– Apostulli – 2 Korinthianëve 5:1-10.
Sepse e dimë që, në u prishtë tenda e shtëpisë sonë tokësore, kemi ndërtesë tjetër nga Perëndia, shtëpi jo të bërë me dorë, po të përjetshme, në qiejt. Sepse në këtë tendë psherëtijmë, duke dëshiruar të veshim përsipër shtëpinë tonë qiellore. Dhe në qoftë se kemi veshur atë, nuk do të gjendemi të zhveshur.
Sepse ne që jemi në këtë tendë, psherëtijmë nën peshën e saj; sepse s’duam të zhvishemi, po të vishemi përsipër, që e vdekshmja të përpihet prej jetës. Edhe ai që na krijoi për këtë punë, është Perëndia, i cili edhe na dha paradhënien e Frymës.
Duke pasur pra përherë guxim, dhe duke ditur se deri sa rrimë në trup jemi larg nga Zoti, sepse ecim me besim, jo me të shikuar, prandaj kemi guxim e na pëlqen më tepër të largohemi nga trupi, e të jemi pranë Zotit. Prandaj edhe përpiqemi, qoftë duke qenë afër, qoftë duke qenë larg, t’i jemi atij të pëlqyeshëm.
Sepse të gjithë ne duhet të dalim përpara gjykatores së Krishtit, që të shpaguhet gjithësecili për ato punë që ka bërë me anë të trupit, qoftë mirë, qoftë keq.