Krishtlindje të gëzuara dhe të ndriçuara nga Lindja e Shpëtimtarit.

 

Krishtlindja sjell kudo atmosferë festive. Të gjithë ndihen të gëzuar. Këtë e shihje që në ditët para festës, të mbushura me shërbesat e kësaj periudhe (shumë kisha në të mbarë vendin bënë Sarandar – Liturgji Hyjnore për 40 ditë rresht, ndërsa në Vigjilje të festës, më 24 dhjetor u kremtua shërbesa e Orëve të Krishtlindjes), por edhe nga atmosfera festive që është krijuar në të gjithë vendin tonë.

Gjithashtu, kjo e kremte solli edhe veprimtari të shumta, sidomos me fëmijët dhe të rinjtë orthodhoksë. Mjaft të rëndësishme për të çuar këtë gëzim e ndriçim kudo janë edhe vizitat e dhuratat e mbledhura e të shpërndara në burgje, në qendrat e fëmijëve me aftësi ndryshe, në shtëpitë e përkujdesjes për të moshuarit, tek njerëzit e sëmurë e të vetmuar, këndimi i kolendrave etj. Megjithëse situata e pandemisë vazhdon dhe besimtarët ftohen të zbatojnë të gjitha rregullat, kjo nuk e pengoi harenë e ndriçimin e saj.

Sot në  Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u krye Liturgjia Hyjnore panegjirike nga Kryepiskopi Anastas, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin; Episkopin e Bylisit, Astin dhe klerikë të Kryepiskopatës. Meshimi u transmetua i plotë drejtpërdrejtë në nga Televizioni Publik, por edhe në lidhje të televizioneve private.

   Në fund të Liturgjisë u lexua mesazhi i Krishtlindjes së Kryepiskopit, i cili këtë vit kishte si temë “Qëndresë paqësore – Nuk jemi vetëm”. Ndër të tjera, Fortlumturia e Tij theksoi: “…Shpëtimtari mori pjesë në të vërtetën e ashpër të jetës njerëzore, duke u përballur, ende foshnjë, me varfërinë, përndjekjen, jetën në dhé të huaj. Mesazhi është përcaktues për të gjithë ne që duam të ecim në gjurmët e Jisuit: Qëndresë paqësore në mërzitjet e shumëllojta që shfaqen në rrugën tonë, në privime, në vuajtje, në hidhërime. Qëndresë paqësore kur përballemi me armiqësinë që nuk e presim, me shpifjet, me persekutimet. Qëndresë paqësore në rrugët e ashpra të jetës si të huaj. Kjo nuk do të thotë pasivitet. Gjatë përmbushjes së misionit të Tij shpëtimtar, Jisui “i butë dhe i përulur” iu kundërvu padrejtësisë  dhe ritualizmit. Ai dënoi me forcë hipokrizinë dhe djallëzinë, gjithmonë me qëndresë paqësore, madje edhe në gjendjet më të skajshme, në Pësimet e frikshme…”.

 


 

Foto Album:

 

Krishtlindje të gëzuara dhe të ndriçuara nga Lindja e Shpëtimtarit.