Lindja Trupore e Zotit Tonë Jisu Krisht.
Në kulmin e mbretërimit të tij, Cezar Augusti (30 përpara Krishtit, deri në 14 pas Krishtit), perandori i parë romak, pasi i nënshtroi të gjithë popujt e botës së njohur në një autoritet të vetëm, vendosi të bënte një regjistrim të gjerë të të gjitha subjekteve të perandorisë së tij. Në këtë mënyrë, u bë, pa dashur ai vetë, vegla e realizimit të planit të Perëndisë.
Në fakt, duke mbledhur në një unitet të gjerë popuj me zakone dhe gjuhë të ndryshme, ai i përgatiti për të marrë zbulesën e Perëndisë së vetëm në tre persona dhe i hapi kështu rrugën shpalljes universale, të mbarëbotshme të Ungjillit sipas premtimit hyjnor: “Do të të jap kombe si trashëgimi” (Ps. 2:8). Për më tepër, ky regjistrim i parë u bë lajmërimi profetik i regjistrimit të të zgjedhurve në Librin e jetës (Fil. 4:3; Zbul. 21:27).
Dekreti i perandorit, që kishte mbërritur në Palestinë, kur Kuirinusi ishte guvernatori i provincës së Sirisë, lejoi realizmin e profecisë sipas së cilës Mesia do të lindte në pasardhjen e Judës, në Betlehem, atdheu i mbretit David (Mikea 5:1; Malakia 2:6). Sepse Josifit, që atëherë ndodhej me Marinë në Nazaret (në Galile), iu desh të merrte rrugën për t’u regjistruar në atdheun e etërve të tij, Betlehem, me gjithë faktin e shtatzënisë së avancuar të asaj që në sytë e të gjithëve ishte gruaja e tij.
Kur mbërritën në vendin për ku ishin nisur, njerëzit që kishin mbërritur nga të gjitha vendet për të bërë regjistrimin ishin aq të shumtë, saqë ata nuk mundën të gjenin vend në bujtinat e qytetit dhe u detyruan ta kalonin natën jashtë tij, në një shpellë, që shërbente si stallë për kafshët. Maria e ndjeu se kishte ardhur momenti i lindjes. Josifi e vendosi siç mundej në kashtë, pastaj doli me nxitim dhe shkoi për të gjetur një mami.
Gjatë kohës që po ecte, vuri re se natyra po ndalej papritur, si e pushtuar nga frika: zogjtë qëndronin të palëvizur, të ngrirë në fluturim, njerëzit dhe kafshët, edhe ata ishin të ngrirë në lëvizje, rrjedha e ujërave ishte ndalur. Kjo rrjedhë e pareshtur lëvizjeje që i çon të gjitha gjërat nga lindja në vdekje dhe i mbyll në kotësi (Ps. 38:6-7; 102, 15; Kishtari 1; Isaia 40:7 etj.), ishte ndalur, sepse në atë çast i Përjetshmi po depërtonte në zemër të kohës. Perëndia i parajetshëm po bëhej fëmijë i sapolindur. Një dimension i ri i kohës dhe i historisë po inaugurohej. Pas kësaj ndalese të papritur të kohës, gjithçka rifitoi rrjedhën normale.
Josifi gjeti një mami që po zbriste nga mali dhe e çoi drejt shpellës, duke i treguar se ku ndodhej ajo që do të lindte. Por ata nuk mund të hynin dot brenda shpellës, sepse një re e dendur i pengonte dhe nuk i lejonte të hynin, njësoj si dikur në Malin Sina kur Perëndia iu zbulua Moisiut (Eks. 19:6). Gruaja ra përtokë duke thirrur: “Shpirti është madhëruar në këtë ditë, sepse sytë e mi kanë parë një mrekulli; një Shpëtimtar ka lindur në Izrael”. Reja u largua, duke i lënë vendin një drite të mrekullueshme, që duke u pakësuar, i lejoi të hynin për të parë me habi të Tërëshenjtën të ulur në cep të grazhdit, ku kishte vendosur fëmijën e lidhur në shpërgënj.
I mësuar qysh më parë nga një engjëll, se Virgjëresha e Shenjtë kishte zënë në barkun e saj Shpëtimtarin me anë të Shpirtit të Shenjtë (Matth.1:21), Josifi po shikonte dhe po e sodiste në heshtje atë fëmijë që kishte lindur në kashtë, si Mesian e pritur dhe të lajmëruar nga etërit e tij përgjatë kaq shumë brezash. Sa e mrekullueshme ishte ajo pamje dhe sa e pamundur që ishte për ta shprehur me fjalë!
