Dëshmorët Theopemti, Theonai.

Martiri i shenjtë Theopempti ishte episkop në kohën kur perandori Dioklecian shpalli persekutimin e tmerrshëm kundër të krishterëve. Pasi rrëfeu trimërisht besën e tij, u arrestua dhe u nxor para perandorit dhe nuk pati frikë të qortonte pabesinë e tij mizore. E hodhën në furrë të ndezur, por Hiri i Perëndisë e ruajti shëndoshë e mirë. I nxorën njërin sy dhe e detyruan me forcë të pinte helm vdekjeprurës, përgatitur nga magjistari pagan Theonai.

Kur pa se shenjti nuk përkulej nga këto keqtrajtime, Theonai u kthye te Krishti dhe dënoi mashtrimin e magjistarëve dhe bashkëpunëtorët e demonëve. Pas Theopemptit, i cili vdiq me prerje koke, Theonai mori kurorën e martirizimit duke u varrosur i gjallë në një gropë të thellë, të hapur për këtë qëllim.

* * * * *

Oshënare Singlitikia.

Nëna jonë e shenjtë Singlitikia lindi në Aleksandri, në shekullin e 4-t, nga prindër të pasur e besimtarë me prejardhje nga Maqedonia. Bukuria e saj e madhe, mençuria dhe virtytet e shumta bënin që të lakmohej që në moshë të re nga shumë mëtues, por ajo qëndronte e shurdhët dhe e verbër para gjithë tërheqjeve të kësaj bote, duke aspiruar martesën vetëm me Krishtin, Dhëndrin qiellor. E mundonte trupin me kreshmë dhe gjithë llojet e ashpërsive, e mblidhte mendjen pa kompromis në fund të zemrës dhe thërriste ditë e natë: “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij!” (Kënga e Këngëve 2.16).

Kur i vdiqën prindërit, pasurinë ua shpërndau të varfërve, ndërsa vetë së bashku me motrën e verbër shkuan larg qytetit, duke iu përkushtuar përgjithmonë Perëndisë; këtu një prift i bëri qethjen murgërore. Kështu ajo u bë themeluesja e murgjërisë femërore, si shën Andoni i Madh për burrat. Tashmë, e stërvitur në punët asketike, ajo përparoi me shpejtësi në udhën e murgjve, të cilët e jetonin jetën e tyre në tokë si në qiell, dhe përpiqej t’i mbante të fshehta betejat e saj para syve të njerëzve, që të mos humbiste shpërblimin përfundimtar. Ishte e vdekur për veten dhe për botën, që të jetonte me Krishtin, dhe i shtynte me mençuri e dallueshmëri tërë tundimet e shkaktuara nga demonët. Lartësohej pa pushim drejt qiellit me anë të virtyteve të shenjta, duke përhapur aq shumë kudo famën e saj si parfum erëmirë shpirtëror, sa një numër i madh vajzash të devotshme shkonin tek ajo për mësime dhe këshilla për shpëtim. Në fillim, nga përulësia, shenjtorja refuzoi të thyente heshtjen; por e shtyrë nga dashuria dhe nga këmbëngulja e tyre, u zbuloi me psherëtima të thella, të vaditura me lot, thesaret e urtësisë dhe të shkencës që Shpirti i Shenjtë kishte vënë në zemrën e saj.

Në radhë të parë, shën Singlitikia u kujtonte nxënëseve të saj se dashuria e përsosur për Perëndinë dhe për të afërmin, është përsosmëria e Ligjit hyjnor, si e të vjetrit ashtu dhe e të riut (Eks. 20; Rom. 13.10), ajo duhet të jetë fillimi dhe fundi i tërë akteve të atyre që tërhiqen nga bota. “Të lumur do të jemi ne, thoshte, nëse punojmë që t’i pëlqejmë Perëndisë dhe të fitojmë qiellin, po aq sa punojnë njerëzit për të mbledhur pasuritë dhe të mirat e prishshme”.

Kjo dashuri e shenjtë lulëzon si lule e brishtë në një trup dhe shpirt të qashtër e të pastër, jo vetëm nga mëkatet e mishit dhe të shqisave, por nga çdo ëmbëlsim i mendimeve të papastra, sugjeruar pa pushim nga djalli te luftëtarët e ushtrisë së Krishtit; prandaj duhet të jemi vigjilentë, duke u treguar të urtë si gjarpërinjtë, për të prishur dredhitë e armikut, dhe të butë si pëllumbat (Matth. 10.16), nga pastërtia. Ashtu si i lajmë dhe i zbardhim rrobat, duke i shtypur me këmbë dhe duke i rrotulluar nga të gjitha anët, kështu duhet të jepemi në varfërinë vullnetare dhe në jetën asketike, duke vdekësuar mishin me vigjilencë, dallueshmëri, lutje pa pushim dhe përulësi të shenjtë, që shpirti, duke pritur Shpirtin e Shenjtë, të bëhet i ngjashëm me pëllumbin e bardhë që fluturon drejt Perëndisë. E shenjta kishte treguar nga vetja e saj, nga jeta e saj mistike dhe e tërhequr, se si të përparosh në përulësi, në themelin e dashurisë; gjithashtu thoshte: “Sikundër thesari fshihet nga hajdutët menjëherë sa gjendet, kështu dhe virtyti dobësohet dhe avullon në çastin kur zbulohet. Dhe ashtu si dylli shkrin në zjarr, ashtu edhe shpirti dorëzohet dhe humbet fuqinë e tij nga lavdërimet, ndërsa fyerjet dhe përbuzjet e lartësojnë në kulmin e virtyteve”.

