Dëshmore e madhe Varvara.
Shën Varvara ishte vajza e një pagani të pasur që quhej Dioskur dhe jetonte në Heliopolis të Sirisë gjatë mbretërimit të perandorit Maksimian (284-305). Ajo ishte jashtë mase e bukur dhe i ati e ruante me rreptësi. Një ditë, ndërsa që bëhej gati të shkonte në një udhëtim të gjatë, ai urdhëroi shërbëtorët ta mbyllnin në një kullë të lartë të pallatit të tij, që të mos e shikonte asnjë burrë. Ai e kishte rritur në pasuri e në bollëk dhe i kishte dhënë një edukatë të madhe, por nuk e kishte ndaluar dot të bijën që të vinte në përdorim inteligjencën e saj të mprehtë, sipas ikonës së Perëndisë që ndodhet te secili prej nesh. Varvara kishte arritur në njohjen e Një Perëndie në Trini, nëpërmjet vëzhgimit të reflektimit të pranisë së Perëndisë në natyrë. Pasi i kishte braktisur me kohë kotësitë e kësaj bote, ajo ndiente një dashuri të madhe në shpirt vetëm për Krishtin, Dhëndrin Qiellor.
Në kohën që Dioskuri ndodhej në udhëtim larg shtëpisë, u ndërtua, sipas porosive të tij, një banjë me dy dritare në këmbët e kullës. Varvara, duke parë punën që po përparonte, u tha ndërtuesve të shtonin edhe një dritare të tretë, kështu që salla e banjës do të ndriçohej nga një dritë e trefishtë, që simbolizon dritën e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. Kur Dioskuri u kthye në shtëpi, me planet për ta martuar vajzën e tij me një njeri të pasur, ai hasi në refuzimin e saj të prerë. Varvara dëshironte t’ia përkushtonte Krishtit virgjërinë e saj. Ai u zemërua akoma edhe më tepër kur pa se projektit të tij të banjës, i kishin shtuar edhe një dritare sipas urdhrit të saj.
Kur kërkoi shpjegim, Varvara bëri shenjën e Kryqit dhe i tregoi atij tre gishtat e bashkuar, duke i dhënë këtë përgjigje: “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. E tërë krijesa ndriçohet nga drita unike e Perëndisë dhe mbarë njerëzimi shpëtohet nga kjo shenjë”. Dioskuri, i pushtuar prej një tërbimi të madh, mori shpatën dhe donte t’i priste kokën, por vajza arriti të shpëtonte dhe u strehua në mal, në të çarën e një shkëmbi që u hap në mënyrë të mrekullueshme.
Në fund fare, i ati arriti ta gjente ku ishte dhe ia dorëzoi guvernatorit të krahinës, përpara të cilit ajo rrëfeu besimin e saj të zjarrtë te Krishti dhe u tall me idhujt. E rrahën me kamxhik të bërë nga fije të holla, që iu futën thellë në mish; i dogjën brinjët dhe ia shtypën kokën në mes dy gurësh të rëndë. Kur i dhanë fund torturave të tyre dhe e flakën trupin në një qeli të errët, gjithçka ishte e shformuar dhe ishte kthyer në një plagë të stërmadhe e të gjakosur. Atë natë iu shfaq Zoti Jisu Krisht, i rrethuar nga një dritë e shkëlqyeshme. Zoti e shëroi tërësisht dhe i premtoi se do ta ndihmonte deri në fund të garës së saj.
Ditën tjetër, Varvara u paraqit përpara tiranit për herë të dytë. Ai u habit së tepërmi kur e pa se nuk kishte asnjë plagë dhe e vuri nën tortura të tjera. Urdhëroi t’ia hiqnin rrobat e trupit dhe ta ekspozonin, për ta turpëruar në mes të popullit. Por Zoti nuk deshi të fyhej në këtë mënyrë pastërtia e saj virgjërore dhe prej qiellit ra një lëmsh i madh e i zjarrtë dhe e veshi martiren si me një rrobë drite.
