– Apostulli – Jakovi 2:1-13.
Vëllezër të mi, mos e mbani me anësi besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jisu Krishtit. Sepse po të hyjë në mbledhjen tuaj ndonjë njeri që ka unazë të artë me veshje të shkëlqyer, edhe të hyjë edhe një i varfër me rrobë të fëlliqur, edhe të hidhni sytë mbi atë që ka veshur veshjen e shkëlqyer, edhe t’i thoni atij: Ti rri më mirë këtu; edhe të varfërit t’i thoni: Ti rri atje; apo: Rri këtu nën nënkëmbësen time; a nuk bëtë në veten tuaj dallim në mes tyre, edhe a nuk u bëtë gjykatës mendimesh të liga?
Pa dëgjoni, vëllezër të mi të dashur, a nuk zgjodhi Perëndia të varfërit e botës si të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë, të cilën u ka premtuar atyre që e duan? Po ju e turpëruat të varfërin. A nuk ju mundojnë ju të pasurit, edhe ata a nuk ju zvarrisin nëpër gjykata? A nuk shajnë ata emrin e mirë, me të cilin jeni quajtur? Nëse ruani pra ligjin mbretëror, sipas Shkrimit: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”, mirë bëni. Po nëse mbani anë, bëni mëkat, edhe qortoheni nga ligji si shkelës.
Sepse ai që të ruajë gjithë ligjin dhe të mëkatojë në një, është fajtor në të gjitha. Sepse ai që tha: “Mos shkel kurorën”, tha edhe: “Mos vrit”. Po në mos shkelsh kurorën, por vret, u bëre shkelës i ligjit.
Kështu flisni edhe kështu bëni, sikur të gjykoheni prej ligjit të lirisë. Sepse gjyqi do të jetë i pamëshirshëm për atë që s’bëri përdëllim; edhe përdëllimi triumfon mbi gjyqin.