APOSTULLI – 1Thesalonikasve 2:20-3:8.
Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi.
Prandaj, pasi nuk mundëm të durojmë më, e gjetëm për mirë të mbetemi të vetëm në Athinë, edhe dërguam Timotheun, vëllanë tonë, edhe shërbëtor të Perëndisë, edhe bashkëpunëtorin tonë në punën e ungjillit të Krishtit, që t’ju forcojë e t’ju ngushëllojë për besimin tuaj; që të mos tundet asnjë në këto shtrëngime; sepse ju vetë e dini se për këtë jemi vënë.
Sepse, kur ishim pranë jush, ju thoshim më përpara se kemi për të hequr shtrëngime, sikurse edhe u bë, edhe e dini. Prandaj edhe unë, pasi s’duroja dot më, dërgova që të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju ngau ai që nget, edhe shkon më kot mundimi ynë.
Po tani që erdhi Timotheu nga ju tek ne, edhe na pruri lajmin e mirë për besimin e për dashurinë tuaj, edhe se na kujtoni gjithnjë për të mirë, edhe se keni mall të na shihni, sikurse edhe ne ju, prandaj, o vëllezër, me gjithë shtrëngimin e nevojën tonë, u ngushëlluam për ju, prej besimit tuaj; sepse tani rrojmë, në qëndrofshi ju në Zotin.