APOSTULLI – 1 Timotheut 3:1-13
E besueshme është fjala; në dëshiron ndonjë të bëhet episkop, punë të mirë dëshiron. Episkopi pra duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, i përmbajtur, i urtë, i sjellshëm, mikpritës, mësues i aftë; jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm, por i butë, paqësor, jo argjenddashës; njeri që drejton mirë shtëpinë e tij, që ka fëmijë të bindur me çdo lloj urtësie.
Sepse në qoftë se ndonjë nuk di të drejtojë shtëpinë e tij, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? Të mos jetë rishtar në besim, që të mos fryhet me madhështi e të bjerë në dënim të djallit. Edhe duhet të ketë dëshmi të mirë dhe nga të jashtmit që të mos bjerë në turp e në lak të djallit.
Dhiakonët gjithashtu, duhet të jenë të hijshëm, jo me dy faqe në fjalë, jo të dhënë pas verës së shumtë, jo lakmitar për fitim të pandershëm; të kenë misterin e besimit me ndërgjegje të kthjellët. Edhe këta le të provohen më parë, pastaj le të bëhen dhiakonë, pasi të gjenden të paqortueshëm.
Gratë e tyre gjithashtu të jenë të hijshme, jo shpifëse, të përmbajtura, besnike në të gjitha. Dhiakonët le të jenë burra të një gruaje, që drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. Sepse ata që kanë shërbyer mirë, fitojnë shkallë të mirë për veten e tyre, edhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jisu.