Perëndia i tërëfuqishëm dhe Krijuesi i të gjithave bëhet krijesë e përulur dhe delikate, ai bëhet foshnjë, pa çati, pa reshtur së qeni Perëndi i pafund. Fjala hyjnore mori mish dhe veshi natyrën tonë njerëzore për ta bërë atë një zbukurim mbretëror. Atë që nuk mund ta mbajë dot tërë gjithësia, që është i ulur mbi një fron qiellor dhe që e lavdëron pareshtur oborri i fuqive të panumërta qiellore, lejon që të mbahet në një gropë të ngushtë dhe të errët, duke u bërë objekt i refuzimit dhe i përbuzjes së të gjithëve. Atë që “duke qenë në formë Perëndie” “e zbrazi veten e tij, duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit” (Fil. 2:7). Ai bëhet i varfër “për të na pasuruar në varfërinë e Tij” (2 Kor. 8:9).
I paprekshmi pranon të mbulohet me shpërgënj për të na çliruar prej mëkateve dhe për të mbuluar me lavdi hyjnore ata që ndodheshin në çnderim. Biri i Vetëm i Perëndisë, Ai që ndodhet në gjirin e Atit gjatë gjithë përjetësisë, bëhet Bir i njeriut dhe i Virgjëreshës pa pushuar së qeni Perëndi, që të jetë “i parëlinduri i një numri të madh vëllezërish” (Rom. 8:29), duke iu kthyer njerëzve dinjitetin e të qenurit bij të adoptuar të Perëndisë (Jn. 1:11; Lluk. 6:35; Gal. 4:4-7). Ai qëndron i shtrirë në një djep dhe soditet prej gomarit dhe kaut, duke plotësuar kështu profecitë që thonë: “Midis dy kafshëve ti do të njihesh” (Habak. 3:2 sipas të Shtatëdhjetëve), “Kau e njeh atë që e ka krijuar dhe gomari grazhdin e të Zotit të tij” (Isaia 1:3 sipas të Shtatëdhjetëve).
Ai që ushqen çdo qenie me anë të Përkujdesjes së Tij, është i shtrirë në grazhd të këtyre kafshëve pa arsye, simbole të dy popujve hebre dhe pagan, për të shëruar njerëzit nga marrëzia e tyre, për të pajtuar ata që janë të ndarë nga urrejtja (Efes. 2:16) dhe për t’u ofruar si ushqim për të gjithë, si Buka e vërtetë e jetës (Jn. 6:51). Në këtë skenë mund të soditësh, thonë etërit e shenjtë, një ikonë të Kishës: djepi është kupa që mban Atë që bëhet njeri sot dhe që jep veten si ushqim për jetën e botës. Virgjëresha është njëkohësisht froni dhe altari i sakrificës, shpella një tempull; engjëjt, Josifi dhe barinjtë, shërbejnë si dhjakonë dhe vetë Zoti është Kryeprifti që kremton këtë Liturgji Hyjnore.
Salomeja, një grua e zonës, erdhi të kalojë së andejmi. E vënë në dijeni nga mamia, ajo nuk tregoi të njëjtin besim. Është e pamundur që një Virgjëreshë të lindë, dhe madje të mbetet Virgjëreshë pas lindjes. Në mosbesimin e saj, njësoj si më vonë apostull Thomai (Jn. 20, 26), ajo iu afrua dhe kërkoi të shihte pa pasur frikë trupin e panjollë të së Tërëshenjtës. Por menjëherë dora e saj ngriu dhe ajo thirri: “Mjerë unë për mungesën e besimit dhe të shpresëtarisë! Kam tunduar Perëndinë e jetës! Dhe ja dora ime, si e tharë prej zjarrit, po shkëputet prej meje!”.
Duke rënë në gjunjë, ajo iu lut Zotit me lot për të pasur mëshirë. Me ndërhyrjen e një engjëlli, ajo mori fëmijën-Perëndi në duart e saj, duke shpallur me një besim të sinqertë dhe plot frikë: “Po i falem Atij, sepse një mbret i madh është lindur në Izrael”. Ajo u shërua menjëherë, por engjëlli e porositi t’i mbante të fshehura këto mrekulli, deri në shfaqjen publike të Zotit.
Kjo mrekulli e jashtëzakonshme, që kryhet sot në shpellën e përulur të Betlehemit, është përmbushja e të gjitha profecive të thëna nga profetët e Izraelit, përfundimi i përgatitjes së duruar, të kryer në të gjithë shekujt nga ana e njerëzimit, që nga Davidi, Avrahami, Noeu dhe Adami.
Në këtë ditë, “në këto kohë të fundit”, Perëndia na dërgon Birin e Tij të vetëm, “me anë të të cilit ka bërë shekujt” (Hebr. 1:2) dhe i zbulon kështu botës Misterin e Madh të Shpëtimit tonë, i mbështjellë në heshtje dhe i mbajtur i fshehtë nga Perëndia, në vendimin e pashprehur me fjalë të Tre Personave të Trinisë së Shenjtë, para krijimit të botës (Rom. 16:25; 1 Kor. 2:7; Efes. 3:5,10; Kol. 1:26). Ky është qëllimi: të parit e kësaj dite, për të cilin janë krijuar qielli dhe toka, sipërfaqja e saj dhe gjithë qeniet.
