Foto nga: Mano Kritsotaki
 
    Dita e parë, datë 31.11.2009
 
    Me mbërritjen në aeroportin “Nënë Tereza”, nisi edhe realizimi i vizitës historike të Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Imzot Theodhorit II. Për ta pritur në aeroport kishin dalë të gjithë Mitropolitët dhe episkopët, anëtarë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të kryesuar nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi. Në aeroport ndodheshin edhe klerikë nga të katër dioqezat, si dhe besimtarë orthodhoksë.

    Në orën 11.00, Patriarku i Aleksandrisë, në krye të delegacionit që e shoqëronte, që përbëhej nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Kampalës dhe Eksark i gjithë Ugandës, Imzot Jonait, nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Muanzisë, Imzot Jeronimi dhe Hirësia e Tij, Episkopi asistent, Imzot Nikodhimi i Nitrisë, u fut në oborrin e Katedrales Orthodhokse “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, i cili ishte mbushur me besimtarë, që u uronin mirëseardhjen duke psalur e duke hedhur petale lulesh dhe gjethe dafinash.

    Mbas shërbesës së Dhoksologjisë, që u psal me rastin e pritjes zyrtare të vizitorëve të lartë të Kishës Aleksandriane, u shkëmbyen edhe përshëndetjet e dy Primatëve.

    I pari që uroi mirëseardhjen ishte Kryepiskopi Anastas, i cili në fjalën e tij shprehu gëzimin dhe ngazëllimin shpirtëror që mbushte zemrat e Sinodhit dhe popullit besimtar të Shqipërisë. Kryepiskopi shprehu edhe mallëngjimin që ndiente kur kujtonte takimin e parë me Patriarkun Theodhor, kur ai ishte student i vitit të parë të Fakultetit Teologjik të Universitetit të Athinës, por edhe vitet e shërbimit të tij hierapostullor në Afrikë dhe Liturgjinë e parë në Kampala, në maj të vitit 1964. Kujtimet e Kryepiskopit përmbanin edhe historitë e jetëve të anëtarëve të delegacionit, kur ata ishin akoma fëmijë e më pas studentë të Kryepiskopit në Athinë.

    Më pas, Kryepiskopi Anastas shpjegoi edhe lidhjen shpirtërore që ka Afrika më Shqipërinë, si dy stacione të rëndësishme të veprimtarisë së Tij kishtare.

    Në përshëndetjen e tij, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës, Theodhori II, iu drejtua Kryepiskopit me fjalët: “Mësues i dashur, Ju e dini mirë që nga qyteti i madh i Aleksandrisë, i cili u ndërtua nga ptolemejtë, pasardhësit e Aleksandrit të Madh, e kanë fillesat shkollat më të njohura teologjike dhe katekike. Teologët aleksandrianë kanë shpjeguar dogmat orthodhokse, duke triumfuar kështu mbi të gjitha herezitë. Shikoj me gëzim në këtë katedrale ikonat e Shën Athanasit të Madh dhe të Shën Joan Përdëllimtarit, Patriarkëve të Mëdhenj të Aleksandrisë… Sa herë që kam nevojë për ripërtëritje shpirtërore gjej kohë dhe vizitoj viset e shkretëtirës së Nitrisë, ku jetonin etërit e mëdhenj eremitë, për të qenë sa më pranë frymës së tyre asketike…

    Dy Mitropolitët afrikanë që më shoqërojnë, nuk janë zgjedhur rastësisht të jenë pjesë e delegacionit tonë. Ata janë bijtë tuaj, që i rritët shpirtërisht, duke i përgatitur për detyrën e lartë të Episkopit. Ju hodhët farën e hierapostullisë në Afrikë duke rigjallëruar ndërgjegjen misionare të të gjithë Kishës Orthodhokse.

    Edhe në kujtimet e jetës sime personale, kur isha nxënës në shkollën e Rizarios, zë vend figura e një mësuesi të ndriçuar, që vinte herë pas here e na vizitonte. Ishit Ju, atëherë Episkopi i Andrusës, prej të cilit dëgjova për herë të parë për Afrikën, pa e ditur akoma që Perëndia do t’i drejtonte hapat e mia drejt këtij kontinenti kur më tha: “Shko në Afrikë dhe ngri Kryqin e Apostullit dhe Ungjillor Markut”. Dhe në këtë muaj që po realizojmë vizitën tonë, këtu pranë Jush, festojmë edhe përvjetorin e pestë të fronëzimit si Patriark i Aleksandrisë, si një simbolikë e fuqishme që lidh dy Kishat tona.

