Mbledhja per Virgjëreshën e Tërëshenjtë Mari.
Pasi i ofruam dje së bashku me engjëjt, magët dhe barinjtë adhurimin tonë Perëndisë së bërë njeri, i Cili lindi si fëmijë për shpëtimin tonë, sot duhet të nderojmë Nënën e Tij, Marinë, Virgjëreshën e Tërëshenjtë. Kisha sot na e paraqet pranë fëmijës së saj në shpellë, njëkohësisht si instrumentin e zgjedhur dhe të përgatitur nga Perëndia në të gjitha breznitë për përmbushjen e misterit të madh të Mishërimit të Tij dhe njëkohësisht si Evën e re, përfaqësuesen e parë dhe më të shquar të gjinisë së ripërtërirë njerëzore.
Si mundet mendja njerëzore të kuptojë mënyrën e padëgjuar me të cilën Perëndia zgjodhi të qëndronte dhe të shfaqej në mes të njerëzve? Biri i vetëm i Perëndisë, i lindur nga Ati para gjithë jetëve, i pandarë dhe i pashkëputur prej Tij, zihet në barkun e Virgjëreshës, pa ndihmë njerëzore, me anë të veprimit të Shpirtit të Shenjtë dhe i nënshtrohet në mënyrë të vullnetshme ligjeve të lindjes dhe të rritjes, duke i ripërtërirë ato. Pa dalë nga natyra e Tij, pa reshtur së qeni në gjirin e Atit, Ai merr mbi veten e Tij natyrën njerëzore dhe bëhet bir i vetëm i Virgjëreshës, duke endur në barkun e saj tunikën e trupit të Tij. Dy lindje: njëra hyjnore dhe e përjetshme, tjetra njerëzore dhe që i nënshtrohet kohës; por një Bir i vetëm, Fjala e Perëndisë që bëhet njeri.
Një person i vetëm lind prej saj, Perëndi-njeriu (Theanthropos); pa nënë sipas natyrës së Tij hyjnore dhe pa atë sipas natyrës njerëzore. Ai bashkon kaq ngushtësisht ato që ishin të ndara nga një humnerë e pakalueshme, të cilat, pa u ngatërruar cilësitë e natyrës hyjnore dhe ato të natyrës njerëzore, shkëmbehen në Atë në një mënyrë të patregueshme. Është e njëjta gjë sikur të futësh në zjarr një copë hekuri, zjarri merr nga hekuri fortësinë dhe hekuri mbulohet me ngrohtësinë dhe dritën e zjarrit, po kështu Hyjnia vuan në mënyrë të vullnetshme dobësinë e mishit dhe natyra njerëzore vishet me lavdinë e Perëndisë. Në këtë mënyrë mund të kremtojmë në të gjithë të vërtetën të Tërëshenjtën, si Perëndilindëse (Theotokos).
Fëmija i vogël që lind në grazhd nuk është një njeri i thjeshtë, që thirret për të marrë në vijim hirin hyjnor në shpërblim të virtyteve të tij, si shenjtorët, ose si profetët, një i zgjedhur i Perëndisë, ose një njeri i hyjnizuar (theofor), por, Ai është me të vërtetë Fjala, Personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, që ka marrë mbi Vete natyrën njerëzore për ta ripërtërirë, për ta rikrijuar dhe për të restauruar në Atë ikonën e Perëndisë që ishte hijesuar dhe deformuar nga mëkati.
Parajsë shpirtërore e “Adamit të dytë”, Tempull i Hyjnisë, Urë që lidh tokën me Qiellin, Shkallë me anë të së cilës Perëndia zbret në tokë dhe me anë të së cilës njeriu ngjitet në qiell, Nëna e Perëndisë bëhet më e nderuar se Keruvimet, Serafimet dhe të gjitha Fuqitë qiellore; meqë Krishti banoi në gjirin e saj, ajo shfaqet “më e gjerë se qielli,” sepse është tashmë Froni i Perëndisë. Falë asaj, njeriu është ngjitur më lart se Engjëjt dhe lavdia e Perëndisë shkëlqen në trup.
Përpara një misteri të tillë mendja njerëzore pushtohet nga trallisja dhe do që të falet në heshtje dhe në besim, “sepse aty ku do Perëndia, ligjet e natyrës munden”. Bashkë me Josifin e heshtur, të ndriçuar prej dritës së çuditshme që ndriçonte në humnerat e shpellës, shpirti ynë sodit të Tërëshenjtën, të qetë dhe rrezatuese, të ulur pranë Fëmijës që ajo vetë e ka mbështjellë dhe vendosur në grazhd. Tek ajo nuk kishte asnjë gjurmë prej dhimbjeve të lindjes dhe prej mundimit që ndodh në gratë e tjera, sepse duhej që ajo, e cila në fakt, ishte e virgjër në shpirt dhe në trup, foshnja e së cilës nuk ishte zënë në kënaqësi, të mos lindte në dhimbje. Virgjëreshë para zënies, virgjëreshë para lindjes dhe virgjëreshë përherë pas lindjes së Shpëtimtarit, ajo u bëri të ditur kështu grave gëzimin dhe çlirimin prej mallkimit të Evës, nënës së parë, ditën e shkeljes (Gjen. 3:16).
Një mënyrë e re ekzistence hapet përpara natyrës njerëzore: sepse njësoj si Perëndia që ka zgjedhur virgjërinë për të lindur trupërisht në këtë botë, po njësoj Perëndia me anë të virgjërisë do të shfaqet dhe do të madhështohet në shpirtin e çdo të krishteri që do të ndjekë në botë modelin e sjelljes së Nënës së Perëndisë.
* * * * *
Omologjet Efthimi.