Duke parë durimin e madh të shenjtores dhe mrekullitë e mëdha me të cilat Perëndia shfaqte haptazi mirëpëlqimin e Tij, një grua e re, e quajtur Juliana, deklaroi se edhe ajo ishte e krishterë. Për këtë arsye e kapën dhe i bënë të njëjtat tortura. Në fund guvernatori urdhëroi që të dyja grave t’u pritej koka. Dioskuri, që e kishte ndjekur torturimin e vajzës së tij nga fillimi deri në fund pa mëshirë, i kërkoi guvernatorit të ishte ai xhelati së bijës. Ekzekutimi i tyre u krye mbi një mal aty pranë dhe të dyja vajzat e reja ia ofruan me dëshirë shpirtrat e tyre Zotit në të njëjtin çast. Juliana u ekzekutua nga një xhelat dhe Varvara nga i ati. Por shpagimi i Perëndisë nuk vonoi të vinte, sepse shumë shpejt, ndërsa Dioskuri mizor mori rrugën për në shtëpi, e goditi një rrufe dhe e bëri hi.
* * * * *
Oshënar Joan Damaskini.
Pasi qyteti i madh i Damaskut, metropoli i Sirisë, ra në duart e arabëve në vitin 635, të krishterët pësuan shumë të këqija dhe iu hoqën shumë të drejta, për më tepër u paguanin edhe haraç pushtuesve arabë. Në kohën e kalifit Abdyl-Malik (685-705), përgjegjësinë në lidhje me çështjet e të krishterëve e kishte Sergj Mansur, që gëzonte besimin e kalifit dhe që vinte nga një prej familjeve më të njohura të qytetit. Biri i këtij njeriu të sinqertë, që kishte frikë Perëndie, ishte ati ynë i shenjtë Joani, lira e Shpirtit të Shenjtë, që lindi në vitin 675.
Qysh në fëmijëri, ai u mësua të kuptonte se sa të mëdha janë virtytet e dhënies së lëmoshës dhe të veprave të mira, sepse i ati e përdorte pasurinë e tij të madhe për të çliruar robër të krishterë. Joani u rrit në urtësi së bashku me të vëllanë, Kozmain (shih 14 tetor), i cili ishte adoptuar nga Sergji, pasi kishte humbur prindërit e tij. Edukimi i djalit iu besua murgut të ditur italian, Kozmait, të cilin Sergji e kishte çliruar nga arabët duke paguar një haraç. Murgu Kozma i mësoi ata në çdo shkencë të njohur të kohës, si dhe në filozofi. Inteligjenca e tyre e madhe dhe mënyra modeste e të jetuarit i denjësoi të bënin përparim të madh në mësime, veçanërisht në lëmin e poezisë dhe të muzikës. Kështu, pas disa vjetësh, mësuesi i tyre Kozmai vuri re se ai nuk kishte më se çfarë t’u mësonte djemve dhe mori lejen e largimit nga ati i tyre, dhe u tërhoq në lavrën e Shën Savës, ku donte të jetonte deri në fund të jetës së tij.
Me një njohje të përsosur të arabishtes, si edhe të greqishtes, Joani punoi me të atin në çështjet e administrimit dhe, pas vdekjes së tij, u caktua në vend të të atit nga kalifi Valid (705-15) për shkak të zotësisë së tij të jashtëzakonshme.
Kur Leoni III Isauri (717-41) nisi të persekutonte Kishën e Krishtit në Perandorinë Romake, duke luftuar nderimin e ikonave të shenjta, shën Joani bëri një mbrojtje të fortë të besimit të vërtetë, nëpërmjet letrave të tij që i dërgonte nga Damasku ndër njerëz të ndryshëm, me të cilët kishte korrespondencë brenda perandorisë. Në këto letra, ai shtjelloi bazën theologjike të nderimit të ikonave, sikundër përcaktohet në Shkrimin e Shenjtë dhe në shkrimet e Etërve të Kishës. Në këtë mënyrë fitoi urrejtjen e Leonit, i cili u përpoq ta mënjanonte duke dhënë urdhër të shkruhej një letër e rremë, gjoja e dërguar nga Joani tek ai, ku ai i kërkonte perandorit të pushtonte sa më shpejt Damaskun. Letra iu tregua kalifit, i cili, shumë i zemëruar, urdhëroi që këshilltarit të tij t’i pritej dora e djathtë. Atë natë, shën Joani e vendosi dorën e tij të prerë përpara ikonës së Hyjlindëses dhe i lutej me lot Zonjës së botës, që t’ia kthente përsëri në gjendjen e mëparshme. Pasi ra në një gjumë të lehtë, ai pa ikonën teksa po bëhej e gjallë dhe dëgjoi Nënën e Zotit, Hyjlindësen, që po e ngushëllonte. Kur u zgjua, u mrekullua. Dora ishte rivendosur në krahun e tij. Që nga ai çast, dorën e tij ia përkushtoi Hyjlindëses dhe lavdërimit të saj bashkë me atë të Shpëtimtarit tonë, si edhe mbrojtjes së besimit orthodhoks. Ai hoqi dorë nga pozita në administratë, ndau pasurinë e tij dhe shkoi në Jerusalem me Kozmain për t’u bërë murgj në lavrën e Shën Savës.