Mister i çuditshëm, i pakuptueshëm, i pakapshëm për çdo mendje njerëzore dhe madje edhe për vetë mendjen e engjëjve: “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14). Ai që është Perëndi nga natyra, merr mbi vete tërë natyrën tonë njerëzore, e merr në gjirin e Virgjëreshës, e merr si një rrobë për të na kunguar me Hyjninë e Tij. Perëndi dhe njeri, një Person i vetëm, Jisu Krishti, “i njohur në dy natyra” që janë të bashkuara tek Ai “pa përzierje, pa ndarje dhe pa shkëputje”.
Perëndia bëhet njeri sot në shpellën e Betlehemit, që njeriu të bëhet Perëndi. Ky është qëllimi final për të cilin Perëndia ka bërë të gjitha gjërat nga hiçi dhe që i ka sjellë në qenie; që Fjala, Personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, të zbresë deri te ne, të marrë natyrën tonë njerëzore të plakur dhe të deformuar nga mëkati, për të shëruar plagët tona me anë të vuajtjeve të tij, që të pastrojë ikonën e tij të ndotur, për të na ripërtërirë në Atë (Efes. 2:15). Kështu na ngre lart nga humnera e vdekjes ku kishim rënë dhe na ngjit në lartësi, më lart se të gjitha fuqitë qiellore, derisa të na bëjë të rrimë bashkë me Atë, në Perëndinë (Efes. 1:22).
Jisu Krishti, Emanueli “Perëndia me ne” (Isaia 7:14; Matth. 1:23) lind në këtë ditë si një foshnjë i brishtë, mbi të cilin engjëjt përkulen me admirim. “Drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Jn. 1:9) shkëlqen në errësirën e shpellës së varfër, dhe koha e vdekjes dhe e prishjes merr fund. Solomoni nuk ka më arsye të ankohet duke thirrur me të madhe: “Nuk ka asgjë të re nën diell” (Kishtari 1:9), sepse ky fëmijë i vogël është Adami i dytë që vjen të inaugurojë një krijim të ri, një njeri të ri (2 Kor. 5:17). Tashmë, duke ndjekur Krishtin, duke iu bindur urdhërimeve të tij, duke vuajtur me Atë për t’u ngjallur prej Tij, njerëzit janë të thirrur për të shijuar pavdekësinë.
Fjala bëhet mish, Ai merr të gjitha dobësitë tona, i vjen keq për këto, por pa marrë pjesë në fajin tonë. Ai vishet me trup dhe shpirt, fëmijë i vogël ai iu nështrohet ligjeve të natyrës sonë të rënë: urisë, etjes, gjumit, mosdijes, edhe pse është i pamëkatshëm. Ai vetëm është pa mëkat (Rom. 5:21) dhe vjen të banojë në mishin që i është nënshtruar mëkatit dhe vdekjes, “që mishi të bëhet Fjalë”. Ai merr trupin që i është kushtuar varrit për ta mbushur me lavdi dhe dritë, duke bashkëndarë me atë pavdekësinë e tij. Në Atë “banon trupërisht e tërë plotësia e hyjnisë” (Kol. 2:9), në një formë të tillë që ata të cilët e ndjekin me anë të besimit, do të bashkëndajnë këtë plotësi në qenien e tyre: në frymë, në shpirt dhe në trupin e tyre.
Duke kremtuar sot zbritjen e Perëndisë në mes të njerëzve, Mishërimin e Fjalës, ne pohojmë plotësimin e të gjithë misterit të shpëtimit tonë: Krishti lind dhe tashmë njeriu bëhet trashëgimtar i lavdisë së tij. Sigurisht, kundrojmë ende një fëmijë në djep, por etërit e shenjtë nuk kanë mësuar të dallojmë në shpellën e përulur të Betlehemit shenjat e plotësimit final të Misterit të Krishtit. Festa e Lindjes dhe e Kremtja e të Kremteve, Pashka, në fakt janë një kremtim i vetëm.
Shpella bën të ditur varrin, pelenat paraqesin shpërgënjtë; këtu Krishti shfaqet në botë pa cenuar virgjërinë e Nënës së Tij, Ai triumfon mbi vdekjen dhe del nga varri pa prishur vulat; në Betlehem një engjëll u dërgohet barinjve, në Jerusalem një engjëll që shkëlqen u bën të ditur grave miroprurëse Ngjalljen.
Kudo dhe përherë një Krisht i vetëm, i bërë njeri si ne deri në vdekje, që rënia e kryer nga një njeri, Adami, të ndreqet nga një njeri, Adami i dytë (1 Kor. 15:45). “Sepse një është Perëndia, një është edhe ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jisu Krisht, që dha veten e tij shpërblim për të gjithë” (1 Tim. 2:5). Është Ai, pra, Shpëtimtari, që është Zoti të cilit i falen dhe ngazëllohen për atë të gjitha qeniet e universit, të pajtuara me anë të Tij me Perëndinë në Trupin e Tij, Kishën e shenjtë: “Plotësia e atij që i plotëson të gjitha në të gjithë” (Efes. 1:23).