Oshënar Naumi në Ohër, çudibërës.
I lindur në tokë bizantine, në epokën kur Kisha po zbukurohej përsëri me ikonat e shenjta (nga viti 843), ati ynë i shenjtë Naumi u bë nxënësi i apostujve të lavdishëm të sllavëve: shën Konstandinit (Kirillit), Metodit dhe Klementit dhe u nis bashkë me ta në mision drejt krahinave pak të qytetëruara të Evropës Qendrore (nga viti 863).
Mbretëria e re e Moravisë (krahina e Danubit të mesëm) midis Bohemisë, Bavarisë dhe Sllovakisë) përbëhej nga popullsi sllave me zakone ende barbare. Apostujt e vërtetë të Krishtit i përshkuan këto krahina për të predikuar fjalën e Zotit mes shumë mundimeve dhe sprovave të panumërta, duke vuajtur orë e çast, duke duruar talljet dhe përbuzjet e barbarëve, urinë, të ftohtët dhe të rrahurat. Ata arritën sukses të madh dhe të shpejtë ndryshe nga misionarët frankë të ardhur nga Gjermania, që tentonin të impononin gjuhën dhe zakonet latine mbi ato popullsi. Apostujt e rinj mësuan gjuhën e vendit e të banorëve dhe nisën të përkthejnë në sllavisht Shkrimin e Shenjtë dhe Liturgjinë e Shën Joan Gojartit. Meqë kjo gjuhë nuk kishte alfabet, shenjtorët e krijuan atë dhe i dhanë kështu bazamente të forta misionit të tyre me anë të librave dhe shkrimit.
Meqë vepra e tyre po përhapej me shpejtësi të madhe, ata shkuan në Romë për të marrë mbështetjen dhe përkujdesjen e papa Adrianit II (867-872). Ata u pritën me shumë shkëlqim në oborrin e patriarkut të Perëndimit dhe u nderuan si të dërguar të Perëndisë. Pas krahasimit të bërë me tekstet greke, përkthimet e tyre në gjithçka ishin besnike dhe të denja që të përdoreshin për ungjillëzimin e popujve sllavë. Papa u dha me gëzim bekimin e tij, u dha priftërinë shumë prej nxënësve të tyre dhe dha urdhër që Liturgjia Hyjnore të kryhej në sllavisht në mjaft kisha të qytetit. Gjatë qëndrimit atje, Perëndia e shfaqi në një shkallë aq të lartë mbështetjen e Tij ndaj shërbëtorëve të Vet, saqë me një shikim të vetëm ata shëronin në mënyrë të mrekullueshme të sëmurët dhe gjithë sa ndodheshin në sprova, të cilët kërkonin lutjet e tyre. Duke qenë më i riu, shën Naumi shquhej jo më pak se shokët e tij për zellin apostolik dhe fuqinë mrekullibërëse.
Pasi e lanë shën Konstandinin të mbaronte në paqe ditët e tij në një manastir të Romës dedikuar shën Kirillit, shën Metodi dhe shokët e tij morën përsëri rrugën drejt fushave të Veriut. I emëruar nga papa si kryepiskop i Panonisë, në selinë e vjetër të Sirmiumit, me juridiksion mbi territoret sllave të Panonisë, Moravisë, Sllovakisë dhe mbi një pjesë të Kroacisë, Metodi u ngarkua të vazhdonte veprën e nisur. Por situata kishte ndryshuar. Sovrani i Moravisë, duke kërkuar mbrojtjen e mbretit frank Luigj Gjermanikut, i lëshoi territoret në influencën e misionarëve gjermanë, që kërkonin të përhapnin herezinë latine të Filioque dhe donin të impononin kudo liturgjinë në latinisht, duke premtuar përdorimin e sllavishtes për predikimin. Kur mbërriti në dioqezën e tij, kryepiskopi Metod dhe misionarët e tij u quajtën uzurpatorë. I arrestuan dhe I keqtrajtuan, pastaj fshehurazi i futën në një burg të Suabisë, ku nuk kishin gjërat e domosdoshme për t’u mbrojtur nga ashpërsia e klimës.