Igumeni i lavrës ia caktoi Joanin një jerondi të virtytshëm, por që ishte i rreptë dhe kërkues. Ai ia ndaloi nxënësit të tij të merrej me gjëra që lidheshin me filozofinë, shkencën, poezinë, himnin, kompozimin dhe shkrimin, dhe e ngarkoi të merrej me punët më të thjeshta fizike, që të përparonte në bindje dhe në përulësi. Një ditë, Joani, duke lënë mënjanë mësimet e drejtuesit të tij shpirtëror, kompozoi një himn që ia kërkoi si ngushëllim një miku i tij, i cili sapo kishte humbur një të afërm. Ky himn psalet ende dhe sot: “Gjërat njerëzore janë kotësi” (Psalet në Shërbesën e Varrimit). Kur jerondi e mori vesh këtë mosbindje, e urdhëroi të mblidhte me dorë të gjitha ndotjet e lavrës dhe ai e bëri këtë bindje pa thënë asnjë fjalë. Por, disa ditë më vonë, Hyjlindësja iu shfaq jerondit dhe i kërkoi ta lejonte nxënësin e tij të kompozonte himne dhe poezi, bukuria dhe ëmbëlsia e të cilave ishin të jashtëzakonshme.
I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, Joani, si një harpë zëëmbël, u dha melodi shumë të harmonishme një numri të madh himnesh që përmbajnë mendimet më të thella theologjike të Etërve të Kishës. Ai shkroi kanonin që psalim në Pashkë dhe kompozoi pjesën më të madhe të himneve të Tetëtingullshit (Oktoikut), në nderim të Ngjalljes. Ai gjithashtu është autori i shumë himneve sublime dhe i kanoneve për nder të të kremteve të Zotit, të Hyjlindëses dhe të shenjtorëve.
Së bashku me dhuratat poetike, Perëndia i dha hirin që të shprehte theologjinë. Duke mos iu shtuar asgjë dogmave dhe doktrinave të shprehura nga etër më të hershëm, si shën Grigor Theologu, shën Vasili i Madh, shën Joan Gojarti, shën Grigori i Nisës dhe shën Maksim Konfesori, shën Joan Damaskini në një vepër të tij të ndarë në tri pjesë, që titullohet “Burimi i Dijes”, ku parashtron gjërat esenciale të besimit të krishterë me një saktësi të mahnitshme dhe qartësi shprehjeje, saqë e tërë vepra mund të karakterizohet si vula dhe kurora e lavdisë së frymës patristike.
Pjesa e tretë, “Rreth besimit orthodhoks”, përbën një vepër të rëndësishme të traditës së krishterë, duke shërbyer për orthodhoksët si burimi më i sigurt për gjithçka që ka lidhje me dogmat e besimit. Joani i shfaqi si jo të vërteta falsifikimet e herezive, të cilat ndodhen në të majtë dhe në djathtë të rrugës së mesme, të asaj mbretërore, d.m.th. të doktrinës së drejtë, e cila me vërtetësinë e saj të çon lart në qiell. Veçanërisht i fortë ai ishte në mbrojtje të ikonave të shenjta dhe në betejën kundër ikonoklastëve. Në tri traktate të gjata, të hartuara midis viteve 726 dhe 730, ai tregon qartësisht themelet e forta dhe nevojën e nderimit të ikonave dhe të lipsaneve të shenjta, sepse kjo është një shpallje e realitetit të Mishërimit të Fjalës së Perëndisë dhe e hyjnizimit të natyrës njerëzore në personat e shenjtorëve. Pasi fitoi urtësi të vërtetë, nëpërmjet përulësisë dhe qëndrueshmërisë në përpjekjet asketike, filozofi i Shpirtit të Shenjtë fjeti me paqe në Zotin më 4 dhjetor të vitit 749 (ose 753). Shpella ku ai kaloi disa kohë si eremit nderohet edhe sot në manastirin e Shën Savës dhe përbën vend pelegrinazhi deri në ditën tona.