E Diela para Krishtlindjeve, Paraetërit e Shpëtimtarit, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 19.12.2021 (Tekst)
“Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit,
të birit të Davidit, të birit të Abrahamit” (v. 1:1)
Arritëm në vigjiljen e Krishtlindjeve. Kisha jonë na parapërgatit për pritjen e Fjalës Perëndi, që u bë Foshnje e përulur për shpëtimin tonë. Dhe, Ungjilli i së dielës para Krishtlindjeve na e kthen vëmendjen drejt paraardhësve, si njeri, të Zotit Krisht. Ekzistojnë midis tyre njerëz të thjeshtë dhe të parëndësishëm, por me besë tek Perëndia, me pritje të gjallë dhe shpresën e ardhjes së Mesias dhe Çlirimtarit. Por, ekzistojnë edhe burra të rëndësishëm, Patrik të mëdhenj dhe Mbretër të lavdishëm, të cilët erdhën në kontakt dhe komunikim direkt me Perëndinë dhe Atin, dhe morën premtime të veçanta personale, për prejardhjen e Shpëtimtarit nga fisi i tyre. Nga ata është Patriarku Abraham dhe Profeti David.
“Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit…”, kështu fillon Ungjilli. Domethënë, renditje gjenealogjike e prejardhjes si njeri të Jisu Krishtit, që ishte pasardhës i Davidit, i cili ishte pasardhës i Abrahamit. Dhe pasojnë, brez pas brezi, emrat e paraardhësve të Zotit, deri tek Josifi i drejtë, mbrojtësi dhe ruajtësi i Virgjëreshës Mari.
Me këta të tre, pra, -besën, virtytin dhe shenjtërinë- do të merremi sot.
* * *
Abrahami. Është ati i besës. Asgjë nuk bëri pa urdhrin e Perëndisë. Urdhra, të cilët, sado të rëndë të ishin, i zbatonte me përpikmëri dhe përsosmëri. Tri ngjarje të jetës së tij sigurojnë këtë të vërtetë. E para, është ftesa, nga toka Kanaan, për në tokën e Premtuar. E dyta, premtimi i Perëndisë, se do ta bekojë për të pasur pasardhës, “të shumtë si yjet e qiellit”. Dhe e treta, urdhri i Perëndisë për të sakrifikuar birin e tij të vetëm, Isakun, në momentin që ai fëmijë, përbënte, për të, mbështetjen e vetme të jetës dhe shpresën e brishtë të fisit.
Që të tri këto ngjarje ishin prova të mëdha për Abrahamin. Nuk nevojitej vetëm besë e thjeshtë, por besim i plotë dhe i përsosur tek fjala e Perëndisë, që të bindet pa ngurim dhe kundërshtim. Dhe, këtë bëri Patriarku Abraham. Në rastin e parë, ftohet të lërë tokën e tij, shtëpinë e tij, të afërmit e tij, të lërë gjithçka, dhe të largohet i vetëm. Por, ku të shkojë? Nuk dihet. Bindet në të gjitha. Largohet duke ecur drejt të panjohurës.
Në rastin e dytë, merr premtimin nga Perëndia, se pasardhësit e tij do të jenë të shumtë si yjet e qiellit. Por, atëherë nuk kishte pasardhës. Dhe, që të dy, ai edhe Sara, tashmë kishin kaluar në moshë. Nga kush do të vijë, pra, ky komb i madh? Por, Abrahami bindet dhe pret.
Dhe, në rastin e tretë, ftohet të sakrifikojë birin e tij të vetëm e të shtrenjtë. Por Perëndia kishte thënë, se nga Isaku do të krijohej populli i madh i hebrenjve. Nëse pret rrënjën, tani, nga do të dalë lastari? Dhe, çfarë ati do të ishte ai, nëse, me duart e tij, do të therte birin e tij? Por, gjëra të tilla nuk mendonte besniku. Si gur bese, Abrahami, vazhdon pa ngurim edhe në zbatimin e urdhrit më të ashpër të Perëndisë, dhe shpejton të sakrifikojë Isakun. Kjo ishte besa e tij e qëndrueshme dhe bindja e tij e plotë në vullnetin e Perëndisë dhe Zotit të tij. Prandaj u zgjodh atë i besës dhe mik i Perëndisë, dhe mori premtimin e madh se, Mesia dhe Çlirimtari i njerëzve, nga fisi i tij do të vijë dhe do të quhet bir i tij. Çfarë lavdie, çfarë nderi!
