– Ungjilli – Mateu 4:1-11.

 

Atëherë Jisui u pru në shkretëtirë nga Fryma, që të ngitej prej Djallit. Edhe si agjëroi dyzet ditë e dyzet net, më pas pati uri. Edhe ai që nget erdhi tek ai e tha: Në je i biri i Perëndisë, thuaj të bëhen bukë këta gurë. Po ai u përgjigj e tha: Eshtë shkruar: “Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”.

Atëherë Djalli e merr atë në qytetin e shenjtë, edhe e vuri mbi majën e tempullit, edhe i thotë atij: Në je i biri i Perëndisë, hidhu poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty edhe do të ngrenë ty mbi duart, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”. Jisui i tha atij: Përsëri është shkruar: “Nuk do të ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.

Përsëri Djalli e merr në një mal shumë të lartë, edhe i tregon gjithë mbretëritë e botës edhe lavdinë e tyre, e i thotë: Të gjitha këto do të t’i jap ty, në rënç përdhe të më falesh. Atëherë Jisui i thotë atij: Ik prej meje, Satana. Sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”. Atëherë Djalli e lë atë. Edhe ja engjëjt tek erdhën pranë e i shërbenin.