Apostulli – 1Timotheut 1:8-14.
Edhe e dimë, se ligji është i mirë, në qoftë se e përdor atë njeriu me ligjshmëri, duke ditur këtë, se ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të paudhët e për të pabindurit, për ata që s’kanë frikë Perëndinë e për mëkatarët, për të pafetë e për përdhosësit, për atëvrasësit e nënëvrasësit, për njerivrasësit, për të përdalët, për ata që shkojnë me meshkuj, për ata që shesin njerëz, për gënjeshtarët, për ata që shkelin betimin, edhe për çdo gjë tjetër që del kundër mësimit të shëndoshë, sipas ungjillit të lavdisë së të lumurit Perëndi, që m’u besua mua.
Edhe falënderoj Krishtin Jisu, Zotin tonë, që më dha fuqi, se më numëroi për besnik e më vuri në shërbim mua, që më përpara isha blasfemues, e përndjekës e sharës; por u përdëlleva, sepse pa ditur i bëra në pabesi. Dhe hiri i Zotit tonë teproi mbi mua me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu.
Ungjilli – Llukai 19:45-48.
Edhe si hyri në tempull, zuri t’i nxirrte jashtë ata që shitnin e blinin në të, duke u thënë atyre: Eshtë shkruar se “Shtëpia ime është shtëpi lutjeje”; por ju e bëtë “shpellë kusarësh”.
Edhe ishte duke mësuar përditë në tempull; edhe kryepriftërinjtë e shkruesit dhe të parët e popullit kërkonin ta vritnin; po nuk gjenin se ç’t’i bënin, sepse gjithë populli ishte varur pas tij duke e dëgjuar.