Dëshmore Juliana dhe 630 dëshmorët.

Shën Juliana ishte bijë e një çifti pagan fisnikësh të famshëm të Nikomedisë, nën mbretërimin e mizorit Maksimian (286-305). Prindërit e saj e fejuan me njëfarë Elefsi të rangut senatorial, i cili, ngaqë kishte rënë në dashuri të zjarrtë me të, nuk donte ta shtynte dasmën më tej. Por zemra e Julianës ishte pushtuar nga dashuria për Zotin tonë Jisu Krisht, dhe dëshironte të kalonte tërë jetën e saj në pastërti dhe pa shpërqendrime për hir të Dhëndrit qiellor, prandaj nuk i pranoi këto propozime. Ajo hiqej si tekanjoze, thoshte se do të martohej me Elefsin, nëse ai do të bëhej prefekt i kryeqytetit të Bitinisë.

Me gjithë vështirësitë, ky i fundit iu vu menjëherë punës: shpenzoi shumë ar dhe u bë në të vërtetë prefekti i Nikomedisë, e pas kësaj kërkoi përsëri dorën e Julianës. E detyruar të zbulonte të vërtetën, e fejuara e Krishtit i tha: “Nëse ti nuk braktis kultin e idhujve dhe nuk bën pjesë në fenë e krishterë, që dhuron jetën e përjetshme, kurrë nuk kam për të të pranuar që të martohem me ty”. E palëkundur në vendimin e saj, me gjithë lutjet e prindërve, ajo iu dorëzua autoriteteve, si dishepulle e fesë së ndaluar dhe u çua përpara prefektit. Mëtuesi i saj, u bë tani gjykatësi dhe torturuesi, dha urdhër ta zhvishnin dhe ta torturonin.

Pasi e kamxhikuan në të gjithë trupin, e varën nga flokët sa iu shkul lëkura e kokës. Djalli iu shfaq në burg, me pamjen e një engjëlli të Perëndisë, që t’i propozonte të nënshtrohej dhe t’u sakrifikonte idhujve. Por shenjtorja e Perëndisë, e armatosur me lutje, i hoqi maskën këtij mashtrimi të djallit dhe gjeti fuqi të ripërtërira për të vazhduar përpjekjen e saj shpirtërore.

Pasi e nxorën nga burgu për ta marrë përsëri në pyetje, e çuan drejt një mangalli të madh, ku kishin bërë gati zift plot me plumb të shkrirë për ta zhytur. Por vendosmëria e vajzës së re ishte aq e palëkundur, besimi i saj aq i madh, dashuria për Krishtin aq shumë e zjarrtë, më e zjarrtë se çdo dashuri tokësore, saqë shpirti i saj i transmetoi trupit pak nga mosprishja që u është premtuar të zgjedhurve për jetën e përjetshme. Jo vetëm që nuk pësoi asnjë dëmtim, por, kur ajo e preku, zifti u ça dhe plumbi u përhap mbi rojat.

Para këtyre mrekullive, një numër i madh paganësh, 500 burra dhe 130 gra, lavdëruan fuqinë që Perëndia u fal shenjtorëve të tij, pohuan emrin e Krishtit, ndaj dhe u prenë menjëherë kokën, me urdhër të prefektit. Në fund ia prenë kokën edhe Julianës, duke ia dërguar kështu shpirtin me gëzim drejt banesave të shenjtorëve. Ajo ishte 18 vjeçe, kur kremtoi në këtë mënyrë martesën e saj me Krishtin.

* * * * *

Dëshmor Themistokliu.

Shën Themistokliu është një njeri me zakone të thjeshta dhe me zemër të pastër, që i çonte delet e tij të kullosnin në malet që ndodheshin afër Mirës së Likisë, në kohën e persekutimit të Deciusit (250). Një ditë, një i krishterë i qytetit, i quajtur Dioskorid, i ndjekur nga njerëzit e guvernatorit Asklep për shkak të besimit të tij, i kërkoi ta fshihte. Pak çaste më vonë, u shfaqën edhe ndjekësit e tij, që e pyetën bariun nëse ai kishte parë ose jo personin e kërkuar. Duke u besuar vullnetit të tyre të mirë dhe duke menduar se të gjithë njerëzit janë, si ai, të mbushur me përdëllim dhe butësi për të afërmin, ai u tha atyre: “Lëreni të shkojë, o vëllezër, dhe shpëtojeni nga vdekja. Mos ia dorëzoni gjykatësit dhe dhurojini jetën. Edhe pse ai është i krishterë sikundër unë jam, nuk është më pak njeri se ju”.

Këto fjalë paqeje nuk bënë gjë tjetër veçse e shtuan tërbimin e ushtarëve që iu përgjigjën: “Nëse ti refuzon ta dorëzosh, ne do të të marrim ty në vend të tij”. “Unë kam këtë propozim për ju, nga i cili keni për të përfituar, tha shenjtori, por, meqë ju e refuzuat, pranoj me gëzim që të më arrestoni mua në vendin e tij. Sepse të gjithë ne jemi një, si ai, si unë, jemi tok shërbëtorë të Krishtit dhe gjymtyrë të të njëjtit Trup”.

E çuan në Mirë dhe e paraqitën përpara gjyqit të Asklepit me veshjen e thjeshtë të bariut të maleve: me gunën dhe shkopin e tij. Megjithatë i habiti të gjithë me urtësinë e përgjigjeve të tij, të marra si ujë i gjallë nga burimi i Shkrimeve të Shenjta. “Ku e ke fshehur të krishterin e kërkuar? Thuaj të vërtetën që të shpëtosh jetën” i tha guvernatori. “Unë kam një jetë tjetër dhe nuk njoh të vërtetë tjetër, përveçse Krishtit, që ka thënë: Unë jam udha dhe e vërteta dhe jeta” (Jn. 14:6).

Pasi refuzoi t’i falej kultit të idhujve të kotë dhe qortoi mashtrimin e këtyre perëndive pagane, tha: “Do që të më torturosh, më torturo pra. Me gëzim po ia dorëzoj veten time vdekjes për hir të Krishtit, duke ofruar një sakrificë për lavdinë e Zotit tim, për shpëtimin tim dhe për atë të Dioskoridit shërbëtorit të Perëndisë dhe që ti ta marrësh vesh se “unë të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Fil. 4:13). Pasi i shqyen gjymtyrët, e rrahën me kamxhik në bark derisa i dolën të përbrendshmet jashtë, pastaj e varën në një shtyllë për ta rrjepur të gjallë me krehër të hekurt.

Me gjithë vuajtjet, gëzimi i tij shtohej dhe, duke u ngjitur te vendi ku do t’i pritej koka, i tha gjykatësit: “Nuk e di ti, o Asklep, se me anën e Drurit (Kryqit) që neve na u shfaq jeta, gjithashtu me anën e tij u shpëtuam? Nuk e di vallë se me anën e Drurit demoni është përmbysur, kulti i demonëve është shkatërruar, bota është shpëtuar dhe që Krishti është lavdëruar nga i tërë universi si Zot?”. Duke parë sjelljen e tij triumfuese, Asklepi e zbriti nga shtylla dhe urdhëroi që ta vrisnin duke e tërhequr zvarrë nëpër ferrat që ishin jashtë mureve të qytetit.

Pas martirizimit të lavdishëm të shenjtorit, besimtarët e ngulën shkopin e tij në dheun që i mbulonte varrin. Shkopi zuri rrënjë dhe u bë një pemë bajameje që dha për shumë vjet fruta me cilësi shëruese.