APOSTULLI – Hebrenjve 8:7-13.

Sepse po të ishte pa të metë ajo e para, nuk do të kërkohej vend për të dytën. Sepse Perëndia duke qortuar ata thotë: “Ja tek po vijnë ditë, thotë Zoti, edhe do të bëj një dhiatë të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës, jo sipas dhiatës që bëra me etërit e tyre atë ditë që i mora ata prej dore, që t’i nxirrja jashtë prej dheut të Egjiptit; sepse ata nuk qëndruan në dhiatën time, edhe unë s’u kujdesa për ata, thotë Zoti.

Sepse kjo është dhiata që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, do të vë ligjet e mia në mendjet e tyre, edhe do t’i shkruaj ata mbi zemrat e tyre, edhe do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.

Edhe asnjë prej tyre nuk do të mësojë të afërmin e tij dhe asnjë të vëllain e tij, duke thënë: Njih Zotin; sepse të gjithë do të më njohin, që prej të voglit të tyre e deri në më të madhin e tyre.

Sepse do të jem i mëshirshëm në paudhësitë e tyre, edhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe paligjësitë e tyre”. Duke thënë “një dhiatë e re” e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetërohet e plaket është afër prishjes.