Për jetën asketike, ajo shtonte edhe këtë krahasim mbresëlënës: “Ashtu sikurse kur ndezim zjarrin, fillimisht sytë, të pamësuar me tymin, na djegin, por pastaj i gëzohemi nxehtësisë së dobishme; po kështu duhet të ndezim brenda nesh zjarrin e dashurisë hyjnore, që Krishti premtoi se do të sillte mbi tokë (Lluk. 12.49), me lot dhe vuajtje, për të pasur më pas ngushëllimin e Shpirtit të Shenjtë”.

Ky mësim i ndritur i mbushte aq shumë nxënëset e saj me entuziazëm të flaktë, sa nuk donin më ta braktisnin dhe dëshironin të qëndronin përkrah saj përherë, për të soditur në personin e saj ikonën e gjallë të përsosmërisë engjëllore. Pas shumë kundërshtimesh, ajo iu dorëzua vullnetit të Perëndisë dhe e udhëhoqi vëllazërinë, që sa vinte e rritej, në udhën e ngushtë të Mbretërisë së Qiejve, siç e drejtojmë një anije mes shkëmbinjve. I nxiste pasueset e saj të kujdeseshin, sa të ishte e mundur, të zbukuroheshin me veshje dhe me stoli shpirtërore për të pritur Krishtin, siç bëjnë edhe vajzat e fejuara, që përgatiten për një bashkim të prishshëm.

Për ato që jetonin bashkë, u mësonte të preferonin më shumë bindjen dhe hedhjen poshtë të mendimeve të tyre ose të gjykimeve vetjake në luftërat asketike, dhe i inkurajonte të punonin me fjalën dhe, mbi të gjitha, me shembullin, që të shmangnin kurthet e demonit, plogështinë nga njëra anë dhe kotësinë nga ana tjetër, sepse vetëm kështu mund të përparosh me vetëkontroll dhe dallueshmëri, në rrugën mbretërore të përulësisë.

Me trupin e tharë dhe të dobësuar nga kreshma, por me shpirt të ndriçuar nga Krishti, Dielli i Drejtësisë, Singlitikia rrezatonte me mësimdhëniet e saj të shenjta, me dallueshmërinë e pagabueshme, që të zbulonte tërë iluzionet dhe makinacionet demoniake dhe, mbi të gjitha, me anë të përparimeve të saj konstante drejt përsosmërisë. Sakrifikimit vullnetar të asketizmit, vitet e fundit të jetës, i shtoi durimin në sprova dhe në sëmundje: temperatura e vazhdueshme dhe problemet me mushkëritë e rrëzuan dalëngadalë trupin e saj, duke e holluar si me limë.

Në moshën 85-vjeçare, djalli ndërmori kundër saj edhe një sulm të fundit: mori nga Perëndia pushtetin që ajo të pësonte për tre vjet e gjysmë vuajtjet që pësoi Jovi për 35 vjet. Siç sulmoi Jovin dhe martirët e shenjtë nga jashtë, u vërsul edhe mbi shenjtoren me të njëjtin tërbim, por nga brenda, duke ia djegur pak nga pak organet, si me zjarr të ngadaltë, me një kancer që i shkaktonte dhimbje të forta çnjerëzore.

Megjithatë shenjtorja i duroi sprovat dhe madje përfitoi që t’i mësonte nxënëset e saj, duke u thënë: “Nëse na bezdis sëmundja, të mos hidhërohemi dhe nëse për shkak të dobësimit të trupit, nuk mund të këndojmë dot; sepse të gjitha këto gjëra janë për të mirën tonë dhe për pastrimin e lakmive tona. Në të vërtetë, kreshma dhe asketizmi na u rekomanduan për shkak të këtyre kënaqësive. Nëse sëmundja na topit, atëherë këto ushtrime janë të tepërta. Ky është asketizëm i madh: të jesh i duruar në sëmundje dhe të lavdërosh Perëndinë me himne”.

Duke qenë e munduar, nuk e nxirrte më zërin e saj dhe humbi kështu armën e frikshme të fjalës; por vetëm pamja e qetësisë së fytyrës së saj të shenjtë në mes të kaq shumë mundimeve zëvendësonte më së miri çdo mësimdhënie dhe i forconte ata që i afroheshin në dashurinë e Perëndisë. Pastaj iu sulmua trupi nga një gangrenë dhe mishi nisi t’i kalbej, duke lëshuar erë aq të keqe, sa nxënëset nuk mund t’i afroheshin pa e parfumosur dhe pa ia lyer gjymtyrët e prekura me aroma, si për kufomat. Asgjë nuk e mposhtte këtë grua të drobitur; Hiri i Perëndisë e kishte burrëruar më shumë se luftëtarët. Duke përbuzur vdekjen dhe manovrat e pafuqishme të djallit, ajo mbështetej nga engjëjt dhe mundi të sodiste me gëzim shkëlqimin e pamatshëm të dritës së Parajsës.

Në fund të këtij martirizimi 3-mujor, ajo u nis drejt Zotit për të marrë kurorën e betejave që bëri, pasi paratha ditën e fjetjes dhe ngushëlloi nxënëset e saj me mësimin e fundit.