Oshënare Melania, romane.

Në kohën kur Kisha po zinte vendin e saj në mes të institucioneve zyrtare të Perandorisë Romake, disa zonja të aristokracisë së lartë të Romës, të frymëzuara nga rrëfimet e arritjeve asketike të murgjve të Egjiptit dhe për shkak të qortimeve të zjarrta të shën Jeronimit, hoqën dorë nga kotësitë e botës për të përqafuar rrugën e ngushtë që të çon në Mbretërinë e Qiejve. Shën Asela, shën Fabiola, shën Marcela, shën Paula dhe bija e saj, shën Esftokiumi, shën Melania e Vjetër dhe mbesa e saj, shën Melania e Re, që e kremtojmë sot, braktisën pasuritë, lavdinë dhe jetën delikate, për t’iu kushtuar veprave të bamirësisë dhe mundimeve të asketizmit, qoftë në Romë, qoftë në Tokën e Shenjtë.

E lindur në vitin 383, Valeria Melanisë iu desh të martohej kundër dëshirës me një prej të afërmve të saj, Pinienin, kur ishte vetëm 14-vjeçe. Sapo u krye ceremonia e dasmës, ajo i propozoi dhëndrit të saj të ri të jetonin në vetëpërmbajtje; ai hezitoi fillimisht dhe i tha se më parë duhej të siguronin pasardhësit e tyre, duke pasur 2 fëmijë dhe më pas të hiqnin dorë së bashku nga bota. Në fillim u lindi një vajzë, që ia përkushtuan menjëherë Perëndisë. Duke ruajtur në dukje jetën mondane të një aristokrateje të pasur, Melania e re filloi të mbante një këmishë me lesh të ashpër nën rrobat e saj të mëndafshta dhe të bënte fshehurazi një jetë plot privime.

Në vitin 403, ajo solli në jetë para kohe një djalë që vdiq pak më vonë. Edhe vetë ajo i shpëtoi për një fije vdekjes, vetëm pasi u sigurua nga i shoqi se nuk do ta shtynte më tej mbajtjen e premtimit të saj. Gjyshja e saj, Melania e Vjetra, që kishte mbërritur në Romë nga Lindja në vitin 402, pas një mungese 37-vjeçare, e mbështeti dhe e inkurajoi në vendimin e saj. Vdekja e vajzës së tyre dhe e atit të Pinianit, i çliroi nga të gjitha detyrimet të dy bashkëshortët, të cilët lanë banesën e tyre në Romë dhe iu kushtuan përkujdesjes për të sëmurët dhe të burgosurit.

Melania bëri edhe një tunikë si të vetën për Pinianin dhe, duke ndjekur shembullin e Atij që, i pasur në Hyjninë e Tij, u bë i varfër dhe mori natyrën tonë të rënë për ta pasuruar me anë të varfërisë së Tij (2Kor. 8:9), ajo nisi të shpërndante te të varfrit pasurinë e saj. Pinieni kishte parë në ëndërr se duhej të kalonte një mur të lartë para se të hynte nëpër një derë të ngushtë për të shkuar në Mbretërinë e Qiejve. Por kjo nuk ishte punë e lehtë, pronat e tyre shtriheshin në mbarë perandorinë, nga Bretania në Afrikë dhe nga Spanja në Itali, pallatet e tyre ishin aq luksoze, saqë vetëm perandori mund t’i blinte ato. Ndarja e këtyre pasurive vinte në pikëpyetje ekonominë e vetë shtetit, e disa të afërm të tyre, anëtarë me influencë të Senatit, bënë gjithçka për të penguar këtë projekt. Megjithatë, falë ndërhyrjes së perandorit, Melania nisi të çlironte 8.000 skllevër nga të sajtë, duke i dhënë secilit 3 monedha floriri, pastaj me anë të njerëzve të besuar, dërgoi sasi të mëdha ari nga Perëndimi në Lindje: kisha dhe manastire u themeluan kudo; enë të shenjta dhe gurë të çmuar iu dedikuan atyre. Toka të tëra iu dhanë Kishës dhe çmimi i shitjes së tyre u shpërnda në lëmoshë. Meqë gotët e Alarikut pushtuan Romën në vitin 410, duke përhapur kudo terror në Itali, 2 bashkëshortët shkuan në Sicili me 60 virgjëresha dhe 30 murgj, pastaj nga atje në Afrikën e Veriut, ku përfunduan likuidimin e pronave të tyre, duke themeluar manastire dhe duke i ndihmuar viktimat e sulmeve të barbarëve.

