Ungjilli – Llukai 21:5-8, 10-11, 20-24.
Edhe ndërsa disa po flisnin për tempullin se është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata, tha: Këto që shikoni, do të vijnë ditë, në të cilat nuk do të mbetet gur mbi gur, që të mos rrëzohet.
Edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, kur pra do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja, kur do të bëhen këto?
Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni; sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; edhe se koha u afrua. Mos shkoni, pra, prapa atyre.
Atëherë u thoshte atyre: Do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie, edhe do të bëhen tërmete të mëdha në vende të ndryshme, edhe zi buke e murtaja, edhe do të ketë gjëra të frikshme e shenja të mëdha prej qiellit.
Edhe kur të shihni Jerusalemin të rrethohet prej ushtrive, atëherë dijeni se u afrua shkretimi i tij. Atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin nëpër male; edhe ata që do të jenë brenda në të, le të dalin jashtë, edhe ata që të jenë nëpër krahina, le të mos hyjnë brenda në të.
Sepse ditë shpagimi janë ato, që të përmbushen gjithë të shkruarat. Edhe mjerë ato gra që janë me barrë e me foshnjë në gji në ato ditë, sepse do të jetë shtrëngesë e madhe mbi dhé, edhe zemërim mbi këtë popull. Edhe do të bien prej goje thike, edhe do të robërohen nëpër gjithë kombet; edhe Jerusalemi do të shkelet prej kombesh, deri sa të plotësohen kohët e kombeve.