Oshënar Grigori i Nisës.
Ishte fëmija i katërt i shën Vasilit dhe i shën Emelisë, dhe vëllai i vogël i shën Makrinës (19 korrik) dhe i shën Vasilit të Madh (1 janar). Lindi rreth vitit 331 në Qesari të Kapadokisë. U rrit në klimë të favorshme për virtytin dhe përkushtimin, dhe nuk shkoi, si shën Vasili, në qendrat e mëdha të kulturës helene për të ndjekur mësimet e mësuesve të ndritur, por mori edukimin e thjeshtë nga i ati, i cili ishte mësues i retorikës; kjo nuk e pengoi të asimilonte njohuritë e gjera filozofike, letrare dhe shkencore dhe të bëhej një nga artizanët më të mëdhenj të kthimit të kulturës antike në Krishterim.
U pagëzua tepër i ri dhe u caktua lexues në kishë. Donte t’i kushtohej shërbimit kishtar, por ndryshoi mendje në mënyrë të beftë; u angazhua në botë, u bë mësues i retorikës dhe u martua me të devotshmen Theosevi. Ankesat e së motrës, Makrinës, e cila kishte bërë gjithçka që e ëma dhe të vëllezërit të përqafonin jetën murgërore, dhe ato të shën Grigor Theologut, e detyruan shenjtin që të shkonte për disa kohë pas këtij të fundit dhe shën Vasilit në vendin e tyre të tërheqjes, në Anesis, mbi brigjet e Irisit. Atje përjetoi ngazëllimin e jetës së vetmuar, të heshtjes, të çlirimit nga përkujdesjet tokësore, të meditimeve të thella për misteret e Shkrimit të Shenjtë dhe të dogmave të shenjta, të lartësimit të shpirtit drejt Perëndisë në lutje.
Vasili, i cili kishte filluar të riorganizonte jetën e murgjve të Kapadokisë, duke botuar fillimin e Rregullave, e ngarkoi që të shkruante një fjalim plotësues për Virgjërinë dhe përsosmërinë e krishterë. Çfarë lavdërimi të admirueshëm dhe të zjarrtë për virgjërinë krijoi ai që vajtonte se e kishte lënë veten të binte në rrjetat e jetës së zakonshme dhe të ishte ndarë si nga një humnerë lavdie nga kjo mënyrë jetese, e cila e bën njeriun të ngjashëm me engjëjt dhe pjesëmarrës që nga kjo jetë në paprishshmërinë hyjnore.
Në vitin 370, kur Vasili u bë kryepiskop i Qesarisë, mblodhi rreth vetes miq të sigurt, që t’u rezistonin persekutimeve të Valensit kundër orthodhoksëve që mbronin doktrinën e Sinodit të Nikesë, ndërsa Grigori, me gjithë kundërshtimin e tij, u zgjodh episkop i qytetit të thjeshtë të Nisës. Jo shumë i sprovuar në administrimin e punëve kishtare, shumë i përulur dhe i çiltër për t’u bërë ballë të këqijve dhe intrigantëve, ai u bë menjëherë viktimë e marifeteve të arianëve, të cilët e akuzuan për hirotonisje të parregullt dhe se kishte marrë për vete të mirat e kishës së tij. Ata mblodhën në mungesë të shenjtit një sinod, ku me lejen e prefektit Demosten, armik i hapur i orthodhoksëve, vendosën shkarkimin dhe internimin e tij (376). Njësoj si delja që e çojnë në thertore (Is. 53.7), shenjti e la veten ta dëbonin. Mundi ta rifitonte fronin e tij dhe të kthehej triumfalisht në Nisë 2 vjet më vonë, pas vdekjes së Valensit (378). Por shijoi paqen vetëm për pak kohë.
Në fillim të vitit 379, vdekja e shën Vasilit, të cilin e kishte konsideruar më shumë si atë më Perëndinë sesa si vëlla sipas mishit, e bëri atë trashëgimtar dhe pasues të hierarkut të madh dhe kampion të Orthodhoksisë. Ai, filozofi, njeriu i butë dhe i rezervuar, u angazhua intensivisht në luftën dogmatike dhe vendosi kudo autoritetin e tij, falë thellësisë së reflektimit të tij theologjik dhe fuqisë së elokuencës së tij.
Mori pjesë në Sinodin e Antiokisë, i mbledhur për të rregulluar skizmën që e ndante këtë Kishë për më shumë se 50 vjet dhe arriti që ta bënte të triumfonte kauza e shën Meletit (12 shkurt); u nis në mision për të riorganizuar Kishën e Pontit dhe të Armenisë dhe zgjodhi të vëllanë, Petron, si episkop të Sevastisë; hartoi një seri veprash polemike kundër Evnomit, arianit ekstremist, për të mbrojtur pakuptueshmërinë e natyrës hyjnore, dhe kundër Apolinarit, për të treguar se Krishti e mbajti të plotë natyrën e njeriut, shpirt dhe trup. Dhe, mbi të gjitha, në vitin 381 ai mori pjesë në Sinodin e Dytë Ekumenik të Konstandinopojës, gjatë të cilit i ngatërroi arsyetimet e heretikëve arianë dhe pneumatomakëve, dhe bëri të triumfonte doktrina orthodhokse për Trininë e Shenjtë, për të cilën Vasili kishte luftuar gjithë jetën. I përshëndetur nga Etërit si “kolonë e Orthodhoksisë” dhe i konsideruar si pasuesi i denjë i shën Athanasit dhe i shën Vasilit, Grigori mori pjesë në të gjitha sinodet dhe asambletë kishtare, dhe u dërgua me mision në Arabi e Palestinë për të rregulluar trazirat që përçanin Kishat atje. Me t’u kthyer në Konstandinopojë, perandori Theodhos e mori si këshilltar shpirtëror dhe e ngarkoi të thoshte fjalët e fundit në funeralin e bashkëshortes së tij Pulkeria dhe vajzës së tij Flakila (385).
Rreth vitit 386, paqja e Kishës u sigurua njëherë e mirë dhe, i shkëputur nga çdo lidhje me botën, pas vdekjes së shën Theosevisë, e cila prej vitesh, që kur u martuan, ishte bërë motra dhe shoqja e tij shpirtërore, dhe pas nisjes së perandorit me oborrin e tij në Milano, shën Grigori mundi t’i përkushtohej plotësisht jetës shpirtërore dhe drejtimit të manastireve që ngriti shën Vasili. Ashtu siç e kishte vazhduar veprën dogmatike dhe kishtare të të vëllait, si dhe kishte plotësuar disa nga veprat e tij shpjeguese e theologjike, shën Grigori përfundoi veprën murgërore, themelues, organizator dhe ligjvënës i së cilës ishte Vasili, duke hartuar ligjërata mistike të një thellësie e bukurie që sa vinte e shtohej me kalimin e viteve (Homeli për Këngën e Këngëve, Jeta e Moisiut, Institucioni i Krishterë). Në to gjendet një parashtresë madhështore dhe e guximshme e doktrinës shpirtërore orthodhokse, si theologjia e shkëlqyer mistike, vënia në praktikë në murgëri. Këto shën Grigori i shpreh në terma dhe kategori të sprovuara nga debatet dogmatike.
Sipas shën Grigorit, njeriu u krijua si ikona e Perëndisë, si reflektim i përsosmërive të Tij dhe, më në veçanti, i lirisë së Tij sovrane. I rënë në prishje dhe i veshur “me tunikë lëkure” të vdekshmërisë dhe të pasioneve nga një përdorim i keq i kësaj lirie, ai nuk mundi të rikthehej në gjendjen e tij të mëparshme, të hynte sërish në kungim me Perëndinë. I bashkuar nëpërmjet pagëzimit me Trupin e Krishtit dhe duke e bërë të rritet pa pushim prania e Zotit në të, ai mund të përparojë pafundësisht në një bashkim pa përzierje me Perëndinë e pafund, duke tërhequr bashkë me të gjininë njerëzore dhe universin e tërë, që e transformon në Kishë.
* * * * *
Oshënar Dometiani i Melitinës.
Lindi në gji të një familjeje të pasur dhe të devotshme nga Bizanti, në kohën e mbretërimit të Justinit II (566-578) dhe mori edukim të mirë në letërsi dhe në Shkrimet e Shenjta. Pak vite qëndroi i martuar dhe, pas vdekjes të së shoqes, tërë kujdesin e tij e përqendroi në filozofinë sipas Perëndisë; u bë prift, dhe në moshën 30-vjeçare u emërua episkop i kishës së Melitinës (Armenia e dytë). Duke qenë se e ndërthurte shkathtësinë politike me jetën asketike, ai jo vetëm që u bë shkak shpëtimi për shumë besimtarë të dioqezës së tij, por dhe për popullin e mbarë perandorisë. Pas kërkesave të përsëritura të perandorit Mavrik, me të cilin ishte i afërt (582-602), u nis me mision në Persi për të predikuar fjalën e së vërtetës.
Por në këtë kohë (590), një dinjitar i lartë i mbretërisë perse, Bahram Sobin, nxiti për kryengritje trupat e Veriut kundër autoritetit mbretëror, të cilat shkuan në Seleuci, ku shfronësuan mbretin Hormizd. I biri, Kosrisi, i cili qe strehuar në tokë bizantine dhe kërkoi mbështetjen e Mavrikut, u kthye falë mbështetjes së Dometianit, që të merrte mbretërinë e tij në krye të ushtrive romake dhe u bë vasali i Mavrikut.
Shën Dometiani u bë miku i perandorit dhe i bashkëshortes së tij, dhe këta i dhuruan shuma të konsiderueshme parash, të cilat u përdorën për ndërtimin e kishave dhe të strehëve për të varfrit. Pas kthimit të tij në kryeqytet, shenjti fjeti në paqe. Perandori dhe e gjithë Kisha nderuan lipsanin e tij, i cili u shoqërua me pishtarë dhe himne deri në atdheun e tij. Si gjatë jetës, edhe pas vdekjes, shenjti kreu shumë mrekulli.