“Në do të bëhesh i përsosur, shko e shit pasurinë tënde, dhe jepua të varfërve; dhe do të kesh thesar në qiell, dhe eja e ndiqmë pas” (Matth. 19:21). Në të kundërtën e të riut të pasur të Ungjillit, Melania u zhvesh me dëshirë nga të gjitha të mirat e saj për të ndjekur Zotin. Tashmë e çliruar, ajo iu përkushtua arenës së asketizmit. Ishte vetëm 30 vjeçe, dashuria për Perëndinë ishte aq e fortë në zemrën e saj, saqë ia nënshtroi veten disiplinës më të fortë të shkretëtirës, pa i dhënë vetes kurrfarë ngushëllimi, me pretekst se ishte mësuar me lukse dhe lehtësira në rininë e saj. Mbante gjithnjë veshur një rrobë të ashpër dhe, pas një ushtrimi të vazhdueshëm, ajo e kaloi tërë jetën e saj në kreshmë të plotë 5 ditë në javë, duke ngrënë shumë lehtë vetëm të shtunën dhe të dielën. Vetëm me lutjet e nënës së saj Albina, që e shoqëronte kudo, ajo pranoi të hante pak vaj 3 ditë pas Pashkës.

Gjente tërë kënaqësinë e jetës në studimin e Shkrimit të Shenjtë, të Jetës së Shenjtorëve dhe të veprave të Etërve të Kishës, që i lexonte në latinisht dhe në greqisht. Pasi çlodhej vetëm dy orë, ajo qëndronte në lutje për tërë natën dhe i mësonte virgjëreshat që e kishin pasuar, të merrnin pjesë në agripni dhe të ishin gati për të pritur me përkushtim Dhëndrin. Me gjithë dëshirën e saj të madhe për të jetuar vetëm për Dhëndrin dhe t’ia kushtonte tërë kohën e saj lutjes së pandërprerë, nuk mund ta bënte këtë gjë për shkak të detyrimeve të shumta. Kështu, ditët ia kushtonte përdëllimit dhe lëmoshave për të varfrit, si dhe drejtimit të nxënëseve të saj dhe netët ia kushtonte Perëndisë, duke u mbyllur në një sënduk, në të cilin nuk mundej dot të shtrinte as këmbët. Sulmeve të demonit të lavdisë kotë ajo iu përgjigjej me ironi përbuzëse dhe kultivonte ndaj të gjithëve një shpirt ëmbëlsie, saqë para se të vdiste mundi të thoshte se nuk e kishte zënë kurrë gjumi me një mendim të keq ndaj dikujt tjetër.

Pas 7 vjetësh në Afrikë, ajo u nis për një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë së bashku me nënën dhe të shoqin, që ishte bërë vëlla shpirtëror. Ndaloi në Aleksandri për t’i bërë një vizitë shën Kirillit. Në Jerusalem, ajo i kalonte të gjitha ditët në bazilikën e Ngjalljes dhe, kur mbylleshin dyert në perëndim të diellit, shkonte në Golgotha për të kaluar natën. Pas një udhëtimi të ri në Egjipt, pranë asketëve të shkretëtirës së Nitrisë, u vendos në Malin e Ullinjve në një qeli të bërë me dërrasë, të cilën e ëma e kishte ngritur në mungesë të saj. Atje qëndroi për 14 vjet (417-431). Çdo Kreshmë të Madhe, nga Theofania në Pashkë, ajo u mbyllej aty, e veshur me një rrobë të ashpër dhe shtrihej mbi hi, pranonte të takonte vetëm nënën e saj, Pinienin, kushërirën e saj të re, Paulën, bijën e shën Paulës.

