TRANSFERIMI I LIPSANIT TË JOAN GOJARTIT.

Pas vdekjes së atit tonë të shenjtë e të lavdishëm Joan Gojarti, i internuar në Komana të Kapadokisë, trupi i tij u vendos me ata të martirëve të shenjtë Vasilisku dhe Lukiani, ashtu sikurse këta të fundit ia kishin zbuluar në ëndërr. Një vit më vonë (408), vdiqën perandori Arkad dhe gruaja e tij Evdhoksia, e cila ishte përgjegjëse për internimin e shenjtit, pas tyre erdhi Theodhosi i Ri. Pak nga pak u vendosën në fronet e tyre përkrahësit e shenjtit, të cilët ishin internuar, por disa episkopë keqdashës, të nxitur nga Theofili i Aleksandrisë, vazhduan ta përndiqnin kujtimin e tij me urrejtje. Përçarja vijoi deri në zgjedhjen e shën Proklit në fronin e Konstandinopojës (434).

Vitin e katërt të baritimit të tij episkopal, ai arriti ta bindte perandorin që të transferonte solemnisht lipsanet e shenjtit nga Komana në Konstandinopojë (438). Por ati ynë shën Joan, i cili jetonte nëpërmjet Hirit të Shpirtit të Shenjtë dhe gjithnjë i kujdesshëm për t’i ngulitur sovranit idenë e pendimit dhe të përulësisë, nuk pranoi ta zhvendosnin trupin e tij. Të gjitha përpjekjet e ushtarëve dhe të të dërguarve të perandorit ishin të kota. Arkivoli i tij dukej sikur ishte ngjitur në tokë. Perandori Theodhos, si kuptoi mesazhin që donte të thoshte kjo ngjarje, i shkroi një letër shën Joanit, në të cilën i kërkonte të falur me përulësi për persekutimin që i ati kishte ndërmarrë kundër tij dhe e luti të kthehej në qytetin perandorak, që të gëzonte zemrat e atyre që e prisnin prej vitesh. Kur letra u vendos mbi kraharorin e shenjtit, sakaq arkivoli lejoi të zhvendosej pa mundim deri në Konstandinopojë.

Kur kortezhi arriti në Kalqedoni, populli e kishte mbushur pjesën e detit që e ndan nga kryeqyteti, me anije të zbukuruara me pishtarë; dukej sikur uji ishte shndërruar në tokë të fortë. Por, kur trupi i shenjtit po kalonte në atë pjesë, një furtunë e papritur shpërndau flotën dhe anija perandorake, ku ishte vendosur lipsani i çmuar, do të përfundonte shumë pranë pronës së një vejushe me emrin Kalitropi, të cilën perandoresha Evdhoksia kishte dashur t’ia konfiskonte padrejtësisht dhe që ishte bërë shkak i internimit të fundit të shenjtit. Fusha iu kthye vejushës dhe deti u qetësua menjëherë.

Perandori Theodhos erdhi vetë për ta takuar shenjtin, i ndjekur pas nga i gjithë senati. U përkul thellë, duke vendosur fytyrën mbi arkën e lipsanit, dhe e luti ta falte për mëkatet e bëra kundër tij dhe besnikëve të tij.

Fillimisht, lipsani u vendos në kishën e apostullit Thoma, në lagjen e Amantionit, ku ndaloi dridhjet e tokës, që tronditnin që prej 20 vjetësh varrin e Evdhoksisë. Pastaj e transferuan në kishën e Shën Irinit, ku e vendosën shenjtin mbi fronin episkopal, ndërkohë që populli thërriste i ngazëlluar: “Merr fronin tënd, o shenjt!”. Përfundimisht, kortezhi u kthye në kishën e Apostujve të Shenjtë, vendi ku ishin varrosur perandorët dhe patriarkët; dhe, kur e vendosën edhe atje në fron, zëri i shenjtit u dëgjua duke thënë: “Paqe të gjithëve!”. Lipsanin e shenjtë e vunë nën shenjtërore dhe, gjatë kohës së Liturgjisë, u kryen shumë mrekulli. Që atëherë, lipsani i shën Joan Gojartit u shpërnda në botë dhe shenjtori nuk resht së shfaquri praninë e tij atërore e mirëbërëse.

* * * * *

DËSHMOR I RI DHIMITRI.

Dhimitri, i riu 25-vjeçar, me trup të bukur dhe i sjellshëm, shërbente si arkëtar në një tavernë në Galatë, lagje në Konstandinopojë. Disa lazikë të ashpër e të dhunshëm, të cilët frekuentonin këtë vend, ishin përpjekur shpesh ta kthenin në besimin e tyre. Një ditë, ndërsa ishin të dehur, filluan të ziheshin, dhe njëri prej tyre u godit me thikë. Dhimitri me kolegët ndërhynë, i ndanë dhe i përzunë, urdhëresa e sulltanit u jepte të drejtë kamerierëve të ndërhynin në zënkat e klientëve të dehur, për t’i ndarë.

Të nesërmen, ata, plot zemërim, e çuan të plagosurin te veziri, duke akuzuar njëkohësisht edhe të riun e krishterë. E kapën menjëherë, dhe gjykatësi e njoftoi të zgjidhte ose Islamin, ose vdekjen. Duke mbrojtur pafajësinë e tij, Dhimitri deklaroi se ishte gati të vdiste i krishterë. U mor vendimi dhe e shpunë në vendin e ekzekutimit, por në çastin e fundit veziri urdhëroi që ta sillnin edhe një herë për ta pyetur. Tentoi më kot ta joshte me lajka e premtime, pastaj e dorëzoi tek ata që e akuzuan, të cilët e hoqën zvarrë deri te taverna ku ishin mbledhur edhe një grup i madh turqish, që ta bindnin të mohonte besën. Të gjitha këto tentativa dështuan, prandaj ia prenë kokën para tavernës.

Për net të tëra, një dritë qiellore ulej mbi trupin e shenjtë, të cilin e bleu një i krishterë për ta varrosur denjësisht. Kohë më vonë, të njëjtët njerëz që akuzuan shenjtin, të mbushur me urrejtje, shkuan për ta vrarë pronarin e tavernës, i cili ishte një i krishterë i nderuar.