    Para 10 vjetësh këtë Kishë martirike e vizitoi Patriarku Ekumenik, Vartholomeu I, që është edhe Episkopi i Parë në radhën e Orthodhoksisë. Tani, para jush, gjendet Episkopi i Dytë në radhën kanonike, por që është njëkohësisht edhe nxënësi dhe biri juaj. Ndërkohë që Afrika bën përparime në shpërndarjen e mesazhit të Ungjillit, ne admirojmë Kishën e Shqipërisë, që nën udhëheqjen e frymëzuar të Fortlumturisë Suaj, po shënon ringritje të fuqishme, ku ngado shikojmë mrekullitë e Hirit të Perëndisë në veprën tuaj. Vitet dhe brezat kalojnë dhe dikur të gjithë do të lexojnë se nga viset e Afrikës dhe të Shqipërisë kaloi figura e ndritur e Kryepiskopit Anastas, i cili ungjillëzoi dhe ringjalli shpresën kudo. Personaliteti juaj është i njohur, jo vetëm në orthodhoksi, por në të gjithë botën. Ju na mësuat se si të ishim misionarë të vërtetë”.

    Vizita e Patrikut Theodhor vijoi sipas programit në Manastirin e Shën Vlashit. I shoqëruar nga Kryepiskopi Anastas, Primati i kontinentit afrikan pa nga afër ambientet e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, vizitoi Skitin e Miroprurëseve dhe konviktin e vajzave, Shtëpinë orthodhokse të fëmijëve “Shpresa”. Ai mbolli së bashku me Kryepiskopin dy fidanë ullinj, si simbol uniteti dhe bashkëpunimi midis Patriarkanës së Aleksandrisë dhe Kishës së Shqipërisë.

    Patriarku i Aleksandrisë në vijim mori pjesë në një drekë të përbashkët me  stafin pedagogjik dhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, si dhe mësuesit dhe nxënësit e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”.

    Gjatë takimit me studentët dhe nxënësit e rinj, Patriarku zhvilloi një bisedë të ngrohtë me ta. Ai u tregoi atyre jetën e tij dhe hapat që ndoqi që kur ishte në bankat e shkollës dhe deri në zgjedhjen e tij në Fronin e Patriarkut të Aleksandrisë. Më pas morën fjalën edhe anëtarët e delegacionit, që treguan kujtimet e tyre që lidheshin edhe me ndihmën që u ka dhënë atyre Kryepiskopi Anastas, i cili kishte paraparë tek ta, qysh prej fëmijërisë, udhën që do të ndiqnin në arsimimin dhe formimin e tyre deri në gradën episkopale.

    Kryepiskopi Anastas deklaroi se kishte një ëndërr, që shprehej në urimin që të vinte një ditë, kur edhe Kisha e Shqipërisë të mund të dërgonte bijtë e saj misionarë në Afrikë. “Keni dëgjuar shpesh herë”,- vijoi Kryepiskopi,- “se Hierarkët e Kishës flasin për nevojat e mëdha që kanë Kishat lokale. Kjo është e vërtetë, por çdo Kishë, sado e vogël dhe nevojtare të jetë, duhet të mendojë për misionarizmin si një përparësi absolute e jetës së saj, sepse kështu bekohet edhe Kisha ku shkojnë misionarët, por bekohet edhe fuqizohet më shumë edhe Kisha që i dërgon ata. Nuk do të jetë e largët dita,- përfundoi Kryepiskopi,- që edhe misionarë shqiptarë do të shkojnë në Afrikë për të përhapur Fjalën e Perëndisë”.

    Me këtë atmosferë dhe frymë hierapostullore u mbyll edhe dita e parë e vizitës paqësore dhe zyrtare e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Thedhori II. Nesër, e diel,1 nëntor, do të zhvillohet bashkëmeshimi Patriarkal dhe Arkieratik i të dy Primatëve në Katedralen Orthodhokse “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, ku do të lexohen edhe mesazhet kryesore të Primatëve.

Aleks Curi