– Apostulli – 1 Timotheut 1:8-14

 

Edhe e dimë, se ligji është i mirë, në qoftë se e përdor atë njeriu me ligjshmëri, duke ditur këtë, se ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të paudhët e për të pabindurit, për ata që s’kanë frikë Perëndinë e për mëkatarët, për të pafetë e për përdhosësit, për atëvrasësit e nënëvrasësit, për njerivrasësit, për të përdalët, për ata që shkojnë me meshkuj, për ata që shesin njerëz, për gënjeshtarët, për ata që shkelin betimin, edhe për çdo gjë tjetër që del kundër mësimit të shëndoshë, sipas ungjillit të lavdisë së të lumurit Perëndi, që m’u besua mua.

Edhe falënderoj Krishtin Jisu, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më numëroi për besnik e më vuri në shërbim mua, që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi. Dhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu.