Të shtunën, 18 nëntor 2017, ora 18:00, në amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua një veprimtari mbresëlënëse. Para publikut kryeqytetas u dha koncerti i Orkestrës “Mikis Theodhorakis”, ku këngëtarët Sofia Papazogllou dhe Kostas Makedhonas kënduan disa nga këngët më të njohura të kompozitorit të madh me famë botërore. Kjo veprimtari ishte organizuar nga Kryepiskopata e Tiranës, e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nëpërmjet Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë.
Aktiviteti u hap nga shkrimtari Minas Vindiadhis dhe më pas e bija e kompozitorit, Zj. Margarita, lexoi letrën përshëndetëse të Mikis Theodhorakis drejtuar Kryepiskopit Anastas. Në këtë përshëndetje, Fortlumturia e Tij falënderohej për mundësinë që u krijoi për koncertin, si dhe shpreheshin ndjenjat e sinqerta të miqësisë për popullin shqiptar, si dhe gëzimi dhe emocioni që kompozitori kishte ndjerë para shumë vitesh, kur kishte vizituar vendin tonë.
Koncerti ngjalli një interesim të rrallë dhe numri i atyre që dëshironin ta ndiqnin ishte shumë më i madh se sa kapaciteti, por në fund të gjithëve iu krijua mundësia të futeshin në sallën e shfaqjes, që kësaj radhe u duk tepër e vogël, apo e ndoqën në ekranet e mëdha të vendosura në mjediset e jashtme.
Në koncert, krahas muzikantëve, artistëve, diplomatëve, intelektualëve personaliteteve të shumta, nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta.
Në fund, përshëndeti orkestrën dhe të pranishmit edhe Kryepiskopi Anastas, i cili theksoi se për të pasur ura komunikimi mes njerëzve e popujve duhet e vërteta, bukuria, drejtësia dhe mbi të gjitha dashuria.
Me këtë rast, në një nga mjediset pranë sallës, ishte përgatitur edhe një ekspozitë me partitura, botime, CD, fotografi etj., nga koleksioni personal i kompozitorit Mikis Theodhorakis.
Një ditë më parë, të premten, më 17 nëntor, në Paraklisin “Lindja e Krishtit”, të Katedrales, ora 19.30, u organizua një natë poetike kushtuar “Poetëve që deshi Miki!”. Aktorja greke Katerina Zafiropulu dhe regjisori shqiptar Enkel Fejzollari, interpretuan, në të dyja gjuhët, poema të Elitis, Ricos, Livadhitis dhe poetëve të tjerë, me sfond muzikor mundësuar nga mjeshtri i veglave me perkusion Stefanos Papangelidhi – Theodhorakis, nipi i kompozitorit.