APOSTULLI – Titi 1:15-2:10
Për të pastrit të gjitha janë të pastra; po për të ndyrët e të pabesët asgjë s’është e pastër, por edhe mendja edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndyra. Pohojnë me gojë se njohin Perëndi, po me veprat e mohojnë, sepse janë të ndyrë dhe të pabindur, edhe në çdo punë të mirë të paprovuar.
Po ti fol ato që duhet për mësimin e shëndoshë. Pleqtë të jenë të përmbajtur, të hijshëm, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim. Gjithashtu edhe plakat të kenë sjellje siç u ka hije shenjtëve; jo shpifëse, jo të dhëna shumë pas verës, mësuese të mira, që të mësojnë të rejat të duan burrat e djemtë e tyre, të urta, të pastra, shtëpiake, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që të mos blasfemohet fjala e Perëndisë. Të rinjtë gjithashtu nxiti të jenë të urtë.
Në të gjitha tregoje veten tënde shembull punësh të mira, duke treguar në mësim paprishje, nder, fjalë të shëndoshë e të padënueshme, që të turpërohet ai që është kundër, e të mos ketë të flasë për ju asgjë të ligë. Shërbëtorët t’u binden zotërve të tyre, në të gjitha punët të jenë të pëlqyeshëm, të mos kthejnë fjalë; të mos e bëjnë të tyren gjënë e huaj, po të tregojnë çdo ndershmëri, që të stolisin në gjithçka mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.