iu drejtuar njëri-tjetrit me emrat e tyre.

Pa humbur kohë, shën Joani mblodhi popullin dhe u kumtoi këtë zbulesë. Duke qenë i respektuar nga të gjithë për virtytin dhe i admiruar nga fuqia dhe oratoria që kishte, të tria grupet gjetën paqen dhe të gjithë e nxitën shenjtin të hartonte shërbesën e festës së përbashkët. Plot dallueshmëri, ai zgjodhi datën 30 janar që t’u kushtonte festën, si për të vulosur këtë muaj, përgjatë të cilit kremtohet secili nga të tre hierarkët (më 1, shën Vasili; më 25, shën Grigor Theologu; më 27, transferimi i lipsaneve të shën Joan Gojartit).

Sikurse e tregojnë edhe shumë tropare të kësaj shërbese të mrekullueshme, të tre Hierarkët trinia tokësore të ndryshëm si persona, por të bashkuar nga Hiri i Perëndisë, na kanë mësuar, si me shkrimet, edhe me jetën e tyre, të adhurojmë dhe të lavdërojmë Trininë e Shenjtë, Perëndinë e vetëm në Tre Persona. Këta tre yje të Kishës, shpërndanë kudo në botë dritën e besës së vërtetë, duke shpërfillur rreziqet dhe persekutimet dhe na lanë neve, pasardhësve të tyre, këtë trashëgimi të shenjtë, me anë të së cilës mund të arrijmë në lumurinë supreme dhe në jetën e amshuar në prani të Perëndisë, me gjithë shenjtorët.

Duke e mbyllur muajin janar, gjatë të cilit kremtuam kujtimin e shumë hierarkëve të lavdishëm, konfesorë dhe asketë, me të kremten e përbashkët të tre hierarkëve të mëdhenj, Kisha përmbledh në njëfarë mënyre kujtimin e të gjithë shenjtorëve që dëshmuan për besën orthodhokse me shkrimet dhe jetën e tyre. Me këtë të kremte nderojmë gjithë mësimdhënien, ndriçimin e mendjeve dhe të zemrave të besnikëve me anë të fjalës. E kremtja e Tre Hierarkëve është, pra, kujtimi i gjithë Etërve të Kishës, të këtyre modeleve të përsosmërisë ungjillore, që Shpirti i Shenjtë i spikati nga një epokë në tjetrën, nga një vend në tjetrin, që të jenë sërish profetë dhe apostuj të rinj, udhëheqës shpirtrash për në Qiell, ngushëllues të popullit dhe shtylla të zjarrta lutjeje, që e mbështetin Kishën dhe e forcojnë në të vërtetën.

* * * * *

DËSHMOR THEOFILI I RI.

Shën Theofili u lind dhe u rrit në Konstandinopojë gjatë sundimit të perandorit Konstandin VI dhe nënës së tij Irini, regjente e fronit (rreth vitit 780). Në moshë të pjekur u bë qeveritar ushtarak i temës (rajon ushtarak) i Kibiriotëve (Azi e Vogël, Atalia) dhe u ngarkua të drejtonte një ekspeditë detare kundër saraçenëve, të cilët po kërcënonin Perandorinë Bizantine.

Kur u ndesh ballë për ballë me flotën saraçene, duke llogaritur se kishte mbështetjen e dy admiralëve bizantinë që e shoqëronin, u lëshua me anijen e tij mes armiqve më të shumtë në numër. Të dy admiralët, të cilët e kishin smirë shenjtin, përfituan nga rasti për t’u hakmarrë dhe u arratisën duke e lënë në duart e armikut. Theofilin e kapën të gjallë, e burgosën për 4 vjet dhe në fund i prenë kokën, pasi refuzoi të mohonte Krishtin, kur ishte në një festë myslimane.