Shën Efthimi, me origjinë nga Uzares, në kufi me Likaoninë, u dërgua nga prindërit e tij në Aleksandri për të ndjekur studimet. Pas disa vjetësh, kur u kthye në atdhe, veshi rrobën murgërore në një manastir të krahinës së tij, ku tregoi një sjellje aq shembullore në përulësi, bindje dhe në virtytet e tjera, saqë shumë shpejt u bë dhjak e për pak kohë prift.
Fama e diturisë dhe e virtytit të tij u përhapën kudo, ndaj u thirr nga besimtarët e Kishës së Sardës për të marrë detyrën e episkopit që ishte duke vdekur. Me gjithë kundërshtimin e tij, murgu i shenjtë iu nënshtrua vullnetit hyjnor dhe u bë ikonë e Krishtit, një bari plot zell për shpëtimin e grigjës së tij. Shërbëtor i të gjithëve, dhe jo zotëri i tyre, ai u mësonte me autoritet fjalën e Perëndisë dhe shkëlqente në zellin e tij për t’u përkujdesur për të varfrit.
Në vitin 787, kur perandoresha Irini dhe biri i saj Konstandini mblodhën Sinodin VII Ekumenik në Nikea, për të dënuar armiqtë e ikonave të shenjta, shën Efthimi ishte midis 367 etërve dhe shkëlqeu me autoritetin e tij, për shkak të njohurisë së thellë të traditës kishtare. Gjatë mbledhjes së 4-t, ishte ai që shpalli përcaktimin zyrtar për nderimin e ikonave të shenjta. Ai luajti një rol parësor vendimtar gjatë këtij sinodi dhe fitoi mbështetjen dhe mirëbesimin e perandorit Konstandin VI dhe u ngarkua prej tij me shumë misione zyrtare gjatë mbretërimit të këtij të fundit (780-797).
Gjatë mbretërimit të Niqiforit I (802-811), mitropoliti i Sardës, i ofroi strehë një vajze që donte të arratisej nga të sajtë, të cilët donin ta martonin kundër dëshirës me një prej dinjitarëve të oborrit dhe e mbuloi me mbrojtjen e Skimës së padhunueshme murgërore. I tërbuar dhe plot inat, pretendenti shkoi dhe u ankua pranë perandorit, duke e quajtur veten të gënjyer dhe duke i bërë akuza të rreme episkopit. Kështu perandori vendosi ta largonte nga mitropolia e tij dhe e dërgoi në internim në ishullin Patelaria. Efthimi qëndroi aty për shumë vjet, i nënshtruar ndaj keqtrajtimeve të barbarëve dhe në vitin 814 u thirr në Konstandinopojë, për të pësuar mundime të tjera. Perandori Leon V Armeni (813-820), i cili ndërmori një persekutim tjetër kundër ikonave të shenjta, e thirri dhe donte ta detyronte që të bashkohej me partinë e tij.
Por, kur pa refuzimin energjik të shenjtorit dhe këmbënguljen e tij në pohimin e besimit të vërtetë, e internoi në qytetin e Asonit. Edhe në këtë sprovë të re, Efthimi e ruajti të plotë gëzimin që po vuante për emrin e Krishtit, tek i Cili kishte vendosur tërë shpresën e tij. Pas vdekjes së Leonit, u rithirr në Konstandinopojë dhe u paraqit te perandori i ri, Mihail II (820-829), në shoqërinë e një pohuesi tjetër të njohur të ikonave të shenjta, të shën Methodit (kujtohet më 14 qershor).
Pa pasur frikë për fuqinë kërcënuese të sovranit dhe i rrëmbyer prej zellit hyjnor, njësoj si të profetit dikur, Efthimi thirri përpara perandorit ikonoklast: “Ai që nuk nderon Zotin tonë Jisu Krisht, të paraqitur në ikonë sipas natyrës së tij njerëzore, qoftë i mallkuar”. I tërbuar nga zemërimi për shkak të një fyerjeje të tillë, perandori urdhëroi menjëherë internimin e ri të shenjtorit në kepin Akritas, në skajin e Detit të Zi, ku u mbajt në burg për 3 vjet në një qeli të ngushtë dhe me erë të keqe. U thirr më pas në Bizant për t’u shfaqur përpara perandorit Theofil (829-842), i cili ishte armik i përbetuar i ikonave të shenjta. Pohuesi i shenjtë i besimit tregoi të njëjtin qëndrim të patrembur dhe duroi pa u trembur 400 të rrahura me shkop. Pasi perandori e mori përsëri në pyetje, shenjti e qortoi për pabesinë e tij me të njëjtin guxim, ndaj e rrahën më egërsisht me kamxhik të bërë me lëkurë bualli, saqë trupi i tij u bë tërë plagë dhe u fry si kacek. I flakur në një bodrum të errët, sikur të ishte kafshë, i lumuri mbijetoi edhe 8 ditë të tjera në vuajtje të tmerrshme, pastaj e dha më në fund shpirtin te Perëndia, si një luftëtar trim që përmbushi detyrën e tij, më 26 dhjetor 831.
Lipsani i vyer i shën Efthimit kreu menjëherë mrekulli të shumta dhe shërime. I nderuar për shumë shekuj në Konstandinopojë, më pas lipsanin e transferuan në Hersona (Krimeja e sotme), pas marrjes së kryeqytetit nga turqit (1453). Më pas e transferuan fshehtazi në Kile, pranë Kalqedonisë. Gjatë dëbimit të popullisë greke të Azisë së Vogël, në vitin 1922, banorët e Kilesë e morën me vete në Greqi kafkën e shenjtorit, si thesarin e tyre më të vyer dhe ndërtuan më pas në Pire një kishë, ku nderohet edhe sot me shumë besim.