* * *
Përbri Abrahamit, në baraspeshë për nga lavdia dhe nderi, qëndron profeti dhe mbreti i lavdishëm David. Bir bariu ishte dhe, nga bari të deleve të babait të tij, Perëndia e mori dhe e vajosi mbret. Shumë luftëra bëri, si mbret, Davidi. Por, të gjitha me urdhër të Perëndisë, për të shpëtuar kombin e judenjve, dhe në të gjitha, me ndihmën e Perëndisë, dilte fitimtar dhe trofembajtës. Mori edhe hirin e profetësisë nga Perëndia, dhe profetizoi me shumë përpikmëri, lindjen dhe veprën, pësimet shpëtimtare dhe ngjalljen e lavdishme të Shpëtimtarit dhe Çlirimtarit.
Por, Davidi mëkatoi, duke rënë në mëkatin e dyfishtë të vrasjes dhe kurvërisë. Njeriu i Perëndisë mëkatoi, por edhe u pendua. Ra Davidi, por u ngrit profeti. Dhe mbreti qau dhe, me lotët e shumtë të pendimit të tij të nxehtë dhe rrëfimit të sinqertë, shpëlau turpin e mëkatit që bëri, dhe Zoti e fali mëkatin e tij. Davidi ishte besnik dhe i përkushtuar ndaj Perëndisë, aq sa Perëndia arriti të thotë: “Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë gjithë dëshirat e mia” (Vep. 13:22), duke marrë edhe ai një premtim të veçantë nga Perëndia, se nga ai do të lindë Mesia. “Do të vë në fronin tënd nga fryti i barkut tënd” (Ps. 131:11). Dhe premtimi për nder dhe lavdi të Davidit u plotësua. Mesia është pasardhës dhe bir i Davidit, profetit dhe mbretit të madh.
* * *
Josifi i drejtë gjendet para të papriturës. E fejuara e tij mbetet shtatzënë, para dasmës. Pra, është e pabesë. Duhet ta përzërë nga shtëpia. Kështu, e Tërëshenjta, gjendet në një rrezik të madh. Të qëndrojë e vetme dhe, njëkohësisht, e damkosur me akuzën e frikshme se është grua mëkatare? Por Perëndia, që mbron gjithmonë njerëzit e tij të virtytshëm, vigjilon dhe ndërhyn për të ndriçuar Josifin, se gjendet para një veprimi të mrekullueshëm të Perëndisë. “Një Engjëll i Zotit iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariam; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Shpirti i Shenjtë” (Mat. 1:20). Mbrojtja e Perëndisë ndaj të Tërëshenjtës është e mrekullueshme, sepse e mrekullueshme është edhe ngjarja që i ndodhi. Kur jemi në rregull përkundrejt Perëndisë dhe vullnetit të Tij, atëherë, sado rreziqe dhe sado të këqija të na ndodhin, i Tërëfuqishmi, do të na mbrojë madje edhe nëpërmjet mrekullive.
Le të vijmë tani në gëzimin e Krishtlindjeve. Përse gëzohemi vallë? Sepse, siç tha edhe Engjëlli, Foshnja e Shenjtë, përballë grazhdit të të Cilit do të qëndrojmë pasnesër, është Jisui Krishti që do të thotë Shpëtimtar. Ai rivjen për të na shpëtuar nga mëkatet tona. Është “qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës”, siç e shpalli profeti Isaia.
* * *
Por, vëllezërit e mi të dashur më Krishtin, Fëmija, ka edhe një emër tjetër: “Emanuel, që e përkthyer domethënë, Perëndia është bashkë me ne” (Mat. 1:23), i mbushur me kujdes dhe dhimbsuri. Dëgjon lutjet tona dhe ndjek jetën tonë. Është Perëndia i dashurisë, dhe na fal kur pendohemi. Në personin e Krishtit të mishëruar, natyra njerëzore u bashkua me natyrën hyjnore, me rezultat himnizimin dhe shenjtërimin. Perëndia bëhet njeri, që ta bëjë perëndi sipas hirit njeriun, siç komentojnë Etërit e Kishës. Si të mos gëzohen dhe të mos ngazëllohen shpirtrat tanë për Krishtlindje! Dhe, për më tepër, si të mos lavdërojnë Jisu Krishtin, Emanuelin!
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI