– Apostulli – Kolosianëve 1:1-3, 6-11

 

Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, edhe vëllai Timothe, shenjtëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin që janë në Kolosë; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht.

Falënderoj Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht, duke u lutur përherë për ju. Që arriti tek ju, si edhe në gjithë botën; edhe sjell fryte, sikundër edhe në ju, që atë ditë që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë me të vërtetë; siç e mësuat dhe nga Epafrai, bashkëshërbyesi ynë i dashur, i cili është për ju shërbëtor besnik i Krishtit; i cili edhe na tregoi dashurinë tuaj në Frymën.

Prandaj edhe ne, që atë ditë që dëgjuam, nuk pushojmë duke u lutur për ju, edhe duke kërkuar që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo dituri e urtësi shpirtërore; që të ecni siç është e denjë për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë fryte në çdo punë të mirë, edhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë; duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim dhe zemërgjerësi me gëzim.