– Apostulli – Hebrenjve 10:35-11:7.
Mos e humbni pra guximin tuaj që do të ketë shpërblim të madh. Sepse ju keni nevojë për durim, që të bëni vullnetin e Perëndisë dhe të merrni premtimin. “Sepse edhe fort pak kohë, edhe do të vijë ai që vjen, edhe nuk do të vonojë”. “Edhe i drejti do të rrojë prej besimit”; edhe “në u tërheqtë ndonjë prapa, shpirti im nuk do ta pëlqejë atë”. Po ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë për shpëtimin e shpirtit.
Edhe besimi është të qenurit e gjërave që shpresohen, dëftimi i punëve që nuk shihen. Sepse me anë të këtij morën dëshmi të mirë të moçmit. Me anë të besimit kuptojmë se jetët u ndërtuan me fjalën e Perëndisë, aq sa ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që duken.
Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë therore më të mirë se Kaini, me anë të së cilës mori dëshmi se është i drejtë, sepse Perëndia dëshmoi për dhuratat e tij; edhe me anë të saj, ndonëse vdiq, ende flet. Me anë të besimit Enoku u zhvendos, që të mos shohë vdekje, “edhe nuk gjendej, sepse Perëndia e zhvendosi”; sepse më parë se të zhvendosej kishte dëshmi se i kishte pëlqyer Perëndisë.
Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqejë njeriu atij; sepse ai që afrohet tek Perëndia duhet të besojë, se është edhe se bëhet shpërblyes për ata që e kërkojnë atë. Me anë të besimit iu tregua Noes nga Perëndia për ato që ende nuk shiheshin, edhe si pati frikë Perëndie, ndërtoi një arkë për shpëtim të shtëpisë së tij; me anë të së cilës dënoi botën, edhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.