Në burg, shën Naumi shfaqi përsëri pushtetin e lutjes së tij, duke bërë që të hapeshin dyert në mënyrë të mrekullueshme. Më në fund i liruan dhe arritën të nisnin përsëri veprën e themelimit të Kishës sllave të Evropës Qendrore, në mes të sprovave dhe vështirësive të shumta, të shkaktuara më shumë nga kleri frank, sesa prej barbarëve. Pas vdekjes së Metodit (885), pasuesi i tij Gorazdi, dhe nxënësit e tij kryesorë: Lavrenti, Klementi, Angjelari dhe Naumi u burgosën përsëri, pas intrigave të misionarëve gjermanë, madje 3 të fundit edhe u internuan. Shën Klementi dhe shokët e tij shkuan drejt mbretërisë orthodhokse të Bullgarisë, ku u pritën me gëzim të madh dhe nderim nga mbreti Boris, dhe patën të gjitha lehtësirat për vazhdimin e misionit të tyre, duke përdorur tashmë lirisht gjuhën sllave.
Gjatë këtyre pelegrinazheve misionare, shën Naumi themeloi një manastir, që edhe sot mban emrin e tij, në bregun jugor të liqenit të Ohrit. Në këtë vend u varros edhe trupi i tij pas fjetjes, i cili nderohet me zell të madh nga të krishterët e krahinës.
* * * *
Oshënar Pavli, kryepiskop i Neoqesarisë.
Në kohën që Licini mbretëronte në perandorinë e Lindjes (307-321), në Nikomedi, fama e virtyteve dhe urtësia baritore e episkopit të shenjtë të Neoqesarisë, Pavlit, mbërritën në veshët e këtij tirani dhe shtypësi të të krishterëve. Ai e thirri në oborrin e tij dhe u përpoq si fillim ta trembte me kërcënime, pastaj dha urdhër që ta fshikullonin. Por prelati i shenjtë tregoi durim të madh, dashuri dhe mëshirë për persekutorët e tij. Perandori urdhëroi pastaj të shkrihej një masë e madhe metali dhe të fusnin në të duart e shenjtorit. Nën nxehtësinë e tmerrshme, duart e shenjtorit u shkrinë dhe mishi lëshoi një erë të rëndë; më pas atleti nuk i përdorte më duart. U internua në një fortesë që ndodhej në brigjet e lumit Eufrat.
Kur shën Konstandini i Madh që erdhi nga Perëndimi, ia mori perandorinë e Lindjes Licinit (324) dhe urdhëroi pushimin e përndjekjeve kundër të krishterëve, të burgosurit u liruan dhe kështu shën Pavli arriti të kthehej në atdheun e tij. Shenjtori nisi të shkëlqente në kandilerin e Kishës së Neoqesarisë dhe, në vitin që pasoi, u thirr bashkë me episkopët e tjerë në gjithë perandorinë, për Sinodin e shenjtë dhe të madh Ekumenik të Nikeas.
Midis 318 Etërve të shenjtë orthodhoksë që mundën të shkonin të thirrur nga perandori në Bitini, të shumtë ishin ata që mbanin, si apostull Pavli dhe homonimi i tij, episkopi i Neoqesarisë, shenjat e Pësimit të Krishtit (Gal. 6:17). Dhe ia tregonin njëri-tjetrit, si zbukurime të vyera dhe tituj lavdie: disa kishin hundën të prerë, disa veshët, ndonjë nuk kishte sy, kishte nga ata që u qenë prerë ndonjë prej gjymtyrëve kur i kishin torturuar egërsisht ose i kishin duruar me heroizëm djegiet, siç ishte rasti i Pavlit. Ata dhanë dëshminë e dashurisë për Shpëtimtarin në vetë trupin e tyre dhe hodhën poshtë me autoritet doktrinat e pabesa të Ariosit, që mohonte hyjninë e Zotit tonë Jisu Krisht. Në njërën nga seancat e Sinodit, perandori Konstandin mori duart e pajeta të shën Pavlit në duart e tij, i vendosi në sytë e vet dhe i puthi me nderim si lipsane të shenjta, duke thënë: “Nuk ngopem së puthuri këto duar që janë bërë të pajeta dhe janë shkatërruar për Krishtin tim”. Kur u kthye në episkopatën e tij, pas triumfit të Orthodhoksisë, shën Pavli shkëlqeu edhe për disa vjet, pastaj ia dha në paqe shpirtin e tij Zotit.