Kjo mbyllje e rreptë nuk e pengonte të interesohej për jetën e Kishës. Ajo kishte një zell të madh për besimin orthodhoks dhe kundërshtoi me forcë partizanët e Pelagit. I jepte një rëndësi të madhe vullnetit të lirë të njeriut, duke ndjekur mësimin e shën Jeronimit, që ajo e takoi në Betlehem dhe të shën Augustinit që ushqente për të një admirim të madh dhe që i kushtoi edhe librin e tij Për Hirin e Krishtit dhe mëkatin origjinal (418).

Pas vdekjes të së ëmës, në vitin 431, Melania doli nga mbyllja dhe themeloi në Malin e Ullinjve një manastir që ndiqte zakonet liturgjike të Romës, i cili u popullua me 80 virgjëresha, falë zellit të Pinienit. Në përulësinë e saj të skajshme, shenjtorja nuk pranoi të merrte drejtimin, por caktoi një tjetër drejtuese dhe u kënaq vetëm me dhënien e mësimit shpirtëror, si me anë të fjalëve, ashtu edhe shembullin e sjelljes. Njësoj si Zoti, ajo ishte shërbëtorja e të gjithëve, ndihmonte motrat e sëmura dhe kryente edhe punët më të vështira për to. Ajo i mësonte të shenjtëronin shpirtin dhe trupin e tyre me anë të virgjërisë së shenjtë, i këshillonte që të përdornin ndaj vetes dhunën e shenjtë të mësuar nga Zoti (Matth. 11:12) për të hequr dorë nga vullneti i tyre dhe për të themeluar tempullin shpirtëror të virtyteve mbi bindjen.

Duke marrë shembull jetën e etërve, ajo i nxiste të ishin këmbëngulëse në betejën shpirtërore, të vigjilonin kundër kurtheve të të ligut, të kishin zell dhe të përqendronin mendjen e tyre në lutjen e natës dhe, mbi të gjitha, në përdëllimin e më të dobtëve. “Të gjitha virtytet dhe të gjitha asketizmat janë të kota pa dashurinë thoshte ajo. Djalli mund të imitojë me lehtësi virtytet tona, ai mposhtet vetëm nga përulësia dhe dashuria”. Vëllai i saj shpirtëror, Pinieni, vdiq në vitin 432. Ajo e varrosi me Albinën, pranë shpellës ku Krishti u paratha nxënësve shkatërrimin e Jerusalemit dhe qëndroi për 4 vjet në një qeli pa dritare, plotësisht e izoluar prej botës. Pastaj ajo ngarkoi nxënësin dhe biografin e saj, Gerontin, që të krijonte një manastir burrash, drejtimin shpirtëror të të cilit e mori vetë, një rast i jashtëzakonshëm në historinë e Kishës.

Në fund të vitit 436, shkoi në Konstandinopojë me kërkesë të ungjit të saj, Volusienit të fuqishëm, që mbështeste me kokëfortësi paganizmin. Kur mbërriti, ajo e gjeti të sëmurë rëndë dhe arriti që, me ndihmën e patriarkut Prokli, ta bindte që, para se të vdiste, të pagëzohej me Pagëzimin e shenjtë. Duke gjetur kryeqytetin të trazuar për shkak të zënkave që kishin të bënin me doktrinën heretike të Nestorit, ajo bëri fushatë për dogmën orthodhokse para se të kthehej përsëri në manastirin e Malit të Ullinjve. Pas një viti, perandoresha Evdhokia ndërmori një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë sipas rekomandimeve të shën Melanisë, të cilën e kishte njohur në Konstandinopojë dhe që e konsideronte si nënën e saj shpirtërore. Kur pa komunitetin e saj, sovrania i kërkoi këshillat e saj të urta për fondacionet e shumta dhe donacionet e pasura që atëherë u kishte bërë manastireve dhe kishave.

