UNGJILLI – Marku 12:1-12.

Dhe nisi t’u flasë atyre me paravoli. Një njeri mbolli një vresht, edhe e thuri me gardh, edhe gërmoi një tirë, edhe ndërtoi një pirg, edhe e pajtoi ndër bujq, edhe iku në dhe të huaj. Edhe në kohën e të vjelave dërgoi një shërbëtor tek bujqit, që të marrë prej bujqve nga frytet e vreshtit. Po ata e kapën dhe e rrahën, edhe e kthyen prapa duarbosh.

Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor tek ata; por edhe atë e rrahën me gurë, edhe i çanë kryet, edhe e kthyen prapa të turpëruar. Edhe përsëri dërgoi një tjetër; po edhe atë e vranë; edhe shumë të tjerë dërgoi, por disa i rrahën, edhe disa i vranë.

Duke pasur pra edhe një bir, të dashurin e tij, e dërgoi edhe atë tek ata më në fund, duke thënë se do të kenë turp prej tim biri. Po ata bujqit, kur e panë duke ardhur, i thanë njëri-tjetrit se ky është trashëgimtari; ejani ta vrasim, edhe trashëgimi do të jetë yni. Edhe e morën, edhe e vranë, edhe e nxorën jashtë vreshtit.

Ç’do të bëjë pra i zoti i vreshtit? Do të vijë e do të shfarosë bujqit, edhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve. As këtë shkrim s’e keni lexuar: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë i qoshes; prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë”.

Edhe ata kërkonin ta kapnin; po patën frikë nga turma; sepse e kuptuan se për ata e tha paravolinë; edhe e lanë e ikën.