E Diela pas ujit të bekuar, dhurata dhe të dhurëtuar, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 09.01.2022 (Tekst)
“Edhe ai dha… barinj e mësonjës për formimin e shenjtorëve”
(Efes. 4:11-12)
Biri i Perëndisë, me mishërimin e tij hyjnor dhe mbi të gjitha me sakrificën e tij mbi Kryq, Ngjalljen dhe Ngjitjen në qiej, ofroi çlirimin dhe shpëtimin në gjininë njerëzore. “I shpagoi të gjitha”. Bashkoi njerëzit mëkatarë me Atin qiellor dhe themeloi Kishën e tij, që është arka e shpëtimit (Apok. 11:19) dhe “punishte shenjtorësh”.
Kishë quhet bashkimi i besimtarëve, që pohojnë besë tek Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari Krisht, që zbatojnë në jetën e tyre të gjitha ato që Ai mësoi dhe porositi, që shenjtërohen me misteret e hirshme, të rekomanduara nga Perëndia, dhe që dallohen në klerin udhëheqës dhe laikët e udhëhequr.
Për qëllimin e ndërtimit tonë shpirtëror, Krishti, mori masa, pikërisht, me Kishën e tij të organizuar. Atje vepron në mënyrë mistike, nëpërmjet Mistereve të saj, Hiri Hyjnor, në mënyrë që, dhe ndriçimi dhe perëndinjohja e vërtetë dhe fuqia përforcuese në përpjekjet tona dhe, të çliruar në vetvete nga pasionet tona, të arrihet, me organe të hirësuara posaçërisht, qëllimi i shenjtërimit tonë.
Dhe organe të Perëndisë janë Apostujt, misioni i të cilëve ishte “zëri i Perëndisë” (Rom. 10:18), që të njohim të vërtetën e Krishtit, ruajtëse e së cilës është Kisha e tij. Profetët, të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, mësuan dhe shpjeguan disa dogma, që ishin të vështira për t’u kuptuar dhe të pakapshme nga mendja njerëzore; Ungjillorët, që përhapën lajmin e gëzueshëm të çlirimit; Barinjtë, që u bënë rojtarë vigjilues të deleve mendore dhe kujdestarë në livadhet shpirtërore; Mësonjësit, të cilët, në bazë të të vërtetave të zbuluara, predikuan fjalën e Perëndisë, për forcimin e besës, dhe të gjithë bashkë, “në mënyrë të drejtë e hyjnore” «jure divino», që u caktuan shërbyes të Misterit të ndriçimit dhe të çlirimit tonë, si shërbëtorë të Perëndisë, për të formuar, bashkë me besimtarët, Trupin e Kishës, me qëllim shenjtërimin dhe çlirimin; kështu, do të vlerësohet dhe Gjaku i Tërëshenjtë i Zotit tonë Perëndinjeri për shpëtimin personal të secilit prej nesh. Kjo është edhe vepra shërbyese, për të cilën flet sot apostull Pavli, derisa të arrijmë “të gjithë në unitetin e besimit”, duke kuptuar plotësisht qëllimin e Misterit të mishërimit të Zotit dhe të perëndinjohjes së vërtetë dhe të thellë.
Zoti ynë, së pari, pastaj Apostujt, pas tyre pasuesit e tyre, Etërit dhe Episkopët, që jetojnë dhe sillen ashtu si i urdhëron Shpirti i Shenjtë, në vazhdim populli besimtarë i Perëndisë, të gjithë bashkë, përbëjnë Trupin e Kishës me Krye Krishtin, domethënë, ndërtesën shpirtërore, guri i themelit të së cilës është vetë Krishti, Dhëndëri i Kishës sonë. Prandaj edhe Apostulli rekomandon kujdes në përmbajtjen e besimit, por edhe në linjën e lundrimit, në udhëtimin detar të jetës sonë, sepse ekziston rreziku të devijojmë -si fëmijët e vegjël, që privohen nga gjykimi dhe logjika- nga rruga që të drejton në shpëtim. Të mos lëkundemi si dallgët dhe të rrëmbehemi nga erërat e besimeve të gabuara, për shkak të mendimeve heretike të njerëzve dinakë dhe gënjeshtarë, që jetojnë në errësirën e mashtrimit. Lidhja koherente e pjesëtarëve të Kishës, me Krishtin, me zinxhirin e artë të dashurisë, sigurisht, do të bëhet edhe rrethim mbrojtës ndaj çdo shthurjeje, që të rrezatojë Trupin e asaj Kishe, që është edhe “varka e atyre që duan të shpëtojnë”.
