APOSTULLI – Titi 1:5-14.
Prandaj të lashë në Kretë, që të ndreqësh të metat, edhe të vendosësh në çdo qytet pleq siç të urdhërova unë: kush të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, që ka bij besimtarë që s’përfliten për plangprishës ose për të pabindur. Sepse episkopi duhet të jetë i paqortueshëm, si kujdestar i Perëndisë; jo i vrazhdë, jo zemërak, jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm, por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, shenjt, i përmbajtur; i ngjitur pas fjalës së vërtetë sipas mësimit që mori, që të mundë edhe të nxisë të tjerë me anë të mësimit të shëndoshë, edhe të qortojë ata që flasin kundër.
Sepse janë shumë të pabindurit që flasin fjalë të kota e që mashtrojnë, më fort ata që janë nga rrethprerja, të cilëve duhet t’u mbyllim gojën; që përmbysin shtëpi të tëra, duke mësuar sa nuk duhen, për fitim të pandershëm. Një nga ata, profet i tyre, tha: “Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, bisha të këqia, barqe përtace”.
Kjo dëshmi është e vërtetë. Për këtë shkak qortoi ata ashpër, që të shëndoshen në besim; edhe të mos u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që i kthejnë krahët së vërtetës.