APOSTULLI – Jakovi 2:14-26

Ç’dobi ka, vëllezër të mi, në thëntë ndonjë se ka besim, e vepra të mos ketë? Mos mund ta shpëtojë besimi? Në qoftë se vëllai a motra janë lakuriq, edhe u mungon ushqimi i përditshëm, edhe t’u thotë atyre ndonjë prej jush: Shkoni në paqe, ngrohuni e ngopuni; edhe të mos u jepni atyre ato që janë të nevojshme për trupin, ç’dobi ka. Kështu edhe besimi, në mos pastë vepra, është i vdekur në vetvete.

Po do të thotë ndonjë: Ti ke besim, e unë kam vepra. Tregomë besimin tënd nga veprat e tua, edhe unë do të të tregoj besimin tim nga veprat e mia. Ti beson se Perëndia është një; mirë bën; edhe demonët besojnë, edhe dridhen. Po a do të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa veprat është i vdekur?

Abrahami, ati ynë, a nuk doli i drejtë nga veprat, kur pruri Isaakun, të birin e tij, mbi theroren? A e sheh se besimi bashkëpunonte me veprat e tij, edhe besimi u bë i përsosur nga veprat? Edhe u përmbush shkrimi që thotë: “Dhe Abrahami i besoi Perëndisë, edhe iu numërua për drejtësi”, edhe u quajt “mik i Perëndisë”. A e shihni pra se njeriu del i drejtë nga veprat, e jo nga besimi vetëm?

Dhe gjithashtu edhe Rahaba, lavirja, a nuk doli e drejtë nga veprat, kur priti të dërguarit, edhe i nxori nga një tjetër udhë? Sepse siç është i vdekur trupi pa shpirt, kështu edhe besimi pa veprat është i vdekur.