* * *
Dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, nuk ofrohen vetëm tek Barinjtë dhe Mësuesit e Kishës, por edhe tek çdo njeri që pagëzohet dhe miroset me Shpirtin e Shenjtë, si një njeri i ri dhe i ngjallur. Por, dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, ofrohen me bazë “masën e dhuratës së Krishtit” (Efes. 4:7), e cila varet nga shkalla dhe masa e funksionimit të vullnetit të njeriut. Kushdo që ka dëshirë të mirë, merr me tepri; por, kush nuk ka, me lehtësi i humbet edhe ato pak që mund të ketë. Që të marrësh nga Perëndia -për shembull- varet se me çfarë ene besimi, zelli, dëshire dhe gatishmërie afrohesh. Nëse mban një filxhan, ai do të mbushet. Nëse merr një enë më të madhe, do marrësh më tepër.
Apostull Pavli jep drejtime të hyjfrymëzuara, në letrën drejtuar Romakëve, duke analizuar si gjithsecili duhet të kultivojë hirin e vetë (Rom. 12:6-21): “përderisa kemi dhurata të ndryshme sipas hirit që na u dha nga Shpirti i Shenjtë, le të prehemi në to -pa bërë krahasime njëri me tjetrin- dhe le të punojmë shpirtërisht nëpërmjet tyre. Nëse kemi hir profetik, le të mësojmë të vërtetën, sipas këtij hiri. Nëse dikush ka dhunti shërbese shpirtërore, le të analizojë të vërtetat e Perëndisë, tek besimtarët” (7).
Ai që ka dhunti, të ngushëllojë, të mbështesë dhe të inkurajojë besimtarët në rrugën e virtytit, le të qëndrojë në këtë punë të forcimit moral (Ai që ka të mira, le t’i ofrojë me thjeshtësi dhe dallim (Eprori, le të mbikëqyrë me kujdes dhe të jetë aktiv (Ai që përdëllen, le ta ofrojë lëmoshën e tij me ëmbëlsi dhe mirësi (Dashuria juaj le të jetë gjithmonë e sinqertë, pa interes vetjak dhe hipokrizi (9). Të urreni me gjithë fuqinë tuaj të ligën, të jeni dhe të mbeteni gjithmonë të lidhur me të mirën (9).
Me dashurinë e sinqertë, të bëheni të dhimbsur njëri me tjetrin (10); dhe secili prej jush, t’i japë përparësi nderit dhe respektit ndaj të tjerëve. Dhe të mos nxitojë të kërkojë, për veten e tij, ndere dhe vende të para (10). Në zellin dhe punën që kërkohet për çdo vepër tjetër, të mos jeni të plogët dhe ngathët. Të jeni të flaktë, të gatshëm. Të keni shpresë të patundur. Në lutje, të këmbëngulni gjithmonë me gatishmëri dhe zell (12). Të ndihmoni në nevojat e vëllezërve të krishterë (12). Të synoni mikpritjen (13). Të thoni fjalë të mira dhe të mos mallkoni (14). Të gëzoheni me ata që gëzohen dhe të qani me ata që pikëllohen (15). Mos jini mendjemëdhenj për veten tuaj. Mos kërkoni dallime dhe ndere të larta. Uluni bashkë me të përulurit. Mos e pandehni veten tuaj për të mençur (16). Mos e ktheni të keqen me të keqe. Të silleni mirë dhe të bëni vepra të mira ndaj njerëzve (17). Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit(18). Kur ju bëjnë padrejtësi, mos merrni shpagim për veten tuaj. Lejoni t’ju mbrojë Perëndia.
Dhuntitë e Barinjve duhet të jenë në bashkëpunim harmonik me grigjën. Kur flet predikuesi i hirshëm duhet të kesh kujdes dhe të mos tregohesh indiferent. Kur ati shpirtëror të pret për rrëfim, nuk duhet ta anulosh shërimin e shpirtit. Kur jemi fëmijë tekanjoz dhe nuk duam të hyjmë në Kishë, që të shpëtohemi, atëherë Perëndia përdor shkopin e tij, për të na rregulluar dhe shpëtuar. Lejon pikëllime të çdo lloji. Sëmundje, vdekje, luftëra, fatkeqësi, mjerime.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Ditët që po kalojmë janë të vështira. Zoti është i gatshëm për të na ndihmuar. Le të kërkojmë mbrojtjen dhe hirin e tij. Le t’i përgjigjemi. Ky është interesi ynë. Do të jemi fatlumë kur t’i japin dorën Perëndisë, që na ofron dorën e tij. U bëftë.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI
Berat më 09.01.2022