APOSTULLI – Jakovi 1:1-18.
Jakovi, shërbëtor i Perëndisë edhe i Zotit Jisu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve që janë shpërndarë gjithandej, përshëndetje.
Numërojeni për gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në lloj-lloj ngasjesh; duke ditur se prova e besimit tuaj prodhon durim. Edhe durimi le të ketë punë të përsosur, që të jeni të përsosur edhe të plotë, pa ju munguar asnjë gjë.
Edhe nëse ndonjë prej jush ka mangësi në dituri, le të kërkojë prej Perëndisë që u jep të gjithëve pa kursim, e nuk qorton, edhe do t’i jepet atij. Po le të kërkojë me besim, pa pasur fare dyshim; sepse ai që ka dyshim i ngjan valës së detit, që ngrihet prej erës e përplaset. Sepse le të mos pandehë ai njeri se do të marrë gjë nga Zoti. Njeriu me dy mendje është i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij.
Edhe le të mburret vëllai i përulur për lartësimin e tij; edhe i pasuri për përuljen e tij, sepse si lule bari do të shkojë. Sepse lindi dielli me nxehtësinë e tij, edhe thau barin, edhe lulja e atij ra, edhe bukuria e fytyrës së tij humbi; kështu edhe i pasuri do të vyshket në udhët e tij.
Lum ai njeri që duron ngasje; sepse pasi të provohet, do të marrë kurorën e jetës, të cilën ua ka premtuar Zoti atyre që e duan.
Askush, kur ngitet, le të mos thotë se ngitem nga Perëndia; sepse Perëndia nuk mund të ngitet nga të ligat, edhe ai asnjë nuk nget. Po gjithësecili ngitet duke u tërhequr e duke u mashtruar prej dëshirimit të vet. Pastaj dëshirimi, si të mbarset, pjell mëkat, edhe mëkati, si të bëhet, pjell vdekje.
Mos u gënjeni, o vëllezër të mi të dashur. Çdo dhënie e mirë, edhe çdo dhuratë e përsosur, është nga lart, edhe zbret nga Ati i dritave, tek i cili s’ka ndryshim apo hije kthimi. Prej vullnetit të tij na lindi me anë të fjalës së të vërtetës, që të jemi ne një fryt i parë i krijesave të tij.