Perëndia i fali shërbëtores së Tij pa vonesë hirin e shërimeve që ajo i kërkonte; por e vënë në dijeni për kurthet e demonëve në lidhje me lavdinë e kotë, Melania i jepte gjithnjë atyre që vinin të kërkonin ndërmjetimin e saj qoftë vaj nga llambat e vendosura mbi varret e martirëve, apo ndonjë objekt që i takonte një njeriu të shenjtë, që askush të mos mendonte se shërimi ishte kryer për shkak të virtytit të saj.

Pasi jetoi një jetë të tillë, në mënyrë konstante në ndjekje të Dhëndrit qiellor, ajo nuk kishte asnjë dëshirë, përveçse të ishte bashkë me Krishtin (Fil. 1:23). U sëmur kur ishte duke festuar Krishtlindjen në Betlehem (439), mblodhi murgeshat e saj kur u kthye nga Jerusalemi, për t’u dhënë testamentin e saj shpirtëror. Ajo i siguroi që do të ishte gjithmonë e pranishme në mënyrë të padukshme pranë tyre, me kusht që ato të ruanin me frikë Perëndie llambat e ndezura njësoj si virgjëreshat e urta (Matth. 25:1-13), në pritje të ardhjes së Zotit.

Pas 6 ditësh, ajo u dha porositë e saj të fundit murgjve dhe caktoi Gerontin igumen dhe atë shpirtëror të 2 manastireve, pastaj fjeti ëmbëlsisht në paqe me një gëzim plot shpresë, duke thënë këto fjalë: “Siç i pëlqeu Zotit, kështu dhe u bë”. Murgj të ardhur nga manastiret, nga shkretëtirat dhe të gjitha anët e Palestinës kremtuan një agripni gjatë gjithë natës dhe në çastin kur do ta varrosnin, herët në mëngjes, e mbuluan me rroba, rripa, kukula murgërorë dhe me shumë objekte të tjera, që i kishin si bekim nga persona të tjerë të shenjtë. Manastiri i Shën Melanisë u shkatërrua në vitin 614, gjatë pushtimit pers, por deri më sot nderohet shpella e saj në Malin e Ullinjve.

* * * * *

Dëshmor Zotiku i Jetimores.

Lindur në Romën e vjetër në gjirin e një familjeje të krishterë, shën Zotiku iu besua mësuesve më të mëdhenj të kohës dhe përparoi shumë në virtyt. Për këtë arsye, sapo kishte kapërcyer adoleshencën, u caktua nga perandori Konstandini i Madh për të qenë një prej bashkëpunëtorëve të tij në themelimin e kryeqytetit të ri në Bizant, qytet që do t’ia kalonte të gjitha qyteteve të tjera, sa i takon madhështisë (u inaugurua në maj 330).

Ndërsa shpërtheu një epidemi lebre, sovrani dha urdhër të dëbonin nga qyteti ose të hidhnin në det të gjithë ata që i kishte prekur lebra, pa bërë dallim për origjinën e tyre, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të saj. I pushtuar nga dhembshuria, shën Zotiku shkoi në pallat dhe i kërkoi perandorit t’i jepte një sasi të madhe ari “që të blinte perla dhe gurë të çmuar për të ngritur më lart lavdinë e Madhërisë Suaj, meqë kam përvojë të madhe në këto punë” siç i tha vetë shenjtori atij. Pasi mori ar aq sa i nevojitej, falë këtij marifeti të shenjtë, Zotiku e përdori për të blerë gurë të vërtetë të çmuar dhe shkonte qytet më qytet për të lehtësuar të sëmurët e shumtë e duke blerë ata që i çonin drejt mbytjes ose internimit. Ai i çonte në numër të madh në kodrën e Ullinjve, që ndodhet në anën tjetër të Bosforit, ku kishte ndërtuar tenda dhe kasolle të bëra me gjethe dhe u ofronte me dashuri përkujdesje dhe ngushëllim.

