UNGJILLI – Llukai 18:35-43.

Edhe ndodhi që kur ai po afrohej në Jeriko, një i verbër po rrinte pranë udhës duke lypur, edhe kur dëgjoi turmën që po kalonte, pyeste se ç’po ndodhte. Edhe i treguan se po shkon Jisu Nazaretasi.

Edhe ai thirri duke thënë: Jisu, bir i Davidit, përdëllemë. Edhe ata që shkonin përpara e qortonin që të pushojë; po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë.

Edhe Jisui qëndroi, edhe urdhëroi ta sjellin tek ai; edhe ai, si u afrua, e pyeti, duke thënë: Ç’do që të të bëj? Edhe ai tha: Zot, të shoh përsëri. Edhe Jisui i tha: Shih përsëri; besimi yt të shpëtoi.

Edhe menjëherë pa përsëri, edhe e ndiqte pas duke lavdëruar Perëndinë; edhe gjithë populli kur pa, i dha lavdi Perëndisë.