UNGJILLI – Llukai 20:9-18.

Edhe zuri t’i thoshte popullit këtë paravoli: Një njeri mbolli një vresht, edhe e pajtoi ndër bujq, edhe mërgoi për shumë kohë. Edhe kur erdhi koha dërgoi një shërbëtor te bujqit, që t’i jepnin prej frytit të vreshtit; po bujqit si e rrahën, e dërguan duarbosh.

Edhe përsëri u dërgoi një tjetër shërbëtor; po ata edhe atë si e rrahën dhe e poshtëruan, e dërguan duarbosh. Edhe përsëri dërgoi një të tretë; por ata edhe këtë, si e plagosën, e nxorën jashtë.

Edhe i zoti i vreshtit tha: Ç’të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur; mbase kur të shohin këtë, do të kenë turp. Po bujqit kur e panë, mendoheshin me vete duke thënë: Ky është trashëgimtari. Ejani, le ta vrasim, që të na mbetet trashëgimi.

Edhe si e nxorën jashtë vreshtit, e vranë. Ç’do t’u bëjë pra atyre i zoti i vreshtit? Do të vijë e do t’i shfarosë këta bujq, edhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.

Po ata kur dëgjuan, thanë: Mos u bëftë! Edhe ai hodhi sytë mbi ata e tha: Ç’është pra kjo që është shkruar: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë Kreu i qoshes”?

Edhe ai që të bjerë mbi këtë gur, do të copëtohet; edhe mbi atë që të bjerë do ta dërrmojë.