Kur Konstanci, partizan i herezisë së Ariosit, u ngjit në fron pas vdekjes së të atit (337), ai nisi të persekutonte mbrojtësit e Orthodhoksisë. Oborrtarët, që ishin xhelozë për privilegjet e Zotikut, gjatë mbretërimit të mëparshëm, përfituan nga rasti për ta akuzuar atë pranë perandorit se kishte mendime të kundërta me të tijat dhe se shpërdoronte paranë e shtetit duke u kujdesur për lebrozët. Shpifjet e tyre u dyfishuan kur, përveç lebrës, një zi e tmerrshme buke ra mbi Romën e Re. Sipas tyre, Zotiku ishte përgjegjësi i tërë atyre të këqijave. Duke i paraprirë vendimit të Konstancit, i lumuri u shfaq vetë përpara tij, i veshur me një veshje të shkëlqyeshme, e i propozoi atij të shkonin së bashku për të parë gurët e çmuar që ai kishte blerë.

Kur mbërritën në këmbët e kodrës, Konstanci pa të vinin drejt tij, në një procesion të rregullt, një turmë e madhe lebrozësh, duke mbajtur të gjithë nga një copë qiri në duar dhe në krye të tyre ishte e bija, e cila, e prekur nga lebra, kishte shpëtuar prej mbytjes, falë përpjekjes së Zotikut. Pyetjes së perandorit, shenjti iu përgjigj: “Ata që po vijnë drejt teje janë gurët e çmuar që i japin shkëlqim diademës (kurorës) mbretërore qiellore që ti do të fitosh për trashëgimi, me anë të lutjeve të tyre, o imzot. Këto i kam blerë për të të ndihmuar ty në shpëtimin e shpirtit tënd.

Në vend që të gëzohej, ati dhe tirani i pamëshirshëm u pushtua nga një zemëratë e dhunshme e, për pasojë, i urdhëroi ushtarët ta kapnin Zotikun dhe ta tërhiqnin pas mushkave të egra, që trupi i tij të bëhej copa-copa. Të ngacmuara nga xhelatët, mushkat morën të tatëpjetën, duke tërhequr zvarrë, midis gurëve, gjembave dhe shkurreve trupin e të lumurit. Kur mbërriti në kishën e Shën Pandelejmonit, atij i shkulën syrin e djathtë dhe një burim ujërash të mrekullueshme buroi menjëherë në atë vend, pastaj mushkat kthyen rrugën dhe shkuan deri në majë të kodrës, e qëndruan aty të palëvizura si për të nderuar trupin e pajetë të shenjtorit.

Ndërsa xhelatët po i shponin që të vazhdonin rrugën e tyre, ato papritur folën me fjalë njerëzore, njësoj si dikur gomarica e Valaamit (Numrat 22: 28-30) dhe thanë se trupi i tij duhej të varrosej aty mbi kodër. I habitur, perandori u pendua për sjelljen e tij dhe e varrosi me nderime trupin e martirit të shenjtë dhe urdhëroi të ndërtohej një spital për përkujdesjen e lebrozëve. Për shumë shekuj, këta fatkeqë morën atje, jo vetëm ndihmën e shkencës njerëzore, por një numër i madh mes tyre u shëruan në mënyrë të mrekullueshme me anë të lutjes së shën Zotikut, të cilin e nderonin si themeluesin e institucioneve të bamirësisë të kryeqytetit të Bizantit.