– Apostulli – Hebrenjve 11:8-14.

 

Me anë të besimit u bind Abrahami, kur u thirr të dalë në vendin që do të merrte për trashëgim, edhe doli pa ditur se ku shkonte. Me anë të besimit shkoi e banoi në tokën e premtuar si në tokë të huaj, edhe banoi në tenda, bashkë me Isakun e me Jakovin bashkëtrashëgimtarët e po atij premtimi; sepse priste qytetin që kishte themele, mjeshtër edhe krijues i të cilit është Perëndia. Me anë të besimit edhe ajo, Sara, mori fuqi të mbeste shtatëzënë, dhe, ndonëse i kishte shkuar koha e moshës, lindi, sepse e quajti të besës atë që i premtoi. Prandaj edhe prej një njeriu, edhe ky gati për të vdekur, lindën me shumicë njerëz si yjet e qiellit, edhe si rëra e panumërueshme buzë detit.

Këta të gjithë vdiqën me besim, pa marrë premtimet, po për së largu i panë dhe i përshëndetën ato, edhe rrëfyen se janë të huaj e të ardhur mbi dhe. Sepse ata që flasin të këtilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.